Një mendim, pak më ndryshe, për komisionin e ABETARES – Rrahman Jasharaj

Nga lajmet më të gëzuara për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, por edhe në trojet tjera etnike, është ai për angazhimet e mëdha që po bëjnë të dy ministritë e arsimit për përgatitjen e një ABETARJE të përbashkët apo unike. Për këtë Abetare është folur shumë mes mësuesish, veprimtarësh e intelektualësh andej e këndej Shqipërisë. Me plot gaz e dëshirë për të është folur edhe në trojet etnike. Nëse diku ka munguar shume e po mungon ky libër i shenjtë, atëherë ka munguar në trojet shqiptare në Maqedoni, Kosovë Lindore e Malësi të Madhe.
Angazhimi i publikuar në shumë media i Ministrive të Arsimit të Shqipërisë e Kosovës në shërbim të Abetares së përbashkët u urua e u duartrokit nga gjithë shqiptarët dhe u konsiderua si punë e mbarë dhe e përbashkët, por deklarimi i zv/ministrit të MASHT-it, z. Nehatit, se në komisione do të jenë të përfshirë vetëm ekspertë nga Kosova e Shqipëria, nuk është më i pëlqyeri mes intelektualëve shqiptarë në trojet etnike. Zv/ministri i MASHT-it e arsyetoi këtë mungesë me faktin se nuk duan t’i vënë në pozitë të keqe intelektualët shqiptarë nga Maqedonia, Kosova Lindore a Malësia e Madhe dhe se kur të sheh dritë kjo Abetarja jonë e përbashkët në të do të kenë hise edhe shqiptarët në këto troje dhe se ,kuptohet, z. Nehati ka menduar nga zemra këtu, por intelektualët nga trojet etnike kanë dëshirë të jenë të përfshirë në këtë komision. Kjo ngase edhe në të kaluarën dhe në rrethana ende edhe më të vështira, shqiptarët në ngjarje të mëdha për kombin dhe gjuhën ishin bashkë e në një vend dhe pleqëruan dhe sollën vendime të përbashkëta. Kështu ishte edhe në nëntorin e vitit 1972 në Tiranë, por kështu ishte edhe në kohët më të shkuara. Edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit shqiptarët nga të gjithë trojet etnike ishin bashkë e në të njëjtin vend dhe pleqëruan e sollën vendime të mëdha për tërë kombin.
Shoqata jonë, që është zë i Malësisë e për Malësinë këtu në Kosovë dhe kudo shkon në trojet etnike ka, pra, një mendim pak më ndryshe për ABETAREN. Ne mendojmë se në komisionin e përbashkët do ftuar edhe nga një intelektualë prej trojeve etnike që t’u mundësohet edhe atyre të japin kontributin e tyre për librin më të bukur shqip. Nëse pushtet në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi nuk do t’i lejonin të merrnin pjesë apo do t’i sanksiononin për pjesëmarrje, atëherë Evropa dhe bota do ta kuptonin se cilat janë dhe çfarë janë këto pushtete. Në shekullin 21 këto shtete, që po tentojnë të bëhen pjesë e Evropës së bashkuar nuk kanë pse i frikësohen Abetares kur ajo do të shkojë edhe mes shqiptarëve atje. Urojmë të botohet ky mendim yni në mediat shqiptare. Urojmë që përfaqësuesit e të dy Ministrive të mos e keqkuptojnë këtë mendim tonin. Ne vetëm po shprehemi hapur dhe vëllazërisht.

Rrahman Jasharaj, koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”

KOMENTOJE