Udhëheqësia dhe opozita në KU Tuz, miratuan deklaratë të përbashkët për të drejtën e mbrojtjes së pronësisë së tokës

Tuz, Malësi – Të ënjtën (20 Tetor) në Kuvendin e KU Tuz u miratua deklarata e përbashkët e këshilltarëve të udhëheqësisë dhe opozitës, për të drejtën e mbrojtjes së pronësisë së tokës të qytetarëve në territorin e Malësisë, shkruan e përditshmja DAN.
Në deklaratë theksohet se pronat të cilat ende nuk janë kthyer pronarëve të ligjshëm, individëve apo vëllazërive, duhet që urgjentisht të ju kthehen.

Iniciuesi i kësaj deklaratë, këshilltari i LDnëMZ Nikollë Camaj tha se përmes kësaj deklaratë kërkojmë nga organet shtetërore që të ndërmarrin hapat adekuat dhe të kthejnë pronësinë e tokës tek pronarët e vërtetë, individëve apo vëllazërive. Si shembull Camaj mori Cedomir Popovic-in i cili tokën në Vuksanlekaj e bleu duke blerë aksionet e ndërmarrjes “Kooperimi”, ndërmarrje që ka shfrytëzuar këtë tokë, por e cila nuk ka qenë pronë e tyre por e vëllazërisë Camaj. Kjo tokë duhet të i kthehet vëllazërisë Camaj kurse Popovic duhet të fitoj dëmshpërblim nga shteti.

Këshilltari i Iniciativës Qytetare, Smajl Çunmulaj tha se kjo Deklaratë është detyre që kemi ndaj qytetarëve të Malësisë.

Këshilltari i DPS-it Omer Axhoviq tha se e përkrahë këtë deklaratë duke theksuar se partia e tij ende nuk e ka studiuar mirë deklaratën. Ai poashtu shton se edhe ai është një ndër qytetarët të cilit i është marrë toka nga ana e shtetit.

Kritika ndaj planit financiar

Opozita ka kritikuar informacionin mbi planin financiar të zbatuar nga 1 Janar deri me 30 Qershor, për arsye se vetëm 31% e buxhetit të planifikuar është investuar në Malësi.
Kryetari i KU Tuz Nikollë Gegaj tha se arsyeja rrinë se plani financiar është aprovuar 3 muaj me vonesë, me 24 mars, dhe për aq kohë nuk ishte e mundur të investohej më shumë.
Nuk duhet nënvlerësuar fondin e investuar prej më shumë se 341.000 euro duke pasur para sysh masat kufizuese në krejt shtetin, tha Gegaj.

Këshilltari i Listës për Tuz, Muhamed Gjokaj tha se administrata e tashme është më e keqe se ajo e mëparshmja sepse nuk pyetet për asgjë, sidomos për projektet që bëhen në Malësi.
Gjokaj shtoi se duke pranuar këtë, ne i kemi duart e lidhura. Ky është dokument i përgatitur në Podgoricë i cili i servohet Gegajt vetëm për ta lexuar. Mendova se mund të bëni më shumë, punësime të reja, hapje të bizneseve, vënde të reja pune. Po e bëni Malësinë vënd pa ambicie dhe po mbyllni dyert për të rinjtë tonë dhe të ardhmen tonë, shtoi Gjokaj.

Smajl Çunmulaj vlerësoj se në Malësi nuk janë as 30% e investimeve të realizuara. Duke analizuar raportin mund të them se është shumë i komplikuar dhe se nuk është e qartë se nga vijnë fondet dhe se ku ato shpenzohen, shtoi Çunmulaj. Ai tha se në kohën kur ishte Kryetarë i KU Tuz nuk arriti të bënte shumë, pasi nuk i puthte duart të tjerëve.

Këshilltari i SNP-së Kolë Lulgjuraj tha se është e vonuar të flasim në Tetor për projektet të cilat janë përfunduar deri në fund të Qershorit dhe se asnjë projekt nuk është përfunduar gjatë 6 muajve të parë.
Udhëheqësia e mëparshme kishte akuzuar Podgoricën për jo-realizimin e investimeve në Malësi. Pyetja është se kush ju pengon juve tani, tha Lulgjuraj.

Edhe këshilltarit të UDSH-së Enis Lulanaj i pengon pse në informacionin mbi planin financiar nuk janë të listuara në mënyrë specifike ku dhe sa para shpenzohen. Dua të di se në cilën rrugë është shpenzuar shuma e caktuar. Gjithashtu, e njëjta vlen edhe për ndriçimin, dua të di se ku është punuar ndriçimi, tha Lulanaj. /Malesia.Org/

KOMENTOJE