Rekuiem për Kol Mark Smailin – nga Lukë Gjokaj

Me rastin e 61 vjetorit të rënies së oficerit Kol Mark Smaili, në Triesh u organizua një Takim Përkujtimor dhe u bë promovimi i filmit dokumentar me titull “Në murin e Dhimbjes” të autorit Gjok Dukaj. Filmi i përkushtohet dhe paraqet qëndresën stoike e sjelljet burrërore të Kolë Mark Smajlit, dhe familjes së tij në tragjedinë e asaj kohe ku ishin katandisur. Ato ngjarje të tmerrshme të kohës si burgosje, pushkatime, vdekje e arratisje: ndodhnin njëra pas tjetrës, dhe çdo njëra ishte më e trishtueshme se tjetra. Durimi titanik i kësaj familje në ato vuajtje e dhimbje, gjithmonë është nderuar dhe admiruar me respekt të thellë nga populli i mbarë Malësisë, ngase ishin të bindur edhe atëherë, se kjo është pasojë e padrejtësisë politike dhe partiake.
Duke i parë e takua shumë herë disa nga këta persona dhe dëgjuar bisedat e tyre, si dhe duke parë nga afër vendet ku janë zhvilluar ngjarjet, publicisti dhe gazetari shumëvjeçar Gjok Dukaj vendosi ti regjistroi me kamerën e tij në këtë edicion të veçantë. Këto ndodhi të dhimbshme e mundimet të kësaj familjes, autori i prezanton me aq kujdes dhe me aq besnikëri, sa duket se edhe koha është kthye mbrapa dhe po i shohim me sytë tonë.
Ato ngjarjet të hidhura të kohës, sot kanë marrë rrugën e lavdisë së përjetshme dhe të krenarisë së vendit, kurse Kola, Marku, Stana e antarë tjerë, janë bërë protagonistë jo vetëm të këtij filmi dokumentar, por edhe të shumë veprave tjera artistike: të romanëve historik, veprave autobiografike, të këngëve dhe vargjeve kreshnike e tj.

Kola ishte djali i dytë i familjes së Mark Smajlit dhe lindi me 1922 në Triesh. U rritë në mesin familjar ku u edukua me dashuri për vendin, kulturën dhe kombin e vetë. Në moshën madhore ai, jo vetë se ishte i pashëm e sokol, por edhe aktiv në jetën politike dhe shoqërore. Si tillë dhe falë aftësisë që kishte për komunikim me shokë, Kola menjëherë pas luftës, u inkuadrua në rrjedhat politike dhe vendoset zëvendës komandant në policinë e Trieshit. Kjo ishte pozitë kyçe për jetën e popullatës vendore sepse aty merreshin vendimet për fatin e shumë kujt: -për të ndëshkuar fajtorët e dalë nga lufta, ata që nuk i bindeshin sistemit të ri komunist, aty organizohej ruajtja e kufirit dhe shumë funksione tjera me rëndësi jetike për vendin.
Pas rezolutës së Informbyrosë më vitin 1948 dhe çarjes mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, ky kufi u kthye në linjë luftimesh të përgjakshme dhe golgotë, ku përplasej sistemi komunist i Enverit me at të Titos. Kërkesat për kalimin ilegal të këtij kufiri ishin tepër të mëdha. Shumica e këtyre kalimtarëve që shkonin nga një drejtim në tjetrin dhe aso kohe quheshin “terenxhi”, ishin të shoqëruar nga malësorët të njohur, të ditur e shokë të oficer Kolës. Vrasja, kapja apo burgosja e tyre ishte turp e marre për të; ngase çmohej se ishin në dorë dhe në vend të tij. Nga ana tjetër, lejimi i kalimit apo shpërthimi i rrethimit ku shpëtoheshin me dhjetëra e dhjetëra jetë njerëzish, çmohej nga policia dhe gjyqi jugosllav si dezertim dhe sabotim. Kështu pozita e oficer Kolës ndërlikohej nga dita në ditë, gjithnjë e më tepër, deri sa arriti kulmin ku siç e interpreton në romanin e tij Fran Camaj – fliste me vete duke thënë: “Më mirë i vdekur e me nder, se gjallë e i koritur “ Ishin këto momentet ku traditat familjare dhe normat morale të Kolës ishin vu në sprovë.
Duket se faji i fundit i oficer Kolës që mbushi kupën e akuzave të tij, ishte ndërhyrja operative e nisisë së tij në një vend të quajtur Gryka e Muzheçkut, kah Nëntori i vitit 1949. Këso kohe një grup prej dhjetëra vetash, që mbante emrin “Emigrant-politik”, kalonte nga Shqipëria për në Jugosllavi. Sipas dëshmitarëve të kohës në mesin e tyre kishte miq e shokë të tij. Sipas pozitës dhe planit që ishte përpiluar më parë, ai duhej dhënë urdhër për likuidimin e këtij grupi. Por, atij as që i shkonte ndërmend të jap urdhër të tillë apo aq më pak, ai vetë të shtjerë në ta dhe ti vriste. Por,me një taktikë ushtarake të vetën të përsosur i nxjerri nga rrethimi të gjithë, veç njërit që u plagos rëndë, dhe të nesërmen lëviznin dhe ishin të lirë.
Ky ishte urdhërimi i fundit e oficer Kolës sepse dy muaj më vonë, me 7 Janar 1950 e burgosin. Së pari arrestojnë Kolën në shtëpinë e tij, pastaj shokun e ngushtë Ded Malin Gjurashaj, atëherë mikun e tij Zef Dokën Lucaj, pastaj Nikoll Bacin Arapaj dhe Bel Miculin Perkaj. Të gjithëve na mblodhën për një natë – dëshmon edhe sot Dedë Mali.

Pas sa muaj torturash dhe mundimesh në burgun ushtarak, me 13 Qershor 1950 Kolën me shokë i qesin në gjyq. Akuza lexohej në megafon (altoparlant) për ta dëgjuar i gjithë populli brenda dhe jashtë gjyqit. Faji i madh i Kolës ishte se kishte dezertuar, sabotuar dhe tradhtuar. Pra – nuk kishte dhanë urdhër me vra njerëz që kalonin kufirin duke bartë letra, afishe dhe informata partiake nga Shqipëria në Jugosllavi, – nuk i ndëshkonte dhe nuk i jepte urdhër me keqtrajtuar njerëzit që i arrestonin dhe i sjellin tek ai në postën e policisë dhe akuza tjera të ngjashme si këto.
Por, meqë këto nuk ishin edhe aq bindëse dhe nuk nxjerrin neveri tek populli, oficer Kolës i lexohet publikisht edhe një fajësi tjetër:- Se ka pas flirte dhe romancë me një grua nga vendi i tij që tragjikisht kishte pësuar shumë muaj më parë. Por, as kjo nuk la përshtypje në popull, bile për këtë aferë shokët e afërt të Kolës betohen edhe sot, se ai nuk ka pas lidhje me at person as sjellje të tilla kurrë. Mirëpo, për ta turpëruar dhe për të futur ngatërresa mes familjeve Organet e Sigurimit – UDB-a të asaj kohe e shpifin këtë aferë, por megjithatë kjo u pat dështuar.
Me këto faje gjyqi ushtarak e dënon Kolë Markun me vdekje. Gjatë procesit gjyqësor kur i mundësohej me fol ai mbrohej duke shpjeguar: – Unë jam shqiptar dhe sipas traditave tona nuk lejohet askush me tu vra në dorë dhe as në vendin tënd, sepse ajo do të ishte turpi më i madh dhe nuk mund të merret as me mend. Edhe këtu, ai tentonte më shumë me mbrojt shokët e tij duke marrë të gjitha fajet dhe përgjegjësitë mbi vete, veçanërisht kur u akuzua miku i tij Zefi. Për veten ishte i bindur se vendimi ishte i prerë.
Sot në çdo vend të Europës me ato akuza dhe at fajësi, ai do të lavdërohej dhe dekorohej, bile edhe post mortem, sepse ka shpëtuar me dhjetëra e dhjetëra jetë njerëzish, por aso kohe, jeta e njeriut nuk kishte shumë vlerë. Me 12 nëntor 1950 në mëngjes herët, e nxjerrin nga burgu “Jusovaça” dhe e çojnë në periferi të Podgoricës (Krye Draçit) ku e pushkatojnë dhe e qesin në një gropë. Pas ekzekutimit dhe gjuajtjes në atë vend, me trupin e Kolës të vdekur dhe nënës së tij Stanës, zhvillohet një dramë e cila në pamje të parë është më afër imagjinatës se realitetit dhe është aq e trishtueshme, sa kur e dëgjon i gjithë trupi të rrëqethet.
Stana të kujton Doruntinën e Kadaresë, sepse edhe kjo ecën me të vdekurin natën nëpër terr drejtë shtëpisë. Njëra është me djalë e tjetra me vëllain dhe të dyve u vjen era dhē se janë gritë nga varri.
Filmin “Në Murin e Dhimbjes” ku dokumentohen këto ngjarje, Gjok Dukaj e realizoi duke u bazuar në të dhëna autentike të kohës si: -procesverbali nga arshivat e gjyqit, – kallëzimet e vëllait të tij Gjiekut e familjarëve tjerë, – tregimet e bashkëkohësve të tij, – në veprën autobiografike të Nik Getit Arapaj, – fotografitë, – ep
itafet e të dhëna tjera. Autenticitetin e këtij dokumentari e rritë edhe më tepër fakti se autori ka lindë dhe është rritë në Triesh, ku ka pas rast me i vjel informatat nga dora e parë, si dhe vetë ai posedon një arkiv shumë të pasur me të dhënat për ngjarjet në këtë krahinë.

Filmi dokumentar “Në Murin e Dhimbjes” është edicion i ri dhe për herë të parë paraqitet sot këtu. Për realizimin e tij, autori u angazhua plotë 12 muaj punë intensive, vullnetarisht dhe pa asnjë kompensim, por vetëm për t’i dhënë në një mënyrë kontribut vendlindjes, duke mos lënë në harresë të kaluarën tonë tepër të hidhur.
Veç këtij filmi Gjoka është autor edhe i shumë edicioneve tjera:- Dora e Pajtimit, Veprat nuk Vdesin, -Katër Stinët e lumit Cem, -Përjetësia e Besës dhe i shumë co-produkcioneve tjera me TV – mediumet e Diasporës Shqiptare.

Triesh, e Diel, 6 Nëntor 2011

KOMENTOJE