Preç Luku Curanaj, nxitës i fuqishëm i faljes së gjakut

Veprimi human i Preç Lukut me rastin e faljes së gjakut të djalit të tij Lushit, 14 vjeç, nxënës i klasës së shtatë të Shkollës Fillore “ Xhafer Nikoçeviq” në Guci, i cili u vra padashje nga Idriz Omer Metjahajt, më 27 korrik të vitit 1967, ka mbetur një nga ngjarjet madhështore të shqiptarëve në Malin e Zi; ajo ishte gjithashtu thirrje e fuqishme për familje të tjera shqiptare, që të shtrijnë dorën e pajtimit, të zhdukin hakmarrjen, armiqësinë, urrejtjen dhe këto t’i kthejnë në miqësi, në dashuri, në afrim me njëri-tjetrin, për fëmijët e fëmijëve tanë e të breznive që vijnë.

Gjekë Gjonaj, Ulqin

Njerëzit lindin, rriten dhe vdesin, kurse ata që gjatë jetës së tyre me veprimtarinë e vet kanë lënë gjurmë të pashlyera për kombin të cilit i takojnë nuk do të harrohen kurrë. Në mesin e shumë burrave shqiptarë të cilët do të kujtohen përgjithmonë nga bashkëkombasit tanë të të gjitha brezave kudo që jetojnë e veprojnë radhitet edhe Preç Luku Curanaj, i cili pak muaj më par vdiq dhe u varros me respekt të madh në moshë të thyer në Nju- Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U lind më 17 nëntor 1918 në Vishnjevë të Gucisë, në një familje fshatare me tradita patriotike e atdhetare, familje e bekuar dhe e respektuar e Malësisë. U edukua që në fëmijëri me besimin në Zot dhe përkushtimin ndaj atdheut.

Ai tek shqiptarët veçmas bëri emër me shembullin e tij fisnik të faljes së gjakut, plagë tepër e rëndë e cila me shekuj e ka munduar shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe e cila për fatin tone të mjerë vazhdon të jetë e pranishme edhe sot në disa vendbanime shqiptare. I nxiitur pikërisht nga ky gjest human e njerëzor i këtij njeriu të të paqes vendosa të shkruaj këtë shkrim përkujtimor, jo për t’i thurur atij lavdi, sepse as ai nuk e deshti një gjë të tillë, por me qëllimin e vetëm për ta kujtuar dhe falënderuar këtë trieshjan, për këtë vepër madhore, i cili me shembullin e vet ua la fëmijëve tanë rrugën e shtruar me dashuri njerëzore, e jo të mbytur me gjakun e vëllezërve e të prindërve sipas porosisë së mesjetës.

Tragjedia

Dyzet e katër vjet më parë, familjes së Preç Lukut i ndodhi një tragjedi. Djali i kësaj familjeje fisnike, Lushi, 14 vjeç, nxënës i klasës së shtatë të Shkollës Fillore “ Xhafer Nikoçeviq” në Guci, u vra padashje Idriz Omer Metjahajt, më 27 korrik të vitit 1967, në bjeshkën Podkobillë të fshatit Vishnjevë. Kjo vdekje e papritur, e parakohshme, e dhimbshme dhe e rëndë do të mbahet mend për dy arsye. E para, për faktin e hidhur se një filiz i ri, në lulen e rinisë, u shkëput përgjithmonë nga zemra e prindërve të tij, Preçit dhe Marës, familjarëve dhe farefisit. E dyta, për veprën humane, burrërrore të Preç Lukut, i cili në çastin më të vështirë të jetës së tij, kur ishte 54 vjeç, dëshmoi burrninë e forcën e zemrës së tij dhe shpirtin bujar:në ditën e varrimit të djalit të vet, Preç Luku, në prani të rreth 3000 malësorëve të këtyre krahinave, ndërmori një veprim që mund ta bëjnë vetëm njerëzit trima dhe burrat e fortë siç i ka pasur Malësia, i ftoi në varrim prindërit, dorasin dhe farefisin e vrasësit të djalit, të cilët, me sy të përlotur e dhimbje në zemër, e mbuluan së bashku në dhe të zi trupin e pajetë të këtij djaloshi të ri.

Falja

Preç Luku, pasi e puthi në ballë për herë të fundit djalin e vet të vdekur dhe u nda përgjithmonë prej tij, gjeti fuqinë e fitores së njerëzores e humanes mbi dhimbjen dhe iu drejtua me zë të lartë njerëzve të pranishëm: “ I dashtun biri ëm. Të çuem në shkollë me mësua, me fitua dijeni e kulturë, me u ba i dobishëm për ne e shoqnin tanë. Por sot, prindët të mbuluen me dhe të zi. Baba yt nuk din me çka tjetër me t’u xhborçue vetëm me këto fjalë: Biro, falë të kjoftë gjyku yt!

– “ Të lumtë goja, o Preç Luku! “Nanat i bajnë burrat, burrat i bajnë veprat. Vepra jote sot asht vepër e burrënisë dhe e trimënisë. Trimëni asht të shtrish dorën e pajtimit, o burrë i dheut!…”, thanë me gjithë zemër burrat e përlotur në ceremoninë e varrimit.

Ky veprim human i Preç Lukut në këtë ditë mortore, të organizuar sipas traditave dhe zakoneve shqiptare të malësisë, ka mbetur një nga ngjarjet madhështore të shqiptarëve në Malin e Zi; ajo ishte gjithashtu thirrje e fuqishme për familje të tjera shqiptare, që të shtrijnë dorën e pajtimit, të zhdukin hakmarrjen, armiqësinë, urrejtjen dhe këto t’i kthejnë në miqësi, në dashuri, në afrim me njëri-tjetrin, për fëmijët e fëmijëve tanë e të breznive që vijnë. Në këtë mënyrë Preç Luku rreshtohet në mesin e malësorëve me zemër të madhe që falën gjakun e djalit ose të vëllait në ato kohëra kur në malet tona zbatohej Kanuni i Lekë Dukagjinit si , Tomë Zoli Ivezaj, Gjokë Kolë Zefi Ivezaj, Smail Dedi Dukaj, Tomë Kolë Peri, Mal Kaculi Cacaj, Tomë Kola, Gjokë Marsah Smaku, Dodë Lulashi Gjeloshaj, Gjon Lulash Gilaj, Mark e Dodë Koleci Junçaj e ndonjë tjetër.

Jehona

Jehona e këtij akti historik që e realizoi Preç Luku mori dhenë. U përhapë në të gjitha trojet shqiptare. U përkrah nga të gjithë shqiptarët, sepse ai, ndër të tjera, na bëri që ta ndiejmë veten qytetarë të barabartë në jetë e në vetëpërcaktim sikur popujt e tjerë të qytetëruar të globit.

Ky akt burrëror i parapriu Besëlidhjes së Malësisë së Madhe, e cila u arritë më 28 qershor të vitit 1970. Atë ditë histroike përfaqësuesit e të gjitha fiseve e bajraqeve të Malësisë në Tuz lidhën besën. I thanë jo përgjithmonë gjakmarrjes. U betuan në tokën dhe gjuhën amtare, në Flamurin tonë kombëtar, lidhën Besën Shqiptare, që kurrën e kurrës më, të mos ketë vrasje, as hakmarrje, dhe se për vëllavrasje, vrasje ose për një vepër tjetër që ka të bëjë me hakmarrjen, të ndiqet vetëm fajtori ( dorasi).

Atdhedashuria

Ky burr i ndershëm e bujar i cili me faljen e gjakut të djalit tregoi bujarinë dhe shpirtmadhësinë e vet shquhet edhe për atdhedashuri, të trashëguar nga babai i tij Lukë Toma, i rritur në frymën e zakoneve dhe të traditës së mrekullueshme të malësorëve, i njohur për veprimtari kombëtare, luftëtar i guximshëm për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi, kundërshtar i flaktë i komunizmit, nacionalist i kulluar, ushtar besnik i Prekë Calit në luftën e Këlemdit për të mbrojtur Malësinë e Madhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Vepra dhe personaliteti i Luk Tomës dhe malësorëve të tjerë do të mbeten frymëzim atdhedashurie për djalin e tij Preçin, sepse ata vdiqën bashkë p dhe u bënë shembull i trimërisë dhe dashurisë për atdheun.

Në një takim vëllazëror me Preçin në shtëpinë e tij familjare në Nju- Jork para dy vitesh, duke e pyetur për kontributin e Curanajve dhe malësorëve të tjerë në luftën e Këlemndit më dha këtë dëshmi:

“ Ishte ditë e ftohtë janari e vitit 1945 me borë e ngrica. Oh, lufta si lufta, plagët ishin të rënda, humbjet të dhimbshme. Malësorët kryengritës të shpërndarë në Tamarë, Brojë, Nikç, Vukël e fshatra të tjera luftonin kundër uzurpimit komunist. Bashkë me kryengritësit malësorë në luftën e Kelmendit luftuan edhe Luk Toma, me dy djelm, Prëçin dhe Noun, me kushririn Kolecë Ucin,
vëllaun e tij Lucë Ucin, nipin Nikollë Palin Curanaj dhe Gjeto Gjokën Curanaj ( kryeplak i Vishnjevës) Curanaj, pjesëmarrës në mbledhjen e Tiranës me nacionalistët e tjerë kelmendas.

Unë isha nishanxhi në minahedhës, të cilin profesion e kisha ushtruar edhe në kohën e shërbimit ushtarak. Në këtë luftë të përgjakshme Koleci plagoset rëndë në gjoks nga forcat e tërbuara partizane shqiptare dhe menjëherë e dërgojnë të ngrirë në shtëpinë e Ujk Mark Bikut, ku ishin edhe paria. Të kota ishin përpjekjet e tyre për t’ia shpëtuar jetën dhe ai ndërroi jetë mëngjesin e 17 janarit të vitit 1945. Të nesërmën e marrin kushërinjtë dhe vullnetarët e Prekë Calit dhe e çojnë në Vukël te kisha. Aty e ruajnë një natë në shtëpi të Prëtash Bicit dhe pastaj e varrosin në varrezat e Vuklit. As babi im Luku nuk mund i shpëtoi plumbave të bishave të egra komuniste. Luku plagoset në këmbë të njëjtën ditë kur edhe Koleci. Babën e kam bajtë vetë i treti deri në shtëpinë e mikut të kresë Llesh Tomës në Nikç, te motra e tij Pashkë Tomja, kurse më vonë strehohet në shtëpinë e Fran Zef Pëllumbit. Ai edhe pse i plagosur rëndë nuk u dorëzua por nga kjo kullë luftoi trimërisht me malësorët e tjerë deri në vdekje. Sepse ata nuk e njihnin “ artin” e dorëzimit e të rënies në gjunjë para askujt sado i armatosur të jetë. Forcat komuniste djegin kullën e malësorit të ndershëm Fran Zefit në Nikç. Bashkë me të hedhin në flakë edhe trupin e babait tim me shokë të tjerë. Eshtrat e tij i kanë vorros kushërinjt e grues sime në varrezat e tyre në Nikç, ku kanë qëndruar deri në vitin 1990, prej nga i kemi sjellë në vendlindjen e tij në fshatin Vishnjevë, të Gucisë. Bashkë me Luk Tomën plagoset edhe Dedë Gjon Bajraktari, nga Vukli kurse bashkë me Kolec Ucin vriten edhe Zhukë Toma nga Broja e Lucë Gjon Uci nga Vukli”.

Nderimi

Babai i Preçit – Luk Toma u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dr. Sali Berisha, më 28 dhjetor 1995, me dekret nr. 1340 me medaljen Martir i Demokracisë ku thuhet : Luftëtar i vendosur kundër komunizmit për një Shqipëri të lirë e demokratike, masakruar mizorisht nga regjimi komunist. Ky urdhër i artë nga Presidenti i Shqipërisë u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj, që janë martirizuar për veprimtarinë e tyre të shquar për lirinë, demokracinë dhe përparimin shoqëror të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Përfundim

Këtë shkrim përkujtimor po e mbylli me një mendim shqiptar: Nënat i bëjnë burrat, burrat i bëjnë veprat. Mendoj se vepra e Preç Lukut është vepër e burrërisë dhe e trimërisë.

KOMENTOJE