Shqiptarët në Mal të Zi, popull i rrezikuar!

Nga pjesa e popullit shqiptar që mbet jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës dhe që sot gjinden brenda kufijve të shteteve te ish-Jugosllavisë, (Serbi,IRJM, dhe Mali i Zi), duket se shqiptarët në Mal të Zi janë më të rrezikuar. Derisa shqiptarët në Maqedoni janë fuqi demografike dhe ekonomike,e që shpesh herë do të thotë edhe fuqi politike dhe ky faktor i pozicionon ata më mirë në arritjen dhe realizimin e statusit të popullit shtetformues. Kurse shqiptarët në Luginën e Preshevës (Kosova Lindore), përkundër faktit që edhe ata janë të diskriminuar dhe gjithashtu të rrezikuar, kanë një qëllim,dhe një strategji të perbashkët e cila është –bashkimi me Kosovën.

Shqiptarët në Mal të Zi,numerikisht më të vogël , gjeografikisht të shpërndarë dhe politikisht të ndarë, sot janë në pozitë të disfavorshme.Kur them politikisht të ndarë, mendoj në faktin se edhe përkundër ekzistencës të disa platformave politike të disa partive nacionale shqiptare, megjithate ,ende sot mungon një platformë e përbashkët politike e cila do të kishte nënshkrimin e të gjithë përfaqësuesve dhe subjekteve politike të shqiptarëve në Mal të Zi.Me fjalë të tjera,shqiptarët në Mal të Zi ende nuk kanë një “road map” të tyre.

Shtetet amë heshtin në emër të “mosprishjes së fqinjësisë së mirë”

Njëkohësisht,kam frikë që shqiptarët në Mal të Zi kanë ra viktimë e politikës gjeopolitike dhe strategjike në rajon ,çka do të thotë se derisa strukturat udhëheqëse të BE nuk kanë interes për zgjidhjen e statusit të tyre,atëherë as shteti amë Shqipëria gjithashtu nuk tregon një interesim të tillë duke pasur parasysh koordinimin e veprimeve të Shqipërisë me vijën politike të BE,meqenëse Shqipëria pretendon që së shpejti të jenë anëtare e kësaj organizate prestigjioze. Është plotësisht e kuptueshme që Shqipëria është në të njëjtin drejtim me BE, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të reagojë dhe të ngrisë zërin ndaj padrejtësive që u bëhen bashkombasve dhe diasporës së vet,në rastin konkret ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. Është e drejtë e çdo shteti, pra edhe e Shqipërisë që të interesohet për të drejtat e pjesës së popullit të vet që jeton jashtë kufijve shtetëror dhe kur është nevoja të mbrohen këto të drejta me dialog dhe mjete diplomatike aq më tëpër kur kjo e drejtë është përcaktuar edhe me kushtetutën e Shqipërisë.

Pra, kur janë në pyetje të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi,si duket shteti amë –Shqipëria po hesht,në emër të “mosprishjes së fqinjësisë së mire” me Malin e Zi,me preteks se një gjë e tillë mund të “trazojë “rajonin dhe “hidhrojë “BE!? Por fqiu mund të jetë i mirë vetëm atëherë kur i trajton të gjithë qytetarët e vet në mënyrë të barabartë ,pa dallim nga përkatësia e tyre nacionale. Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Mal të Zi,(sidomos të partive politike në opozitë), me rastin e takimeve të tyre me zyrtarët shtetërorë të Shqipërisë, i kanë shtruar dhe paraqitur disa herë problemet e shqiptarëve në Mal të Zi dhe nevojën e avancimit të drejtave të tyre në këtë shtet, mirpo deri më sot,nuk kemi informata që kërkesat e shqiptarëve në Mal të Zi të jenë komunikuar zyrtarëve të Malit të Zi, nga ana e udhëheqëve qeveritar dhe shtetror të shtetit amë-Shqipërisë.

Gjithashtu, kjo vlen edhe per shtetin tjëtër tonë amë,Kosovën i cili vëtë është shtet i ri dhe çështje prioritare e qeverisë së saj është rritja e njohjeve ndërkombëtare,mirëpo do të ishte e udhës që në takimet e shpeshta diplomatike të përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, me homologët e vet në Mal të Zi,të ngritet ndonjëherë edhe çështja e avancimit të drejtave të shqiptarëve në këtë republikë.Tek e fundit, Kosova dhe përfaqësuesit e saj,nuk do të bënin asgjë më tepër se sa po bën Mali i Zi për pakicën e vet në Kosovë.

Shqiptarët në Mal të Zi,tashmë e kanë dëshmuar se i përkasin mjë populli që është paqësor dhe që dëshiron t’i realizoje të drejtat e veta përmes paqës,dialogut dhe mirëkuptimit. Mirëpo, nëse nuk ndryshon pozitivisht statusi i tyre në shtetin e Mali të Zi,në të ardhmen jo të largët, do të vihet në pyetje identiteti dhe autoktonia e tyre në trevat e veta stërgjyshore.

Xheladin Zeneli
(Artikulli është shkruar në vitin 2010 dhe është pjesë e librit të sapo botuar “DIASPORA DHE VENDLINDJA”- Artikuj, intervisa dhe dëshmi për çështjen shqiptare në Mal të Zi, e të njëjtit autor)

KOMENTOJE