Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në aksin Sukruq – Vrane – Lekaj – Dushiq

Punime me plan apo sipas “dëshirës”?
Vazhdimi i punimeve në rrjetin e ujësjellësit në pjesën jugore të Malësisë, gjegjësisht në fshatrat Sukruq, Vrane, Lekaj dhe Dushiq, që nisën para disa ditëve është një lajm i mirë, edhe pse kjo duhet të kishte ndodhur dekada më parë, pasi jemi në shekullin 21, kurse pjesa më e madhe e Malësisë ende vuan për ujë të pijshëm.
Sidoqoftë, le ta kalojmë këtë…

Çdo punim e ka plan-projektin e vet që punimet të kryhen me efikasitet, kualitet e që ato punime të kryhen në mënyrë që sa më pak të dëmtojnë në sfera tjera dhe të kryhen në afat të caktuar, plan të cilin e përpilojnë njerëzit kompetent në ato fusha.
Se këtu kemi një plan ashtu si duhet të ishte, ashtu si punohet në shtetet funksionale, në këtë rast është vërtet e dyshimtë.
Së pari nisen punimet e hapjes së kanalit në rrugën Vrane-Sukruq, rrugë e cila është vërtet shumë e ngushtë, ku me vështirësi ndërrohen automjetet në dy drejtime. Me nismën e punimeve qarkullimi i automjeteve pothuaj u bë krejtësisht i pamundur edhe në një drejtim të vetëm.
Që situata të bëhet edhe më e keqe, disa ditë më vonë, punimet nisën edhe në rrugën Vrane-Lekaj-Dushiq.
Këto janë dy rrugët kryesore të cilat lidhin këto fshatra me Tuzin dhe pjesët tjera të Malësisë. Prandaj është e palogjikshme dhe pakuptueshme që pse së pakut nuk u punua në njërin aks rrugor deri në përfundimin e punimeve dhe pastaj të nisin punimet në aksin tjetër, e që banorëve të këtyre fshatrave mos të ua vështirësojnë qarkullimin në këtë masë, të cilët janë të detyruar të përdorin rrugica të paasfaltuara. Përpos kësaj, sipas informatave jozyrtare në fshatin Lekaj, me fillimin e hapjes së kanalit, punëtorët që po bëjnë punimet kanë dëmtuar linjën telefonike ku disa familje kanë mbetur pa lidhje telefoni dhe interneti.

Kompetencë e Tuzit apo e Podgoricës!?
Udhëheqësia e Komunës urbane e Tuzit po lavdërohet me projektet dhe punimet, megjithëse nga informacionet që posedoj (mund të jam gabim), këto as nuk janë në kompetencat e tyre por janë kompetenca të Podgoricës, e udhëhequr nga partnerët e tyre nga e njëjta parti.
Lind pyetja pse, ky dhe disa tjera projekte nuk nisën gjatë kohës kur Komunën urbane të Tuzit e udhëheqin partitë të cilat tani janë në opozitë!? Cilat janë arsyet dhe qëllimet? /R. Ivezaj/

KOMENTOJE