Sistematizimi i vendeve të punës në Komunë urbane sjellë pasojat e para

Pushim nga puna për Dreshaj dhe Ujkaj

Në bazë të sistematizimit të ri të vendeve të punës në Komunën urbane të Tuzit pa punë mbesin Pal Dreshaj, këshilltar i pavarur për sport dhe parandalim të narkomanisë dhe Edmond Ujkaj, këshilltar për çështjet juridike. Vendet e tyre të punës shuhen. Përmes deklaratës së përbashkët, Pal Dreshaj dhe Edmond Ujkaj tregojnë se me rregulloren e re nuk janë paraparë vendet e punës të cilat i mbulojnë ata, por janë shuar dhe janë paraparë me kushte të ndryshuara që kanë të bëjnë me përgatitjen profesionale dhe llojin e shkallës së arritur akademike, ç’gjë në mënyrë evidente është bërë për të penguar angazhimin e tyre të mëtejmë në Administratën e Komunës urbane të Tuzit.
– Gjatë hartimit dhe sjelljes së dokumentit të përmendur nuk jemi konsultuar rreth mundësisë së ndryshimit të referateve tona aktuale, e aq më pak rreth mundësisë që vendet tona të punës të konsiderohen të panevojshme. Duke u bazuar në Nenin 40 dhe 41 të Ligjit mbi punën, ka ekzistuar mundësia e konsultimeve, para ndryshimit të kushteve të punës, me ne si të punësuar, si në rastin kur do të bëhej fjalë për ngritje në detyrë apo kryerje të punëve të rangut më të ultë, pra konsiderojmë se duhej të ishim njoftuar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave që na takojnë në bazë të marrëdhëniës së punës. Pas shpalljes së Rregullores së re mbi sistematizimin, me shkrim i jemi drejtuar eprorit të organit dhe personit udhëheqës, në bazë të cilës kemi fituar shkresën në të cilën nuk është dhënë përgjigje mjaft e qartë. Megjithatë, kryetari i Komunës urbane të Tuzit, në bisedat në kabinetin e tij na ka informuar se nuk parasheh angazhimin tonë të mëtejmë në Administratën e Komunës urbane të Tuzit – thonë Dreshaj dhe Ujkaj.
Ata thonë se është e qartë shkelja e Ligjit mbi punëtorët dhe administratorët shtetëror.
– Disa herë, si me shkrim ashtu edhe me gojë kemi tentuar t’i tërheqim vërejtjen sekretarit të Administratës, që është obligim ligjor i Administratës, gjegjësisht i sekretarit të na ngarkojë me detyrë në kuadër të përgatitjes sonë profesionale dhe aftësive tona në një vend tjetër të punës adekuat. Është apsurde që Komuna urbane e Tuzit t’u ndërpresë marrëdhënien e punës kuadrove të cilët që nga themelimi kanë punuar në sjelljen e akteve, krijimin e kushteve për sport dhe në aktivitetet tjera të rëndësishme për punën e kësaj Administrate – thonë Dreshaj dhe Ujkaj.
Dreshaj dhe Ujkaj tërheqin vërejtjen se me Nenin 58 paragrafi 1 të Vendimit statutar të Komunës urbane të Tuzit është normuar se Sekretari i Administratës së Komunës urbane të Tuzit vendos mbi zgjedhjen dhe vendosjen e punëtorëve dhe administratorëve.
– Në bisedat e drejtpërdrejta dhe joformale me sekretaren kemi fituar përshtypjen se ajo nuk do të vendos mbi të drejtat tona, por vendimin mbi këtë do t’ia kalojë organit tjetër, ç’gjë është në kundërshtim me dispozitën e lartpërmendur. Sekretarja e posaemëruar, për periudhën njëjavore të punës së saj pranë Administratës sonë nuk ka patur mundësi të shohë gjendjen në atë mënyrë që të fillojë me shuarjen e vendeve të punës. Rregullorja e re është sjellur edhe përkundër faktit se ndryshimet dhe plotësimet e Vendimit statutar të Komunës urbane të Tuzit ende nuk kanë marrë pëlqimin e Kuvendit të Kryeqytetit Podgorica që është obligim i paraparë me Statutin e Kryeqytetit. Për ç’arsye është dashur të priten afatet e normuara. Ua kemi tërhequr vërejtjen eprorëve edhe me shkrim, përmes Kundërshtimit në Rregulloren mbi sistematizimin, derisa ende nuk ka hyrë në fuqi – thonë Dreshaj dhe Ujkaj.

Do të inicojnë kontestin gjyqësor
Këshilltarët i janë drejtuar me shkresë Kryeadministratorit të Kryeqytetit Podgorica, i cili në bazë të Ligjit mbi Kryeqytetin është kompetent për vendosje në shkallë të dytë mbi aktet e Administratës të Komunës urbane të Tuzit.
– Iu jemi drejtuar edhe përfaqësuesve të sektorit joqeveritar me kërkesë për mbështetje me qëllim të tentimit të mbrojtjes të drejtave tona, ankesën ia kemi parashtruar edhe zyrës së Ombudsmanit. Gjithashtu, mbi cenimin e të drejtave tona kemi njoftuar edhe organizatat e sindikatave relevante, në nivelin lokal dhe atë shtetëror. Do të inicojmë edhe kontestin para gjykatave kompetente me qëllim të implementimit të ligjit dhe zbatimit të masave kundrejt personave përgjegjës për shkak të veprimeve joligjore në Administratën tonë, me ç’rast do të kërkojmë kompensimin e dëmit, jo vetëm atij material, por edhe atij jomaterial i cili na është shkaktuar me anë të këtyre veprimeve joligjore, krejtësisht të paarsyetuara nga ana e udhëheqësisë të Komunës urbane të Tuzit – thonë Dreshaj dhe Ujkaj.

Kanë qenë në pritje të ngritjes në detyrë
Dreshaj dhe Ujkaj theksojnë se pas punës së zellshme në Administratën e Komunës urbane të Tuzit në pajtim me normat, kodeksin etik, përgatitjen profesionale dhe aftësitë gjatë viteve të kaluara, duke kryer punët edhe jashtë referateve pa marrë parasysh se kush gjindej në krye të organeve udhëheqëse të Komunës urbane të Tuzit, kanë pritur ngritjen në detyrë dhe sistematizimin në nivel më të lartë dhe klasë më të lartë page në pajtim me vëllimin e punëve të cilat i kanë kryer.

– Nuk e kemi pritur që vendet tona të punës të përcaktohen si të tepërta, përkatësisht të panevojshme. Kemi parashtruar iniciativë për kryerjen e mbikëqyrjes Inspekcionit administrativ, i cili këtë iniciativë ia ka përcjellur Inspekcionit të punës – thonë Dreshaj dhe Ujkaj.
Përkthimi i tekstit nga e përditshmja malazeze “Dan” të dt. 9 Nëntor 2011

Informatë ekskluzive për Malesia.org

Më 18.11.2011, Administrata e Komunës urbane të Tuzit lëshoi Vendimin mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës për këshilltarin për çështje juridike, Edmond Ujkaj. Sipas informatave me të cilat disponojmë i njëjti Vendim është përgatitur edhe për këshilltarin për sport dhe parandalim të narkomanisë, Pal Dreshaj, por supozohet se këtij të fundit vendimi kontestues nuk i është lëshuar ende pasi tani për tani ekziston pengesa ligjore për lëshimin e një vendimi të tillë për shkak të pushimit mjekësor në të cilin gjendet aktualisht Dreshaj, pra sipas paralajmërimeve gojore nga eprorët e KU të Tuzit i njëjti vendim do t’i dorëzohet edhe atij pasi të kthehet në punë nga pushimi mjekësor.
Për hapat e mëtejmë me qëllim të mbrojtjes së drejtave të tyre Dreshaj dhe Ujkaj do t’a informojnë opinionin në kohën e duhur dhe shtojnë se kanë në plan t’i shpallin luftë kësaj dukurie negative në shoqërinë tonë në përgjithësi. Në lidhje me këtë presin përkrahjen e të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë.

Edmond Ujkaj, bachelor i drejtësisë
Pal Dreshaj, profesor i kulturës fizike
Tuz, 18.11.2011

KOMENTOJE