U bëftë bashkimi i kombit tonë – Rrahman Jasharaj

Letër e hapur krerëve politikë, veprimtarëve dhe gjithë shqiptarëve

A po lëndohet ideali i Bashkimit Kombëtar ?

Kohëve të fundit në Kosovë e trojet tjera shqiptare u nis një debat publik në tryeza e media elektronike lidhur me momentin aktual në relacionin Shqipëri- Kosovë e e gjithë kjo në kontekstin e rifreskimit të idealit për Bashkimin Kombëtar. Ata që vërtetë jetojnë me këtë ideal dhe punojnë, aq sa munden , për ta bërë realitet, filluan t’u gëzoheshin debateve të shpeshtuara dhe takimeve , që organizatorët i jepnin këtë ngjyrim. Mirëpo, jo rrallë, ky ideal lëndohej nga një pjesë e diskutuesve apo mysafirëve në studiot e TV-së. Për këtë ideal sublim, që jetoi e mbijetoi nëpër shekuj e nëpër gjithë ato furtuna, njerëzit si Migjen Kelmendi e ca të tjerë , flisnin e flasin ca edhe me ironi e tallje. Migjeni, Matoshi e Spahiu i kanë shtruar detyrë vetit të krijojnë një komb të ri (kosovar) dhe kudo janë gjejnë fjalë e “muhalife” për ta argumentuar qëndrimin e tyre gjoja se me këtë janë duke u angazhuar për forcimin e Kosovës si shtet “sovran”. Migjeni i gegërishtes e as Matoshi e Spahiu nuk paraqiten me këto ide pse janë më pak shqiptarë se të tjerët, por duan të dalin në shesh dhe mundohen të tregojnë se janë më të mençurit e këtij trualli , por dorën në zemër, së paku ky është mendim yni, në angazhimet e tyre,me apo pa dashje, lëndojnë idealin e Bashkimit të Kombit, që deri në kë kohën tonë e te ne vjen si porosi e shkruar me gjak nga atdhetarët më me emër të kombit tonë nëpër shekuj. Ata duhet ta dinë se ky ideal nuk lindi për inat të të tjerëve po nga fakti se trojet tona u copëtuan dhe u ndanë padrejtësisht dhe natyrshëm shqiptarët , kudo janë, kanë të drejtë legjitime të jenë bashkë e në një vend. Kanë të drejtë ta duan e nderojnë të njëjtin flamur e t’i qëndrojnë gatitu të njëjtit himn sepse kanë gjuhë të njëjtë e kulturë të njëjtë dhe me dekada e shekuj janë krenuar me ngjarje e trima, që i takojnë gjithë kombit.
Ideali i Bashkimit Kombëtar po lëndohet edhe nga përpjekjet e ndara të individëve apo të Shoqatave e Lëvizjeve për të arritur këtë qëllim madhor. Jo pak nga to në emër të Bashkimit dalin e shajnë gjithë kë tjetër. Shajnë për ta lavdëruar vetëm vetën e tyre. Bashkimi nuk bëhet duke sharë të tjerët po duke gjetur pikat e mira e të përbashkëta. Bëhet duhet hequr individët nga koka bindjen se :”Bashkimin e bëj unë me ca shokë e se të tjerët janë të këqij”. Bashkimi bëhet kur i lëmë bajraktarizmat, mitet për njeriun dhe inatin e bërrylat. Bashkimi bëhet kur nuk mbajmë shumë takime, tryeza e debate për të lartësuar vetën tonë, por kur çdo ditë punojmë aq sa mundemi dhe jemi shembull i moralit, veprimit dhe shqiptarizmit.
Idealin e Bashkimit Kombëtar po e lëndojnë edhe disa prej krerëve të institucioneve të Shqipërisë e Kosovës. Ata bashkimin po e presin në kuadër të Evropës së bashkuar. Ani, kështu ata duhet të deklarohen për hir të momentit dhe për të mos u marrë e cituar nga shtet antishqiptare si institucione që po nxisin probleme. Kryeministrat, ministrat dhe ajka tjetër në pushtet në Kosovë e Shqipëri le të flasin matur e , nëse u duhet për arsye të Evropës e botës, edhe mos të deklarohen fare lidhur idenë e idealin për bashkim, por nuk e kanë të drejtën ta lëndojnë këtë ideal. Te e fundit, bashkimin nuk e bëjnë e as nuk duhet ta bëjnë vetëm individët, qofshin ata edhe kryeministra. Për realizimin e këtij ideali sublim po angazhohet e do të angazhohet populli dhe nëse ai vërtetë punon e mendon për këtë atëherë s’ka kush që e ndal realizimin e Bashkimit të Kombit. Kujt nuk i pëlqen kjo le të bëj çfarë të dojë , por ama , nuk ka të drejtë ta lëndojë këtë ideal, që rri krenar në zemrat dhe mendjet e shumë e shumë shqiptarëve kudo në trojet tona etnike. Bashkimi i Kombit do të behët atëherë kur të shikohemi me njëri-tjetrin në sy si vëlla me vëllain dhe kur ta flakim interesin personal dhe ndjenjën për bajraktarizëm.

Rrahman Jasharaj, koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malëse e Madhe “Martin Dreshaj”

KOMENTOJE