Në mbrojtje të identitetit kombëtar – Anton Lulgjuraj

Zhvillimet e fundit në Mal të Zi, treguan edhe njëherë që “plani për spastrime etnike në mënyrë jo të dhunshme”, vazhdon të jetë preambulë e politikës malazezë kundër shqiptarëve në Mal të Zi. Me datën 2 nëntor të këtij viti, Parlamenti i Malit të Zi miratoi ligjin për ndarjen territoriale që Malësinë e Madhe e parasheh pa Komunë, duke ia lënë fatin e Malësisë dhe shqiptarëve në dorë të Qeverisë së Malit të Zi. Por, Ne jemi të bindur që vullneti i Qeverisë malazeze që Malësia të fitojë Statusin e Komunës së Plotë të Malësisë, do të jetë i njëjtë sikurse ka qenë deri tani!

Aktualisht, Qeveria malazeze po përgatit një draft – ligj, i cili e ndalon rreptësisht mbajtjen e flamurit (simbolit) kombëtar, duke provuar pulsin e shqiptarëve që a janë në gjendje të reagojnë për gjënë më të shtrenjtë dhe më të shenjtë ë tyre, për të cilën kanë dhënë jetën dhe kanë derdhur gjakun nëpër shekuj.

Diskriminimi i shqiptarëve vazhdon me: papunësinë në shifra ekstreme, mohimin e të drejtës së organizimit në qeverisje lokale që burimin kryesor të saj e gjejmë në Kushtetutën e Malit të Zi, marrëveshjet ndërkombëtare, mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, mohimin e historisë së popullit shqiptar, etj. Të gjitha këto që përmendëm më lartë, por edhe faktorë të tjerë, na detyrojnë që të marrim hapa konkret me qëllim arritjen e të drejtave që na takojnë sipas standardeve ndërkombëtare. Kështu, më datën 28 dhjetor, ora 14, në qendër të Tuzit, do të organizohet protestë paqësore me qëllim për të treguar pakënaqësinë nga qeverisja aktuale në Komunën Urbane të Tuzit dhe padrejtësitë që bëhen ndaj shqiptarëve.

Shteti i Malit të Zi, synon aspiratën për në bashkësinë Evropiane, por gjithmonë duke respektuar standardet e demokracisë dhe zhvillimit të mirëqenjës. Ne kërkojmë respektimin e instrumentave juridik ndërkombëtar dhe ligjevc të brendshme të cilat garantojnë të drejtat e popullit shqiptar në trevën e Malësisë gjegjësisht në të gjithë territorin e Malit të Zi ku ata jetojnë.

Asnjë doktrinë, asnjë manipulim apo tregti politike, asnjë trysni shtetesh, lobesh ndërkombëtare, nuk mund t’a pengojë popullin shqiptar në Mal të Zi, si popull autokton, të kryejë dhe të marrë atë që është e garantuar nga ligji apo marrëveshjet ndërkombëtare, atë që u takon atyre.

Në këtë mënyrë, ftoj të gjithë qytetarët e Malësisë, pa dallim feje, krahine, bindjesh politike, që të ngrisim zërin të gjithë së bashku në datën 28 dhjetor, që të marrim atë çfarë na takon; të fitojmë të drejtën në vetëqeverisje lokale – Komunën e Plotë të Malësisë, të vendosim ne për fatin tonë; të zhvillojmë sektorin ekonomik i cili është po aq i dëshirueshëm për qytetarët dhe i domosdoshëm, të mbrojmë simbolet tona kombëtare, të mbrojmë resurset nga plaçkitjet siç janë: toka në Vuksanlekaj, vreshtaria, toka në Milesh, toka në Dhe të Zi, Valdanosi, Kriporja në Ulqin si e vetmja në të gjithë Malin e Zi, të mbrojmë të drejtat e punëmarrësve, etj. Nuk mund të ketë shtet demokratik, nëse në gurthemelin e tij, nuk qëndrojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Mbi bazën e këtyre që parashtruam më lartë, me plotë të drejtë i drejtohem Bashkësisë ndërkombëtare duke thënë: “Evropë dhe SHBA, Ne jemi anëtarët tuaj, jemi bijtë tuaj, na ndihmoni të riforcohemi me anën e shoqërisë tuaj, që të ndajmë me Ju të mirat e qytetërimit. Ne kemi vullnet të mirë, na mësoni, na vini në rrugë të drejtë dhe do të shihni që po na hoqët edhe pëngesat që kemi në grykë e që po na mbysin ekzistencën do të përparojmë po aq shpejt sa dhe të tjerët, sepse kjo është gjuha që flet Rinia Shqiptare. Ndërsa Qeverisë së Malit të Zi, i drejtohemi duke thënë: “respektoni popullin shqiptar, konsiderojeni të barabartë me të gjithë popujt e tjerë në Mal të Zi, ndaloni planet e asimilimit dhe të spastrimit etnik, ndaloni shpërnguljen e popullsisë, ndaloni ndryshimin demografik të popullatës së Malësisë, ndaloni diskriminimin, sepse me votat tona e ndërtuam shtetin e Malit të Zi dhe ky shtet duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”.

Forumit Demokratik për Integrim i shqiptarëve në Mal të Zi
Kryetar – Anton Lulgjuraj

KOMENTOJE