U promovua filmi dokumentar “Në murin e Dhimbjes” i autorit Gjokë Dukaj

Të dielën më 6 nëntor në Shtëpinë e Kulturës “Besa’’ në Triesh u promovua filmi dokumentar “Në murin e dhimbjes’’, i autorit, gazetarit Gjokë Dukaj, në përkujtim të Kolë Mark Nikollaj, pushkatuar në vitin 1950. Kjo ngjarje e asaj kohe është e njohur në këto hapësira pasi që për nga rrjedha e saj e dhimbshme, është e veçantë dhe e cila është përshkruar me detajet e saj më tragjike në materialin e lartpërmendur dokumentar. Rrjedha dhe dëshmia e familjarëve dhe e bashkëkohësve të tij të publikuara përmes këtij materiali u përcollën me interesim të madh dhe me emocionet më të thella nga qytetarët e shumtë nga Trieshi, Malësia dhe më gjerë e që ishin të pranishëm në këtë promovim. Lidhur me këtë ngjarje foli gazetari dhe publicisti Fran Camaj, i cili përshkroi detaje të shumta të kësaj ngjarjeje aq tragjike dhe historikun e dhimbshëm të saj. Ishte kjo edhe një dëshmi më tepër që ky rast është aq i veçantë në këto hapësira. Më pas humanisti dhe intelektuali i spikatur, dr. Lukë Gjokaj duke vlerësuar lart realizimin e materialit dokumentar të titulluar “Në murin e dhimbjes’’ theksoi se ky është një kontribut i madh i autorit të tij që edhe në këtë mënyrë të dokumentohet kjo ngjarje rrënqethëse nga viti 1950 dhe të disa dekadave më vonë pasi që eshtrat e të pushkatuarit Kolë u varrosën në vitin 1974. Gjokaj foli në detaje për karakterin dhe virtytet njerëzore e kombëtare të kësaj viktime nga ajo periudhë e sistemit monist duke shtuar se përmes punimeve të këtilla, kjo dhe shumë ngjarje tjera nga e kaluara jonë do t’i shpëtojnë dhëmbit të harresës. Njëkohësishtë ai foli për qendrimin burrërorë të Kolë Nikollaj gjatë gjithë procesit gjyqësor në gjyqin ushtarak të asaj kohe në Podgoricë, e që u dëshmua edhe në dëshmitë e publikuara në këtë film dokumentar.

Vetë autori i këtij materiali, gazetari Gjokë Dukaj foli me mjaft emocione për realizimin e këtij dokumentari duke theksuar se, që në fëmijëri kishte dëgjuar për këtë ngjarje të dhimbshme e cila vazhdon të jetojë gjithnjë në kujtesën e njerëzve në këto hapësira. Ai njëkohësisht sqaroi se në mungesën e materialeve dhe të dhënave arkivore ka tentuar që përmes “fjalës së gjallë’’ nga më të afërmit e të të ndjerit Kolë, të grumbulloi të dhëna si dëshmi e gjallë e kësaj ngjarjeje. Ai poashtu pohoi se si njeri i medias, mban peshën e obligimit të veproi në ruajtjen dhe afirmimin e vlerave për të cilat njerëz të shumtë nga këto treva kanë sakrifikuar madje edhe jetën e vetë për idealet më të shenjta njerëzore dhe kombëtare.
Këngëtari i mirënjohur Nikollë Nikprelaj, poashtu në këtë promovim, interpretoi këngën kushtuar kësaj ngjarjeje. Ndërkaq në emër të familjes Nikollaj foli, Kolë Gjergj Nikollaj, i cili kishte ardhur nga Australia e largët për të organizuar promovimin e këtij materiali dokumentar. Përveç tij kishin ardhur edhe bashkëfamiljarë tjerë të shumtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe jeton pjesa më e madhe e kësaj familje. Autori i këtij filmi dokumentar Gjokë Dukaj edhe më parë ka realizuar disa projekte me përmbajtje dokumentare, siç janë: seriali “Dora e pajtimit’’ kushtuar lëvizjes së pajtimit të gjaqeve në trevat shqiptare në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë, pastaj “Veprat nuk vdesin’’, “Katër stinët e lumit Cem’’, “Përjetësia e Besës’’ dhe dokumentari i fundit “Në murin e dhimbjes’’. Poashtu është edhe bashkëautor i disa materialeve tjera me përmbajtje dokumentare të realizuara në mediume radiotelevizive në mesin e mërgimtarëve tanë në SHBA. Në fund të këtij përurimi u shtrua një sofër për të gjithë të pranishmit e përgatitur nga familja Nikollaj. Prezenca e madhe dhe interesimi i qytetarëve të shumtë nga këto treva në përurimin e këtij filmi dokumentar e dëshmoi më së miri domosdoshmërinë e realizimit të projekteve me përmbajtje dokumentare, aq të shumta me dukuri dhe ngjarje nga e kaluara jonë në këto treva.
/Albert Camaj/

FOTOGRAFITË KOMENTOJE