Në Malësi formohet “Forumi Demokratik për Integrim”

Më datën 24. shtator. 2011 në Malësi është themeluar një organizatë qytetare me emrin “Forumi Demokratik për Integrim”.
Forumi u themelua nga pakënaqësia e qytetarëve të Malësisë për shkak të statusit të tyre të papranueshëm politik, ekonomik dhe social, si dhe dështimit absolut të partive shqiptare në Malësi. Forumi Demokratik për Integrim – FDI; ka si qëllim promovimin e tolerancës, dialogut dhe bashkëpunimit midis të të gjithë aktorëve të ndryshëm të shoqërisë. Shoqata e sapo krijuar, është rezultat i një angazhimi shumë vjeçar i qytetarëve, inetektualëve vendorë dhe të diasporës në mënyrë që të përmirësohet situata politike dhe ekonomike e qytetarëve të Malësisë dhe më gjërë. Këto shqetësime na shtynë të bëheshim së bashku si qytetarë të pakicës shqiptare për të dhënë një shembull të gjallë bashkëpunimi në skenën shoqërore të shqiptarëve në Mal të Zi në sferën e interesit politik, ekonomik dhe social.
Në Mal të Zi politika ka gjeneruar shumë konflikt dhe polarizim për shkak se ajo nuk vjen si politikë e lindur prej vlerave dhe parimeve, por motivohet nga interesat meskine, individuale dhe të ditës.
Qytetarët e Malësisë janë të pakënaqur me situatën e përgjithshme në Mal të Zi e në veçanti me pozicionin e tyre, pasi që Malësia nuk ka vetëqeverisje lokale e cila garantohet si nga ligjet e brendshme ashtu edhe nga ligjet ndërkombëtare, pastaj mungesa e planit urbanistik, të ardhurat vendore të cilat gjithmonë shkojnë në Komunën e Kryeqytetit Podgoricë për të mos u kthyer më kurrë në Malësi, papunësia është disa herë më e lartë se në nivel të Kryeqytetit, infrastruktura e dobët etj. Gjithashtu, paaftësia dhe mungesa e profesionalizmit në qeverisjen aktuale të ashtuquajtur “Komuna Urbane e Tuzit”, është edhe një indikator që tregon se nevoitet ndryshim në këtë fushë.
E rëndësishme është se Ne synojmë që më së pari të krijojmë një komunitet moral para se të kemi një komunitet politik, biznesi apo kulturor. Ne nuk kërkojmë vetëm metodat dhe strategji të mira, por mbi të gjitha Ne kërkojmë dhe inkurajojmë njerëz më të mirë, liderë më të mirë. Ne mendojmë që integriteti personal i një drejtuesi është thelbësor për mirë – funksionimin dhe mbarë – vajtjen e procesit që sjell ndryshim brenda ambientit politik dhe social.
Ne besojmë në suksesin tonë dhe në integrimet euro – atlantike të Malësisë dhe të të gjithë Malit të Zi.

Kryetari i Forumit Demokratik për Integrim
Anton Lulgjuraj

KOMENTOJE