Shekulli 21 ky e shqiptarët e kanë forcuar kokën guri dhe vazhdojnë të merren me hajmalitë, me garat për sa më shumë xhami e kisha . Me garat e bërrylave, smirës, rrahje gjoksesh dhe me atdhetarinë kur u duhet për të marrë poenë në garat për karriget në parlamente e pushtet. Goxha ministër në Kosovë del e mundohet të bind opinionin se kërkesa për ta mbuluar rininë tonë me veshje arabe qenka e drejtë demokratike. Goxha ministër në Qeverinë e Kosovës del e do ta bind opinionin se lënda fetare në shkollat shqipe qenka demokraci evropiane. Keq. Goxha priftërinj e hoxhallarë me mjekra duan të na bindin se u dashka populli shqiptar, që ka 1000 halle të pazgjedhura, të merret ditë e natë me besimet dhe me garat e përçarjes. Kështu veprojnë dhe pa u skuqur deklarohen në media se po veprojnë në emër të demokracisë dhe se janë në mbrojtje të kombit shqiptar dhe të Kosovës e Shqipërisë. Pasha besën Jo.
As nuk ishte në shërbim të kombit tonë të lodhur e atdheut tonë të molisur thirrja për konvertime në fenë e krishterë e në ngritjen e kishave e katedrales, as nuk është në shërbim të kombit dalja publike me sharje kundër nënës së madhe shqiptare Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereze. As nuk është në këtë shërbim falja shesheve e rrugëve . As nuk janë në shërbim të kombit tonë e të bashkimit kombëtar debatet për fenë e për shamitë nëpër shkolla. Gjithë kjo është në shërbim të të huajve.
Serbia, Mali i Zi e besa edhe kleri e politika greke nuk arritën të na shfarosin e zhdukin me plumba, zjarr e tortura. Me këto ata na unifikuan e bashkuan dhe e kuptuan se nuk qenka zgjidhje të vriten e digjen shqiptarët. Ata kanë hedhur tani në veprim një tjetër luftë dhe kjo është shumë më e tmerrshme dhe vdekjeprurëse për shqiptarët se plumbi, tortura e burgu. Tani ata duan të na qajnë e përçajnë nëpër besime e fe. Duan të na bëjnë garues qesharak se kush po ngrit më shumë kisha e xhami dhe se kush po i ngjanë më shumë arabëve e të huajve të tjerë dhe se kush po mbetet më pak e më pak shqiptar e në emër të besimeve. Gjithnjë kjo po ngjan e shoqëria civile në Kosovë po shikon anash dhe po hamendet dhe,bile, në emër të termit demokraci , që e kemi konsumuar gabimisht më shumë se bukën, po duan të lejojnë çdo gjë. Po duan t’i japin Kosovës pamje Vatikan e shkuar Vatikanit dhe Arabi e shkuar Arabisë. Nëse kjo ngjan, e si po shkojnë punët edhe do të bëhet sepse shoqëria civile po hesht e po bën sehir, atëherë do t’i shkulim flokët nga pasojat dhe Serbia, Mali i Zi e Greqia do t’i thonë botës se ja ne e dinim se kush janë këta dhe se ne i luftuam për ta mbrojtur Evropën e Ballkanin nga elementet ekstreme terroriste arabo-turko islame dhe ekstremistët e ngjyrave tjera.
Shqiptarët në Kosovë, Malësi, Shqipëri, Kosovën Lindore e Maqedoni kanë aq çështje të pazgjidhura dhe armiqtë e tyre nëpër shekuj janë aq dinamikë e të gjallë dhe provojnë çdo gjë e vënë në shërbim çdo mundësi e çdo sahanlëpirës kundër çdo gjëje shqiptare sa që kërkesat për më shumë xhami e kisha, kërkesat për mësimin fetar nëpër shkolla dhe për shami janë zë i keq dhe kobzi. Besimet nuk po na i nguc kush sot e gjithë ditën dhe prandaj energjinë duhet ta harxhojmë në mbrojtje të trojeve e kombit që është në rrezik . Kjo ftesë është për shqiptarët e vërtetë, e atyre që nuk njohin kombin po identitetin e tyre e njohin në bazë të besimit u duhet thënë se nuk e kanë mirë dhe mos të thirren në demokraci po le ta tregojnë fytyrën e vërtetet. Atë fytyrë shumë nga shqiptarët ua kanë parë që moti. Shqiptarët sot kanë mjaft kisha e xhamia. Kanë mjaft priftë e hoxhë me mjekra e pa to. Shqiptarëve sot u duhen reparte fabrikash, shkolla të pajisura me mjete për dijen e shekullit tonë . U duhet paqja , qetësia dhe mbetja gjallë e dashurisë dhe idealeve kombëtare. Shqiptarëve nuk u duhen gjërat që ishin nëpër shekuj dhe mbeten edhe në këtë shekull të huajat.
Rrahman Jasharaj, koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”