Diaspora Shqiptaro-Amerikane përkrah demonstratën në Tuz dhe dënon ashpër pushtetin malazez për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve

DETROIT/NEW YORK/23 DHJETOR 2011. DIASPORA Shqiptaro-Amerikane deklaron mbështetjen e saj për demonstratën që organizohet në Tuz më 28 dhjetor 2011 në ora 2:00 pasdite sipas orës lokale. Kjo protestë, së bashku me disa të tjera që aktualisht janë duke u organizuar në Detroit, Nju Jork dhe Uashington, DC, vën në pah dekadat e politikave diskriminuese ndaj pakicës shqiptare në Mal të Zi, përfshirë mohimin e të drejtave të barabarta, qasjen, dhe pjesëmarrjen në çdo sferë sociale , politike, ekonomike dhe kulturore. Mëria në rritje e publikut, mosbesimi, dhe izolimi ndaj qeverisë malazeze është përkeqësuar edhe më shumë kohët e fundit me aprovimin e projekt ligjit që e shpall vepër penale, te dënueshme me burgim, përdorimin e flamurit dhe simboleve të një grupi tjetër etnik pa aprovimin paraprak të Podgoricës. Ky akt i hapur i diskriminimit etnik sfidon të gjitha ligjet dhe traktatet ndërkombëtare, rendin kushtetues, si dhe parimet demokratike të të drejtave të njeriut. Këto fakte janë të theksuara nga organizatorët e kësaj demonstrate të cilët kanë deklaruar se “spastrimi etnik i shqiptarëve nëpërmjet mjeteve jo të dhunshme vazhdon të jetë preambulë e politikës së Malit të Zi.”
Liritë dhe të drejtat e përgjithshme natyrore të popullsisë autoktone shqiptare janë shkelur sistematikisht nga ana e Podgoricës, duke përfshirë përçarjen dhe asimilimin e shqiptarëve deri në pikën ku ata nuk do të përbëjnë më shumicën në trojet e tyre që pashmangshëm çon në humbjen e mundësisë për të ruajtur gjuhën, vlerat, traditat, dhe historinë e tyre. Edhe pas dekadave të kërkesave të vazhdueshme për mbrojtjen e këtyre standardeve, Mali i Zi vazhdon të injorojë kërkesat e tilla, duke kërcënuar vetë ekzistencën dhe zhvillimin e një populli, që është në shkelje të drejtpërdrejtë të neneve të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Qytetare dhe Politike, të Kartës Europiane për të Drejtat e Pakicave dhe të ligjeve të tjera ndërkombëtare dhe evropiane për mbrojtjen e minoriteteve.

Organizatorët në Tuz apelojnë tek “të gjithë qytetarët e Malësisë, pavarësisht përkatësisë fetare, krahinore, apo bindjeve politike, të ngrejnë zërin e tyre të bashkuar më 28 Dhjetor.” Në solidaritet të plotë me familjet tona, diaspora inkurajon shqiptarët në Mal të Zi të jenë të vendosur për të sjellë në vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare padrejtësitë që shteti ushtron ndaj tyre, në veçanti mungesën e një kuadri ligjor për mbrojtjen e gjuhës, simbolit kombëtar, institucioneve lokale, kulturës, dhe prosperitetit. Kjo protestë poashtu do të nxjerrë në pah kërkesat e mëparshme me të cilat kërkohet që Qeveria Malazeze të jetesojë në praktikë kërkesat që dalin nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, duke respektuar Kartën e Vetëqeverisjes Lokale nëpërmjet dhënies së komunës së plotë rajonit të Malësisë me të gjitha të drejtat dhe autoritetin administrativ të vetëqeverisjes së decentralizuar. Komuna e Malësisë nuk do të zgjidhë të gjitha problemet me të cilat përballen shqiptarët në Mal të Zi sot, por vetëqeverisja lokale është një parakusht minimal në një demokraci europiane. Shqiptarët duhet ta parandalojnë procesin e asimilimit dhe dëbimit të planifikuar nga trojet e tyre dhe të kërkojnë marrëveshje politike që kthen pushtetit politik në duart e tyre në trojet ku u takon vetëqeverisja, pa ndërhyrje e pengesa nga pushteti qendror.

Shqiptarët në Mal të Zi duhet të jenë të vetëdijshëm se fati i tyre dhe gjeneratave të ardhshme qëndron në duart e tyre, dhe se janë ata e jo individ, parti, apo pushtet që do t’u lehtësojë dhe zhdukë rrethanat diskriminuese në të cilat jetojnë ata. Aq më tepër kur interesat legjitime të Shqiptarëve etnik në Mal të Zi janë duke u keqpërdorë edhe nga përfaqësues të partive që pretendojnë të përfaqësojnë interesat e tyre etnike. Në fakt, këta përfaqësues, për të siguruar dhe avancuar pozitat e tyre, janë duke avancuar agjendën e pushtet-mbajtësve e cila është (1) të sigurojnë pushtetin përmes shtypjes së zërave kundërshtues, (2) të depërtojnë në trojet shqiptare për të krijuar një popullsi heterogjene pa shumicë, dhe në fund (3) promovojnë politikë si dhe projekte kulturore që do të dekurajojnë shprehjen e përkatësisë etnike si dhe vlerat e karakteristikat dalluese te popullsisë shqiptare.

Besojmë se kjo demonstratë do të jetë një këndellje e mirëfilltë si për popullatën shqiptare ashtu edhe për përfaqësuesit e tyre që me përkushtim dhe vendosmëri të vihen në shërbim të mbrojtjes dhe avancimit të identitetit tonë kombëtar deri në plotsimin e të gjitha të drejtave tona të nëpërkëmbura. Besojmë se edhe koha jonë ka ardhë. Të përqafojmë momentin dhe të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë.

KOMENTOJE