Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve Ferhat Dinosha është distancuar nga veprimi i deputetit të UDSH-së Mehmet Zenka i cili para se të votohej ligji zgjedhor u largua nga seanca parlamentare së bashku me kolegët e tjerë nga partitë shqiptare. Dinosha thotë se ai nuk beson se me miratimin e ligjit zgjedhor shqiptarët janë mashtruar por ka mungesë komunikimi që mund të zgjidhë situatën pasi edhe pse është e disfavorshme mund të gjindet kompromisi që do i kënaq edhe shqiptaret.
“Deputeti i UDSH-së nuk kishte mandatin e Këshillit qendror të partisë për tu larguar nga seanca e Kuvendit, por duhej të kishte qëndruar në sallë dhe të votonte kundër ligjit zgjedhor. Deputeti i UDSH-së nuk ka guxuar të hyjë në valle me partitë e tjera shqiptare, posaçarisht kur ai nuk nuk e udhëheq vallen pasi atë valle e udhëheq dikush tjetër”, tha Dinosha për portalin Analitika. /Ulqini-Online/