Reportazh nga Thethi i Alpeve Shqiptare

Vrazhdësia e shkëmbit dhe bukuria përrallore e natyrës në të njëjtin vend

Kohëve të fundit edhe në Kosovë ishin shpalosur në mediat elektronike e të shkruara pamje nga vendi i quajtur Theth në Alpet Shqiptare. Ato kishin shtuar kureshtjen e miqve të natyrës për të parë e shijuar nga afër ato pamje përrallore. Ëndrrën për të qenë bile një ditë mes atyre pamjeve madhështore anëtarëve të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” dhe Grupit të folklorit “Shpëtimi” nga Medvegja e Kosovës Lindore ua kishin bërë realitet Ndue Sanaj, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra dhe veprimtarët e tjerë të kësaj shoqate. Ata u bënë tok në Shkodër . Darkuan bashkë dhe vëllezërit e motrat nga Kosova kaluan një natë në këtë qytet të traditës për të mbledhur forcë për një rrugëtim të gjatë mes maleve e kreshtave të thepisura. Të gjithë prisnin me padurim mëngjesin sepse i ngacmonte kërshëria dhe dëshira për të parë ato bukuri përrallore me sytë e tyre.
Rrugëtimi nisi. Rruga në të dalë të Shkodrës drejt Thethit po asfaltohej dhe ishte bërë edhe e vështirë për ata që nuk ia kishin mësuar tekat. Kolona e automjeteve nuk ndalej dhe Shkodra mbeti prapa. Para kureshtarëve nga Kosova filluan të shpaloseshin pamjet e para të kreshtave të ashpra.

Boga e Alpeve dhe Boga e Rugovës
– “ju që nuk jeni mësuar me udhëtime të tilla do ta keni pak më vështirë. Të ashpra, por fort të bukura janë Alpet tona. Do të pushojmë me të arritur në fshatin Bogë”- u foli qetazi vëllezërve nga Kosova, kryetari i Shoqatës “Dukagjini”, koloneli në pension Ndue Sanaj.
Fjala Bogë ia ngacmoi veshin arsimtarit nga Kosova, Bekë Demaj. Ai është i lindr në Bogën e Rugovës dhe kishte dëgjuar legjenda nga pleqtë për atë Bogën tjetër. Ai përgatiti aparatin fotografik dhe shtoi kujdesin e shikimit.
– “Do të fotografoj shumë pamje nga kjo Boga këtu e do ua tregoj atje në Kosovë plqeve e të rinjve. Do ia tregoj edhe babait plak këto pamje të bukura. E bukur, fort e bukur kjo Boga e Alpeve . E bukur edhe ajo atje në Rugovë”, foli Beka duke fotografuar e disi edhe duke u krenuar karshi vizitorëve të tjerë. Ai bëri qindra fotografi në atë fshat të bukur dhe gjatë gjithë rrugës drejt Thethit. Në Bogën e Alpeve zelli për punë përshtatej bukur me pamjet magjepse të natyrës. Ajo thënia e vjetër se “Bukën e nxjerrin edhe nga guri” vërtetohej nga afër këtu. Atë pak tokë buzë shkëmbinjve këta malësorë e kishin punuar me kujdes e dashuri .

Rrugë e vështirë e plot leqe- leqe
Pjesëmarrësit e Manifestimit “Dita e Alpeve Shqiptare “ nga të gjithë trojet etnike pushuan në Bogë dhe ndërruan lllafe me vëllezërit e tyre aty. Mikpritja këtu ishte ruajtur . Dalja nga ky fshat u dha guxim vizitorëve, që për të parën herë kalonin këndej. Ata i thonin njëri-tjetrit se edhe nuk qenka i vështirë kalimi drejt Thethit, por kilometrat në vazhdim i bënë që ta ndërrojnë llafin. Në të dy anët shkëmb e bjeshkë. Ca thjesht gur i larë e ca plot lisa të lartë e mes tyre rruga e ngushtë e pa asfalt. Në vend të tij pak rërë, e pastaj guralecë dhe gur të thepisur. Ata që kishin kaluar shpesh këndej ishin mësuar dhe i ngisnin shpejt makinat e tyre, që për të ardhur këndej kishin plotësuar kushtin e lartësisë mbi tokë dhe të fuqisë së motorit. Makina e vëllezërve nga Medvegja nuk e bënte dot atë rrugë dhe prandaj organizatori i festës i ndau ata nëpër furgonë. Anëtarët e Shoqatës “Martin Dreshaj” ishin bërë sy e vesh në fugonin që ua kishte dhënë komuna e Pejës e të cilin po e drejtonte me shumë kujdes i riu Armend Blakaj nga një fshat i komunës së Istogut. Ai kishte vështirë sepse duhej shikuar me kujdes nga shkonte makina e të tjerët ishin bërë si të pa gojë. Shikonin, lëshonin zëra habie dhe fotografonin. As edhe një krahasim me bjeshkët tjera që kishin parë nuk vlente . Këto ishin bjeshkë e shkuar bjeshkëve. Tamam Alpe Shqiptare.

Thethi, kjo perlë e Alpeve Shqiptare
Pamjet magjepse, vrazhdësia e shkëmbit dhe bukuria përrallore në të njëjtin vend kishin magjepsur vizitorët nga Kosova. Pesë orët e rrugëtimit kishin ikur pa u vërejtur. Thethi u doli përpara me gjithë magjinë e bukurinë e tij. Vërtetë perlë e Alpeve Shqiptare. Thethi po frymonte bukur. Shtëpitë e bukura, shkolla, ambulanca dhe ambientet hoteliere ishin përshtatur në gjirin e bjeshkës madhështore. Malësorët këtu nuk fshihnin krenarinë për vendlindjen e tyre. E quanin Thethin vendin më të bukur në botë. Rrugës vizitorët u ndalen dhe i bënë nderime mikes së madhe të shqiptarëve Edit Durham te përmendorja e saj buzë bjeshkës. Ishte ky moment i lartësimit të kujtimit për të dhe për të gjithë miqtë e popullit tonë nëpër kohë e shekuj. Organizatori i festës së Alpeve na shoqëroi bë shëtitjen mes kësaj bukurie përrallore. Në kujtesën e vizitorëve do të mbetet gjatë pamja e bjeshkëve , e lumit të pastër si loti, të ujëvarës, të Kullës së ngujimit, të kishës , shkollës dhe livadhit të qelbur, në të cilin vëllezërit nga trojet etnike ia than këngës. Pjesëmarrësit edhe në këtë festë nuk e harruan Malësinë e Madhe. Nuk e harruan as Hotin, Grudën , Trieshin, Kojën, PLavën, Gucinë, Rozhajën e Kosovën Lindore. Nuk i harruan po u bënë zë i tyre në Thethin e bukur të Alpeve Shqiptare. Në drekën e përbashkët mu në mes të bjeshkës u këmbyen shumë ide. Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, z. Ndue Sanaj uroj që bashkëpunimi mes vëllezërve nga trojet etnike mos të ketë të ndalur, kurse Ukshin Jashari e Rexhep Abazi iu falënderuan organizatorit të festës për mundësinë që ua kishte dhënë për të parë e shijuar gjithë këtë bukuri të tokës së ashpër shqiptare.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE