Shqiptarët në Mal të Zi shtypen, Enver Hoxhaj rehaton malazezët e Kosovës

Në një kohë kur parlamenti i Malit të Zi propozon marrjen e vendimeve që cenojnë të drejtat e manifestimit të identitetit kombëtar shqiptar, e kur 1000 euro është çmimi që çdo shqiptar në Mal të Zi duhet të paguajë, nëse paraqitet në publik me flamurin kombëtar shqiptar, Ministri Enver Hoxhaj, thuajse nuk jeton në këtë kohë, deklaron se kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi.

Enver Hoxhaj në takim me Milan Roçen, ministër i punëve të jashtme të Malit të Zi, të mërkurën në Podgoricë ka vlerësuar se marrëdhëniet e Malit të Zi dhe Kosovës janë të shkëlqyera. Rregullimi i statusit të malazezëve në Kosovë është një nga kushtet që ka Podgorica për shkëmbimin e ambasadorëve me Kosovën.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se, përderisa popullatës shqiptare që jeton në Mal të Zi u cenohen të drejtat elementare njerëzore dhe kombëtare, Qeveria e Kosovës nuk ka as të drejtë morale e as kombëtare që të dalë me deklarata për marrëdhënie të shkëlqyera e as me premtime se do të akomodohet komuniteti malazez në Kosovë.

Qeveria e Kosovës nuk guxon të pranojë kushtëzime të tilla për “marrëdhënie diplomatike” kur të njëjtat terme dhe kushte nuk vlejnë për bashkëkombësit tanë. Tani është koha kur Qeveria duhet të kërkojë barazi e jo të zyrtarizojë marrëdhënie mbi shkeljen e shqiptarëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! është komunitet i njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen. Ajo synon arritjen dhe realizimin e vetëvendosjes për popullin e Kosovës. Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet edhe për ndryshime radikale shoqërore e politike që do të mundësonin respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtave civile dhe drejtësisë sociale për të gjithë dhe secilin në Kosovë pa kurrfarë diskriminimi.
Lëvizja VETËVENDOSJE në zgjedhjet e fundit në Kosovë për herë të parë mori pjesë në zgjedhje ku dhe rënditet si subjekti i tretë më i fortë në Kuvëndin e Kosovës.

KOMENTOJE