Cungu kryetar i komunës së Ulqinit, Mustafa kryetar i kuvendit

Kuvendi i Komunës së Ulqinit me shumicë votash zgjodhi për kryetar të komunës z. Nazif Cungu, nga radhët e Forcës së Re Demokratike – Forca.
Para fillimit të mbledhjes kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit Luigj Shkrelja dha dorëheqje të parevokueshme, duke përmbushur premtimin se nuk do të shkarkohet.
Më pas mbledhja vazhdoi me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Komunës. Me 21 vota pro, për kryetar Kuvendit të Komunës së Ulqinit u zgjodh Milazim Mustafa nga radhët e pjesës së shkëputur të UDSH-së. Para votimit për kryetar të Kuvendit të Komunës, këshilltarët e DPS-it dhe UDSH-së, si dhe këshilltari i PPD-së Ali Rexha lëshuan përkohësisht, seancën për tu kthyer përsëri pas votimit.
Në fund, kuvendi emëroi z. Nazif Cungu, me 21 pro, 8 të përmbajtura dhe 4 kundër, kryetar të komunës së Ulqinit. Kryetari i deriatëhershëm, Gëzim Hajdinaga nga UDSH-ja nuk mori pjesë në seancë.

Shumicën e re në Kuvëndin e Ulqinit e përbëjnë Forca (11 këshilltarë), Partia Socialdemokrate (2 këshilltarë), Perspektiva (1 këshilltarë) dhe 4 këshilltarët e shkëputur nga UDSH-ja, dega e Anës së Malit. /Promul/ /Malesia.Org/

KOMENTOJE