Hoxhaj në Malin e Zi pa flamurin e Kosovës

Malazezët nuk janë treguar aspak mikpritës në aspektin protokollar për ministrin e jashtëm të Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj. Në së paku 3 takime, fotografitë e të cilave janë publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së askund nuk duket flamuri i Kosovës!

Madje, në takimin me kryeministrin Igor Luksic shihen dy flamuj malazez, kurse në takimet me presidentin Vujanovic dhe ministrin e jashtëm Rocen shihet vetëm nga një flamur malazez. E njëjta gjë nuk ndodhte në vizitën e paradokoshme të Rocenit në Prishtinë , kur në takim e konferencë dukeshin flamujt e të dyja shteteve.

Nuk e lënë të flasin shqip

Një tjetër moment i pakëndshëm për minsirin e jashtëm Hoxhaj në Podgoricë ka ndodhur në konferencën për shtyp. Ai është përgjigjur gjatë gjithë kohës në anglisht, por kur një gazetar i RTK-së ia ka bërë pyetjen në shqip, Hoxhaj e ka pyetur se në cfarë gjuhe e don përgjigjen që ka qenë shqipja. Me të nisur të flasë në shqip kanë protestuar gazetarët malazezë e serbë , duke bërë që Hoxhaj ta kthejë sërish në anglisht përgjigjen, përkundër përpjekjeve të Rocenit për ta “qetësuar” situatën. /indeksonline/

Kosova e Mali i Zi këtë vit shkëmbejnë ambasadorët

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar vizitën zyrtare në Mal të Zi.

Hoxhaj të mërkurën është takuar me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic, Kryeministrin Igor Luksic dhe homologu Milan Rocen. Gjatë këtyre takimeve është konfirmuar vullneti i dyanshëm për hapjen e ambasadave të dy shteteve në Prishtinë dhe Podgoricë.

Ministri i Kosovës ka njoftuar udhëheqësit e Malit të Zi edhe për Ligjin e miratuar në Qeverinë e Kosovës, i cili e përfshinë komunitetin malazez në mesin e komuniteteve të Kosovës. Ndërsa, është siguruar nga udhëheqësit e shtetit fqinj për integrimin plotë dhe avancimin e mëtutjeshëm të shqiptarëve në Mal të Zi, në të gjitha nivelet institucionale të shtetit, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

“Unë jam siguruar nga Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme që shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi janë të integruar. Por, unë po ashtu jam siguruar që shqiptarët do të jenë edhe më mirë të përfaqësuar, si në nivelin lokal edhe në atë qendror”, ka thënë Hoxhaj. /Telegrafi/

KOMENTOJE