Historianët: Nuk e ndryshojmë historinë

Prishtinë – Autorët e librave të historisë kanë reaguar fuqishëm për kërkesën e ministrit turk të arsimit, që ka kërkuar në Prishtinë heqjen e “paragrafëve fyese” në librat shkollorë.
“Në asnjë tekst të historisë ku programet përfshijnë shkrimet për Perandorinë Psmane nuk ka asnjë fjalë fyese. Nëse themi psh. Perandoria Osmane është pushtuese, s’kemi çka i bëjmë, sepse Perandoria Osmane sipas fakteve është e tillë, është pushtuese.Nuk e thotë asnjë historan tjetër ndryshe në Kosovë. Dikush edhe mund të ketë ngarkesa të natyrave të tjera, por faktet nuk mund t’i ndryshojmë për hir të interesave të politikës ditore.”, ka thënë historian Frashër Demaj për KTV-në.

Ngjashëm shprehet edhe historian Hakik Bajrami.
“Okupatori mbetet okupator. Krimet që i kanë bërë Turgut Pasha e sulltanët e Turqisë, asnjë ministri, asnjë individ në asnjë mënyrë nuk mundet t’i injorojë. Ato çfarë ka bërë Perandoria Osmane, kanë qenë krime dhe krime do të mbesin, pavarësisht korrigjimeve e rishkrimeve që mund të bëhen në libra. Krejt e dinë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ka luftuar kundër turqve. Tash na me e fshi atë a? Krejt botën e japim, e Skënderbeun s’e japim”, shprehet historiani Hakif Bajrami për gazetën Express.

Si historian që është, ai përmend disa raste të krimeve që osmanlinjtë kanë bërë në trojet shqiptare.
“Prej Shkupit e deri në Merdar, Pasha i Turqisë më 1910, në çdo 10 metra e ka ngulur në hunj nga një shqiptar. A t’i harrojmë ne ato? Jo, nuk duhet t’i harrojmë edhe nuk bën t’i harrojmë”, shprehet shumë i mllefosur historiani Bajrami.

Madje ai përmend diskriminimin që ajo Perandori i ka bërë popullit shqiptar.
Ai thekson se Perandoria Osmane në vitin 1868, serbëve u ka lejuar që të hapin shkollë në mes të Stambollit, ndërsa shqiptarëve nuk ua ka lejuar hapjen e tyre as në vilajetet e veta./ indeksonline/

Ndryshimi i historisë

Deklarata e ministrit të Arsimit të Turqisë, Omer Dinçer për ndryshimin e disa paragrafëve në librat e historisë kanë nxitur debat të ashpër te historianët në Kosovë dhe jo vetëm.
Njëri nga autorët e librave të historisë, Frashër Demaj thotë për TCH se, ashtu siç janë dallimet e thella ndërmjet politikës dhe shkencës ministrat duhet të merren me punët që iu përkasin dhe t’i lënë autonomi shkencës.
Sipas tij, nga libri i klasës së pestë e deri tek klasa e 12 e shkollës së mesme të lartë, nuk figuron as edhe një paragraf i vetëm ku fyhet populli turk, por asnjë popull tjetër.
“Rishkrimi i testeve shkollore veçmas të historisë është bërë në frymën evropiane por, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që, për shkak të interesave politike të shtrembërohet historia e një populli pa asnjë fakt të vetëm. Për më tepër me korrigjimet e mundshme të historisë nuk duhet të merren politikanët, por njerëzit e kësaj fushe”, është shprehur Demaj.

Ai thotë se ministri turk, do të duhej të përcillte mesazh falënderimi për shqiptarët të cilët kontribuan në ndërtimin e Turqisë moderne.
Demaj thotë se, në qoftë se ndokush mendon se osmanët kishin ardhur në Kosovë për turizëm është punë e tyre, por ai rikujton se sundimi i perandorisë osmane nga beteja e Kosovës e deri në pavarësimin e Shqipërisë kaluan plot 523 vjet pushim.
Edhe historiani Fehmi Rexhepi u shpreh per Top Channel se në tekstet e historisë në Kosovë nuk ka kurrëfarë fyerje për turqit, por vetëm fakte historike dhe se kjo kërkesë është e pakuptueshme.
Reagime ka pasur edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë, ku ka reaguar ashpër edhe akademiku shqiptar nga Maqedonia, Arbër Xhaferri dhe shumë historianë në vend. /TCH/

Historia në funksion të politikës

Afrimi i raporteve diplomatike e miqësore ndërmjet Kosovës dhe Turqisë ka shkuar deri në atë masë saqë Turqia i kërkon Kosovës që ta bëjë ndryshimin e teksteve të historisë.

Ministritë e Arsimit të të dyja vendeve vlerësojnë se brenda teksteve aktuale të historisë në Kosovë ka vende ku fyhet populli turk dhe se ato pjesë duhet ndryshuar. Mirëpo, ata nuk kanë specifikuar se çfarë konsiderohet si fyerje.
Historianët e Kosovës, shkruan “Info Press”, e konsiderojnë si të paarsyeshme një kërkesë të tillë. Frashër Krasniqi, sekretar në Institutin e Historisë, thotë se në asnjë tekst shkollor nuk mund të gjendet ndonjë fjalë ku fyhet populli turk. Ai thotë se historia nuk mund të ndryshohet e as të tjetërsohet.
Lulëzim Lajçi, profesor i historisë, thotë se historia nuk mund të ndryshohet sa herë që të ndryshojnë raportet politike. Ndërkaq, Arben Hoxha, doktor i shkencave të filologjisë, thotë se shqiptarët nuk e kanë fyer askënd deri më sot në botimet shkencore.
“Është antihumane dhe jo qytetëruese që prej nesh të kërkohet që shtetet dhe regjimet pushtuese të popullit shqiptar gjatë historisë të quhen ‘lirimtare’ e pushtimi prej tyre ’emancipim'”, ka thënë ai për “Info Press”.
Historianë në Kosovë vlerësojnë se po bëhet një gabim kur flitet për raportet e Turqsë me shqiptarët për faktin se Turqia po e identifikon veten me Perandorinë Osmane e të njëjtën po e bëjnë edhe shqiptarët. Ata thonë se Perandoria Osmane ka qenë një perandori shumëkombëshe, gjë që Turqia e sotme nuk është.
Kundër ndryshimit të teksteve të historisë është shprehur edhe politologu dhe intelektuali Arben Xhaferi. Sipas tij, ky do ishte kompromis absurd që do të shënonte fillimin e qëndrimit jolojal të një pjese të madhe të shqiptarëve ndaj shtetit, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Në një intervistë për “Express”, Xhaferi thotë se Turqia po bënë përpjekje ta ndryshoj të vërtetën historike dhe imazhin e turqve.
“Neoosmanizimi, sado që prezantohet si projekt serioz, megjithatë nuk është i tillë. Është një rreng propagandues për përdorim të brendshëm. Intelektualët shpeshherë prodhojnë teori të logjikshme por që janë të rrezikshme për interesat kombëtare”, ka thënë Xhaferi. /Telegrafi/

KOMENTOJE