Gjoba për flamurin shqiptar, pengesa e fundit për të shfaqur identitetin kombëtar – nga Besi Bekteshi

Sikur, marrëdhëniet me fqinjin veri-perëndimor janë më të mira në raport me shumë e shumë dilema, pakënaqësi, kontradikta, me bie fjala Maqedoninë dhe Greqinë! Them sikur… pa mohuar aspak ecurinë e mirë të marrëdhënieve në këto 10-të vitet e fundit, midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ka një dallim të fortë kufiri tepër interesant midis shtetit të vogël ballkanik Mali i Zi dhe pjesëve të tjera kufitare, sepse ka qenë një vënd kontesti dhe luftrash të mëdha dhe është një kufi shumë paqësor sot. Duhet pranuar dhe bashkëpunimi i mirë në të gjitha fushat. Qëllimi është dypalësh dhe kjo nuk mund të mohohet. Mirëpo, pak i kushtohet vëmendje këtyre marrëdhënieve edhe për shkak të fjalëve të mësipërme të cilat janë të vërteta. Por nuk është absolutisht çdo gjë “mjaltë”, edhe në këtë zonë etnikisht e banuar me shqiptarë autoktonë dhe me një trashëgimi kulturore dhe religjionare të shkëlqyer patriotike dhe të lashtë.

Nga vizita ime kohët e fundit, por edhe nga një shkrim i gazetarit Simon Shkreli, i cili është edhe origjinar i lindur në viset shqiptare kufitare, por në Malin e Zi, duket tjetër situatë. Ai trajtonte ligjin e ri të marrjes leje për të ngritur flamurin shqiptar dhe gjobën prej 1000 euro që merret kur thyhet ligji malazez. Normalisht që është një fyerje e pakicës shqiptare autoktone në fiset e saj të kahershme, dhe një thyerje e vetë kushtetutës që garanton simbolet e pakicës kombëtare. Normalisht ka dy arsye të dobëta në lidhje me shqiptarët ky ligj dhe një qëllim. Arsye tepër e dobët për shqiptarët të përfaqësuar politikisht edhe në maxhorancën qeverisëse aty, është se janë edhe ata në komision të ligjit, arsye tjetër është tashmë coptimi emblematik i faktorit shqiptar në Malin e Zi në dhjetra parti që shikojnë vetëm përfitimin qeverisës apo opozitues. Kurse qëllimi, është se “shteti i vogël që nuk ka më tepër se sa 450.000 banorë malazezë, nuk do as flamur shqiptar dhe… as serb… sipas tyre… të ngrihet pa leje”…! Serb… është sa për balancë! Por kjo goditje ndaj simboleve të shqiptarëve aty është e fundit, e shumë e shumë goditjeve ndaj trashëgimisë, kulturës, religjionit dhe ekzistencës së një kombi tjetër si pakicë në shtetin malazez.

Turp është pse shqiptarët fragmentohen, sepse ata nuk kanë luksin e shtetit unitar shqiptar, madje as luksin e shtetit të ri kosovar. Kjo i bën vulnerabël dhe pa asnjë zë të fuqishëm edhe pse konsiderohen 40.000 shqiptarë, që në fakt janë më shumë në komunat e tyre, pa përmendur asimilimin e kryer ndër vite dhe ikjet e shumta jashtë. Por çfarë ndodh përreth kufirit? Qeveria e Malit të Zi, ka shitur me çmim qesharak “kriporen” e Ulqinit dhe nga qindra vetë që punonin, nuk punojmë më dhe trualli është i tjetër kujt. Hotele të mëdhenj janë shitur te rusët dhe këta pastaj kanë fituar duke ja shitur spanjollëve. Një hotel tjetër tepër i madh i ish Jugosllavisë është bërë parking…! Po, nga të huajt që mund të jenë serbë, blihen maja kodrash dhe formohen enklava në buzë të detit. Shasi, një nga mrekullitë e kulturës dhe religjionit shqiptar katolik, ka vetëm një tabelë kot dhe asnjë destinacion të ditur të dhjetra kishave që janë tipizuese shqiptare. Kishën e “Gjon Pagëzorit” e bëjnë kishën e “Ivanit”…! Kraja dhe Shestani, me mrekullitë e tyre, nuk kanë as tabela as harta, që të çojnë në monumente kulture shqiptare. Nuk interesohet askush me vendet e kultit shqiptar, të cilat lejohen të bëhen rrënoja, sepse as i intereson shtetit të vogël një trashëgimi e tillë. E shqiptarët janë politikisht të përçarë! Akoma më shumë.

Sa herë janë bërë plane për tu bërë liqeni i Shkodrës i lundrueshëm… sa herë!? Por pala malazeze vonohet, llastohet, harron dhe asnjë projekt nuk kryhet edhe kur është i iniciuar nga jashtë. I fundit është një projekt italian për krijimin e lundrimit në Bunë dhe liqen, por edhe me port në Vir Pazar… por asgjë, sepse autoritetet malazeze bëjnë sikur kanë burokraci. Në fakt nuk duan. Në anën shqiptare në Shkodër është ngritur para katër vitesh, pika doganore në liqenin e Shkodrës dhe u ngrit dhe flamuri malazez së bashku me atë shqiptar dhe europian, por malazezët as që i kanë rënë atij krahu. Nuk duan dhe jo se u mungon ndonjë element tjetër. Nuk duan. U është propozuar që të vazhdohet pika tjetër e fundit të Zogajve dhe të bëhet rruga në vazhdim në malin e Taraboshit dhe më tutje, por as që duan të marrin vesh nga ai vesh. Nuk duan të vendosin vijën e verdhë ndarëse midis Kryeqendrës Podgoricë dhe Tuzit… sepse nuk duan. Vazhdojnë të ndotin me kombinatin e aluminit liqenin dhe përfitojnë për mos zhvillim të qëllimshëm dhe kontroll më të mirë liqenor në saj të zonave me status…!

Pse të gjitha këto? Sepse kanë frikë, sepse vazhdojnë akoma të kenë ide sunduese dhe jo bashkëvepruese europiane. Shesin mënd kot me “cilësitë e tyre” që në fakt i kanë pompuar në kohëra sundimi dhe luftrash, por që e dinë që sot as që i vë në kandar kush. Kanë frikë zhvillimin me ritme të larta të shqiptarëve si këtej kufirit, dhe andej kufirit. Po, dhe kanë frikë të bëjnë lidhje të fuqishme rrugore dhe lumore apo liqenore, se kuptojnë ekspansionin që ju vjen jo nga Shkodra thjesht… por nga Tirana dhe vise të tjera të Shqipërisë. Po ti shtosh edhe Kosovën, bëhet e qartë se sa keq e ndjejnë veten ato që gjithë jetën kanë thënë… Shkodra është jona…! Booom-i zhvillues, si i rregullt dhe i çrregullt i yni, është frikësues për to. Sepse nuk e shikojnë veten normalisht me shqiptarët të integruar në Euopë. Sëpaku, shumica e tyre në politikë. Nga ana tjetër, nuk është se nuk frikësohen nga serbët dhe rusët. Po, sepse edhe në vendet e tyre të banimit, ku janë dy vëllezër me dy shtëpi të ndara nga 300 metra, ju janë futur duke ju blerë tokën, dy serbë dhe dy rusë…! E në fakt, nuk po ju futet raca tjetër dhe religjioni tjetër që janë patjetër shqiptarët, por kushërinjtë e tyre të një religjioni. Këtë gjë në të vërtetë e kanë kuptuar, por koka kthehet instiktivisht aty ku prehet shpirti.

Kurse në trojet etnike shqiptare japin leje pa pushim për… serbët! E fundit është ajo që shqiptarët duhet të marrin leje, kur të martohen dhe që zakonin e kanë ta bëjnë dasmën me flamurin e kombit të tyre. Ne nuk reagojmë në Shqipëri, tregohemi disi “racionalë”, sepse e dimë se si është puna. Por nuk mjafton qetësia jonë, duhet konstruktiviteti që edhe të mos lëndohet shteti i vogël, por edhe shqiptarët të respektohen në simbolet dhe trashëgiminë e tyre. Më duhet të them se aspak nuk janë bashkëpunues dhe tolerantë si shqiptarët e viseve të Malësisë së Madhe dhe Shkodrës, me ndonjë popullsi të vogël me origjinë nga Mali i Zi. Kanë edhe brenda qeverisjeve rryma filo serbe dhe ruse, kanë edhe anti të tillë dhe vulnerabiliteti edhe në saj të qënies pak dhe interesave kundër, i bën symbyllur dhe shpesh herë dogmatikë. Por ama, fyerja ju bëhet shqiptarëve, vetëm atyre në mënyrë të shpeshtë dhe të madhe. Kanë faj edhe vetë shqiptarët, por qëllimet e politikës që mbijeton, janë aspak të mira dhe miqësore… aspak.

KOMENTOJE