Meshari i Gjon Buzukut vjen në Shqipëri

Selia e Vatikanit ka pranuar së fundi kërkesën e qeverisë shqiptare për të sjellë në Shqipëri kopjen origjinale të librit të parë shqip, Mesharin e Gjon Buzukut me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Lajmi konfirmohet nga Kardinali Gianfranco Ravasi, ministër i Kulturës dhe Arteve në Vatikan, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë pune tre ditore, ku dhe është takuar me ministrin shqiptar të Kulturës Aldo Bumci.
“Besoj që kjo do të jetë e mundur, ndërkohë që proceduara i është caktuar tashmë bibliotekës Apostolike të Vatikanit, po ashtu do të mbështetet edhe nga ne. Do të jem i lumtur që do të mbështes një iniciativë të tillë, megjithëse në këtë mes ekzstojnë protokolle të vecanta që kanë të bëjnë me nxjerrjen jashtë të objekteve dhe materialeve të rëndësisë së vecantë”- tha Ravasi.
Libri që nga viti 1555 kohë kur është shkruar ka kaluar dorë më dorë në shumë biblioteka në Itali dhe që prej 1909 Meshari është rizbuluar nga prifterinj shqiptar në biblotekën Apostolike të Vatikanit.
Ndërsa ka dhënë garancitë e tij për veprën e rrallë dhe me vlerë për mbarë kombin shqiptar, kardinali Gianfranco Ravasi gjatë takimit me ministrin e Kulturës Aldo Bumci ka prezantuar një tjetër projekt të Vatikanit, ku synohet krijimi i një diskutimi dhe debati rinor me temë “Në cfarë beson ai që nuk beson”, ku do të përfshihen studentë të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Zonja e Këshillit të Mirë. /balkanweb/

KOMENTOJE