Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e cila vepron në Shqipëri dhe njihet si partia që përfaqëson interesat e çamëve, shprehu dje shqetësim për sa i përket përkeqësimit të situatës së përfaqësimit të shqiptarëve në Malin e Zi. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PDIU, Ardit Bido deklaroi se projekt-ligji i ri i hartuar nga Komisioni për Rendin dhe Qetësinë Publike në Parlamentin e Malit të Zi parashikon heqjen e flamurit shqiptar nga përdorimi si dhe vendosjen e gjobës prej 1 mijë eurosh nëse përdoret ky flamur pa lejen përkatëse.
“PDIU është e bindur që ky projekt-ligj dëmton rëndë pakicën shqiptare në Malin e Zi dhe përbën një shkelje flagrante të standardeve europiane të të drejtave të minoriteteve, prandaj ngre zërin që ky ligj mos të kalojë dhe kërkon që Republika e Malit të Zi të dëshmojë respekt për të drejtat legjitime të banorëve shqiptarë”, – deklaroi Bido në fjalën e tij, shkruajnë mediat elektronike dhe te shkruara shqiptare.
Sipas PDIU-së, ky nuk është rast i izoluar i shkeljes së të drejtave, por është një nismë në vazhdën e veprimeve të marra kohët e fundit nga kjo qeveri. Në këtë kuadër, PDIU përmendi edhe ligjin e ri zgjedhor, i cili ka eliminuar të drejtën e shqiptarëve për të pasur pesë deputet në Parlamentin malazez. Po kështu, ligji i ri hapësinor i Malit të Zi dëmton të drejtën e pronësisë së shqiptarëve të Plavës dhe Gucisë, duke krijuar një park kombëtar me to. Nisur nga këto, PDIU kërkon që qeveria shqiptare dhe faktori ndërkombëtarë të ndërhyjnë për të vëzhguar më nga afër gjendjen e shqiptarëve në Malin e Zi. /Ulqini Online/