Protestat në Kosovë – 146 persona të arrestuar (update)

Zyra për informim e Policisë së Kosovës ka lëshuar edhe komunikatën e radhës mbi zhvillimet deri në ora 20.15 minuta.

Sipas njoftimit, situata në vendkalimet kufitare në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë është normalizuar.

Sikurse në komunikatat e mëhershme, zyrtarët për informim të Policisë së Kosovës vlerësojnë se gjatë intervenimit në magjistralen në drejtim të vendkalimit kufitar Merdare, “Policia vazhdimisht ka hasur në rezistencë aktive nga ana e protestuesve”.

Sipas versionit të policisë, protestuesit kanë sulmuar policinë me mjete të ndryshme të forta, nga të cilat 28 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore. Policia thotë se 21 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Sipas policisë, deri në ora 20.15, numri i përgjithshëm i personave të ndaluar nga Policia në magjistralen në drejtim të Merdares është 112 persona, kurse numri i përgjithshëm i personave të ndaluar nga Policia në magjistralen në drejtim të vendkalimit kufitar Dheu i Bardhë është 34.

Gjatë intervenimit në magjistralen në drejtim të vendkalimit kufitar Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës po ashtu thotë se ka hasur në rezistencë nga ana e protestuesve dhe si pasojë e saj janë lënduar 3 zyrtarë policorë, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore. /Telegrafi/

KOMENTOJE

E plotësuar – Numri i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të arrestuar sot gjatë protestave në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, arrin në pesë.

Bazuar në listën e publikuar më parë të Vetëvendosjes, deputetët e arrestuar janë: Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Visar Ymeri, Afrim Hoti dhe Albana Gashi.

Numri i të arrestuarve, sipas Vetëvendosjes, tashmë ka arritur në mbi 100.

Aktivisti Xhelal Sfeçla ka thënë për Kosovapress se të lënduarit e sotëm kanë pohuar se përveç mjeteve tjera, Policia ka përdorur edhe plumba gome.

Sfeçla deklaron se në takimin që kanë pasur dy ditë më parë me policinë, këta të fundit u kanë thënë se nuk do t’i bllokojnë rrugët, në mënyrë që ata të arrijnë deri tek pikat kufitare.

Aktivistët e Vetëvendosjes deklarohen se nuk do ndalen për asnjë çast, derisa Qeveria të mos e zbatojë reciprocitetin me Serbinë.

Ndërkohë, rreth orës 19 e 30, në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur rreth 50 përkrahës të tyre nga Shqipëria, që presin të njoftohen se për në cilën pikë kufitare kërkohet përkrahja e tyre. /Telegrafi/

E plotësuar – Pas intervenimeve të njëpasnjëshme dhe arrestimit të shumë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, njësitet e Policisë së Kosovës kanë arritur që të shpërndajnë protestuesit dhe të hapin rrugën tek pika kufitare Dheu i Bardhë.

Kosovapress raporton se situata aktuale atje është e qetë. Ndërsa, zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Ismet Hashani, thotë se policia nuk do të ndërhyjë, pasi rruga është e hapur. Ai shton se intervenimi do të ndodhë vetëm nëse rruga prapë bllokohet.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, tha se policia qëllimisht e ka lënë të intervenoj në orët e vona, “në mënyrë që mos të shihet mirë se çfarë po ndodh”.

Sipas tij, ky intervenim është bërë për t’ia hapur rrugën Serbisë, sepse “Bajram Rexhepi dhe gjithë shokët e tij kanë lidhje të forta dhe bëjnë biznes me Serbinë”.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe më tej këtu, derisa qeveria ta marr vendimin për zbatim të reciprocitetit me Serbinë”, ka thënë ai.

KosovaPress raporton se magjistralja Besianë-Prishtinë, në orën 19:00 është liruar plotësisht dhe se është nën kontroll të Policisë së Kosovës. Mundësia për rigrumbullim të protestuesve, sipas policisë, është e pamundur.

Nga fshati Lluzhan gjerë në Merdarë, Policia e Kosovës është prezentë edhe në këto çaste, me ç’rast po kontrollon veturat dhe kalimtarët e rastit, për të verifikuar nëse janë protestues.

Policia ka bërë të ditur për Kosovapress se nismat e tilla të Lëvizjes Vetëvendosje nuk do t’i tolerojnë herëve tjera. /Telegrafi/

E plotësuar – Afër 100 përkrahës të Lëvizjes “Vetëvendosje” nga Shqipëria, nuk kanë mundur të përjetojnë përparësitë e standardit të proklamuar nga qeveritarët e Kosovës për “Lëvizje të Lirë “.

Përkundrazi, të shtunën, në pikën kufitare të Vërmicës, ata u ballafaquan me obstruksione të shumta nga autoritetet kufitare të Kosovës, për afër katër orë, gjë që ka krijuar tensione në zonën neutrale Shqipëri-Kosovë, duke mos përjashtuar as konfrontimet mes dyja palëve, raporton Koha.net.

Vendosmëria e ngurtë e këtyre 100 personave që kishin ardhur në mbështetje të Vetëvendosjes, me dy autobusë nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë, ka bërë që ata megjithatë ta kalojnë kufirin në këmbë dhe vetëm në orët e pasdites të nisen drejt Besianës në përkrahje të protestës për “bllokimin e Serbisë”.

Njëri nga ithtarët e Vetëvendosjes, Gentian Sala, ka sqaruar se autoritetet kufitare të Kosovës kanë aplikuar masa rigoroze ndaj tyre, duke aplikuar kërkesa që nuk parashihen me procedurën standarde të kontrollit kufitar.

“Ata patën kërkesa të shumta, të cilat ne i plotësuam. Në fund na thanë kthehuni prapa se autobusi nuk ka një dokument. Për ne është e papranueshme kjo qasje për mos mundësimin e kalimit të kufirit”, ka thënë Sala.

Ithtarët shqiptarë të Lëvizjes “Vetëvendosje” ishin nisur të shtunën në mëngjes, nga Tirana drejt Kosovës, Pak kohë para orës 11:00, kanë mbërritur në Vërmicë, ku për orë të tëra janë ndaluar nga Policia kufitare e Kosovës.

Autoritetet kufitare të Kosovës, pas afër dy orësh kanë kthyer prapa dy autobusët që po bartnin përkrahësit e Vetëvendosjes, me arsyetimin se kanë mungesë dokumentacioni. Paraprakisht, atyre i është dhënë sqarimi se vonesa në kontroll dhe regjistrim ka ardhur si pasojë e rënies së sistemit elektronik të regjistrimit të udhëtarëve. /Telegrafi/

E plotësuar – Ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi, në një bisedë telefonike për TV Dukagjinin, ka thënë se të gjitha deklaratat e ditës, të lëshuara nga Policia e Kosovës, si dhe deklarata e mbrëmjes e lëshuar nga Qeveria, janë në një linjë me “qëndrimin e Ministrisë së Brendshme”.

“Shprehë keqardhjen time për veprimet e dhunës ndaj pjesëtarëve të policisë dhe mbetem fuqimisht i përkushtuar të përkrahë pjesëtarët e policisë, të cilët po mbrojnë rendin dhe ligjin për të garantuar lëvizjen e lirë”, ka thënë Rexhepi.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje njofton se deputeti, njëkohësisht Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i arrestuar gjatë aksionit të policisë te Dheu i Bardhë, është rrahur brutalisht nga ana e policisë. Sipas Vetëvendosjes, gjatë arrestimit ai është lënduar në kokë dhe në gjoks. /Telegrafi/

E plotësuar – Sipas një kumtese të Lëvizjes Vetëvendosje, 69 është numri i të arrestuarve, dhe 6 i atyre me lëndime të rënda fizike.

Emrat e konfirmuar të të arrestuarve janë:
1. Hysen Durmishi (Merdarë)
2. Salih Zyba (Merdarë)
3. Gani Krasniqi (Merdarë)
4. Naser Shatri (Merdarë)
5. Fisnik Ismajli (Merdarë)
6. Blerim Manqastena (Merdarë)
7. Durim Jasharaj (Merdarë)
8. Arbër Zaimi (Merdarë)
9. Shpend Ahmeti (Merdarë)
10. Frashër Krasniqi (Merdarë)
11. Naim Bunjaku (Merdarë)
12. Pëllumb Xharra (Merdarë)
13. Kushtrim Morina (Merdarë)
14. Liburin Aliu (Dheu i Bardhë)
15. Alban Krasniqi (Dheu i Bardhë)
16. Afrim Hoti (Merdarë)
17. Taulant Kurti (Merdarë)
18. Blerim Sallahu (Merdarë)
19. Visar Ymeri (Dheu i Bardhë)
20. Aida Derguti (Dheu i Bardhë)
21. Boiken Abazi (Dheu i Bardhë)
22. Ismajl Kurteshi (Dheu i Bardhë)
23. Albana Gashi (Merdarë)
24. Premton Ibërdemaj (Dheu i Bardhë)
25. Glauk Konjufca (Dheu i Bardhë)
26. Bekim Zeqiri (Merdarë)
27. Gëzim Prestreshi (Merdarë)
28. Genc Musa (Merdarë)
29. Fidan Prokshi (Merdarë)
30. Petrit Bajraktari (Merdarë)
31. Bleron Azizi (Merdarë)
32. Fitim Rrahmani (Merdarë)
33. Nora Osmani (Merdarë)
34. Gëzim Hajdini
35. Dren Elshani (Merdarë)
36. Arlind Mangjuka (Merdarë)
37. Mirlinda Krasniqi (Merdarë)
38. Shpresa Sejdiu (Merdarë)
39. Pajtim Elshani (Merdarë)
40. Glauk Elshani (Merdarë)
41. Fidan Ademi (Merdarë)
42. Xhevdet Abazi
43. Kushtrim Avdimetaj (Merdarë)
44. Ilir Uka (Merdarë)
45. Fadil Hajdari (Merdarë)
46. Ibrahim Miftari (Merdarë)
47. Besim Ferizaj (Merdarë)
48. Arsim Termkolli (Merdarë)
49. Miftar Mehmeti (Merdarë)
50. Ilir Salihu (Merdarë)
51. Bekim Sylejmani (Merdarë)
52. Arbër Hasanaj (Merdarë)
53. Arben Hasani (Merdarë)
54. Flamur Hasani (Merdarë)
55. Ahmet Hasani (Merdarë)
56. Gëzim Latifi (Merdarë)
57. Besart Shala (
Merdaër)
58. Jeton Shala (Merdarë)
59. Gëzim Jelliqi (Merdarë)
60. Halit Memaj (Merdarë)
61. Sabri Bajraktari (Merdarë)
62. Fanol Shala (Merdarë)
63. Agim Lajthiza (Merdarë)
64. Ilir Dibrani (Merdarë)
65. Gëzim Hyseni (Merdarë)
66. Shaban Feraj (Merdarë)
67. Sabri Hasani (Merdarë)
68. Erblin Alia (Merdarë)
69. Kushtrim Krasniqi (Merdarë)

Sipas Vetëvendosjes, janë qindra të lënduar nga gazi lotsjellës. Në vazhdim janë emrat e protestuesve me lëndime të rënda fizike:
1. Glauk Konjufca
2. Hysen Kaqiku
3. Besfort Morina
4. Alban Jupolli
5. Burim Hoqa
6. Valdrin Ahmeti

E plotësuar – Përkundër intervenimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës, protestuesit tek pika kufitare Dheu i Bardhë nuk kanë ndërmend të hiqen nga rruga.

Gjatë intervenimit protestuesit kanë qëndruar të qetë e të ulur në tokë. Përkundër kësaj, Kosovapress njofton se policia ka arrestuar mbi 50 protestues,

Edhe pse aktualisht turma protestuese është ndarë në disa pjesë, duket se ata nuk kanë ndërmend të hiqen nga rruga.

Një pjesë e protestuesve po qëndrojnë ulur në rrugë.

Policia po bëhet gati që të intervenoj sërish. /Telegrafi/

E plotësuar – Anëtarët e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, kanë monitoruar ecurinë e protestave të paralajmëruara nga Lëvizja Vetëvendosje në pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë.

KMDLNj vlerëson se intervenimi i policisë ka qenë i ngutshëm dhe i panevojshëm, sepse askush nuk ka qenë i rrezikuar gjatë kohëzgjatjes së protestës.

“Duket se ka munguar vullneti për zgjidhje të problemit pa përdorim të forcës dhe janë ngritur tensionet pa pasur nevojë. Në raste të caktuara policia ka tejkaluar autorizimet duke përdorur forcë ndaj të arrestuarve”, thuhet në kumtesën e KMDLNJ-së.

“Liria e lëvizjes është e drejtë elementare e njeriut dhe ajo duhet të garantohet. Edhe e drejta për organizimin e protestës paqësore është e drejtë e njeriut e cila po ashtu duhet të respektohet. KMDLNj nuk përkrah bllokimin e rrugëve, pavarësisht motivit për të cilën bëhet dhe pavarësisht atij që bënë këtë. KMDLNj është informuar se edhe te Dheu i Bardhë policia ka intervenuar duke arrestuar së paku 3 protestues. Protestuesit në shenjë proteste janë ulur në tokë”. /Telegrafi/

E plotësuar – Pas ultimatumit, njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit edhe tek pika kufitare Dheu i Bardhë.

Policia është futur në mes protestuesit, duke ndërhyrë nga ana e pikës kufitare dhe pjesa e cila qëndronte qysh më parë përballë protestuesve.

Kosovapress raporton se tashmë policia ka bërë edhe arrestimet e para. Ndërsa sipas Vetëvendosjes, te Dheu i Bardhë arrestohet deputeti Glauk Konjufca, deputeti Liburn Aliu, deputeti Visar Ymeri, Ismajl Kurteshi, Boiken Abazi, Aida Dërguti, Alban Krasniqi, Kushtrim Morina, Premton Ibërdemaj.

Fillimisht, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, i është drejtuar masës që të jenë të qetë dhe mos të reagojnë ndaj policëve. Ai u është drejtuar edhe pjesëtarëve të policisë se protestuesit do të jenë të qetë dhe se ata nuk kanë arsye që të intervenojnë.

“Ne do të jemi të qetë dhe nuk do ta provokojmë Policinë e Kosovës. Ju nuk keni plumba për ne”, u ka thënë ai policëve. /Telegrafi/

E plotësuar – Pas intervenimit që policia ka ndërmarr para gjysmë ore, më të ashprit gjatë ditës, është arritur të shpërndahet turma e protestuesve dhe që rruga Besianë-Merdarë të vihet nën kontrollin e policisë, raporton KosovaPress.

Në vendngjarje gjendet edhe ndihma e shpejtë, sepse gjatë këtij aksioni është lënduar një polic dhe disa protestues.

Protestuesit e paktë që kanë mbetur, janë shpërndarë nëpër rrugët lokale të qytetit të Besianës, të cilët policia është duke i arrestuar.

Momentalisht nuk dihet nëse pas këtij aksioni do të ketë rigrupim tjetër të Vetëvendosjes.

Ndryshe, policia ka intervenuar edhe mbi protestuesit te Dheu i Bardhë. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, deri tash janë arrestuar tre protestues. /Telegrafi/

E plotësuar – Lëvizja Vetëvendosje njofton se janë arrestuar Arbër Zaimi, Shpend Ahmeti, Frashër Krasniqi dhe Naim Bunjaku

“Në fshatin Sekiraqë Policia e Kosovës intervenoi dhunshëm”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes. “Te Dheu i Bardhë policia përsëritë ultimatumin për shpërndarje”.

Drejtuesit e Vetëvendosjes që po qëndrojnë në këtë pik,ë nuk e kanë pranuar këtë ultimatum të policisë.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndroj në ballë të protestuesve dhe tani ata po përgatitet që të ndërhyjnë.

Sipas informacioneve të KosovaPressit, pritet që nga çasti në çast policia të intervenoj për të shpërndarë protestuesit te Dheu i Bardhë. /Telegrafi/

E plotësuar – Policia e Kosovës iu ka dhënë ultimatum protestuesve që të largohen nga Dheu i Bardhë.

Sipas komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje, Policia e Kosovës ka paralajmëruar aktivistët e Vetëvendosjes se nëse nuk largohen, do të pasojë intervenimi i tyre.

Ndryshe, KosovaPress raporton se policia ka rifilluar intervenimin me gaz lotsjellës dhe topa uji ndaj protestuesve në magjistralen që shpie për në Merdarë.

Polica është duke tentuar të shpërndajë edhe protestuesit që gjenden në brendësi të Besianës. /Telegrafi/

E plotësuar – Përkundër ndalesave të shumta nga Policia e Kosovës, mijëra protestues kanë arritur në afërsi të pikave kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë. Policia e Kosovës ka vendosur shumë pika kontrolli me qëllim që të vështirësojë dhe të vonojë protestuesit që t’i bashkohen protestës paqësore, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Gjithashtu, autoritetet kufitare kanë provuar të ndalojnë ardhjen e mbështetësve të protestës nga Tirana, por ata kanë qëndruar në zonën neutrale për disa orë. Vendosmëria e tyre ka bërë që autoritetet kufitare t’iu lejojnë hyrjen në Kosovë, dhe ata, tani, janë duke udhëtuar për t’iu bashkangjitur protestës”.

Derisa një grup i mbështetësve të protestës nga Maqedonia janë kthyer në pikën kufitare në Glloboqicë, pjesa tjetër e tyre kanë kaluar pikën kufitare në Han të Elezit dhe i janë bashkangjitur protestës te Dheu i Bardhë.

Rreth orës 14:00, sipas Vetëvendosjes, afërsisht 3000 protestues janë mbledhur në afërsi të pikës kufitare Dheu i Bardhë. Ata kanë arritur të bllokojnë njërën korsi të rrugës, për të zbatuar reciprocitetin.

“Rreth orës 12:00 Policia e Kosovës ka filluar intervenimin e dhunshëm ndaj protestuesve në Besianë, të cilët ishin të ulur në tokë. Policia ka sulmuar protestuesit paqësor duke përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topa uji. Gjithashtu, policia ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj protestuesve, duke përdorur shufrat e gomës. Është konfirmuar që katër protestues janë në QKUK. Ata janë: Hysen Kaqiku (1958), Besfort Morina (1988), Alban Jupolli (1991) dhe Burim Hoqa (1983)”.

Deri më tani, thuhet në komunikatë, janë arrestuar rreth 50 protestues, por Vetëvendosje disponon vetëm me këta tetë emra: Hysen Durmishi, Salih Zyba, Gani Krasniqi, Naser Shatri, Fisnik Ismajli, Blerim Manqastena, Durim Jasharaj dhe Skender Merturi.

“Në këto momente, protestuesit në Besianë janë riorganizuar dhe po vazhdojnë protestën paqësore. Lëvizja Vetëvendosje iu bënë thirrje
qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen protestës që t’ia marrim Serbisë pushtetin në Kosovë. Gjithashtu, i bëjmë i thirrje Policisë së Kosovës që të mos zbatojnë urdhrat e padrejta të Qeverisë së Thaçit, por vendimin e drejtë të Kuvendit”. /Telegrafi/

E plotësuar – Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se VV nuk do të zmbrapset – “deri në aktivistin e fundit”.

“Turmat e protestuesve janë duke u shtuar. Janë duke ardhur edhe dy autobusë nga Tirana dhe tre autobusë tjerë nga Prishtina. Ne nuk jemi duke e penguar lëvizjen e lirë, jemi duke i penguar vetëm maunat me mallra serbe. Deri më tani nuk ka mundur me kalua asnjë maunë me mallra serbe”, tha Ahmeti për KosovaPress, sipas së cilës Albin Kurti është duke qëndruar me turmën e qytetarëve brenda Besianës. /Telegrafi/

E plotësuar – Gjate intervenimit, Policia ka hasur në rezistencë aktive nga ana e protestuesve, thuhet në komunikatën për shtyp të Policisë së Kosovës.

“Në bazë të informacioneve të pranuara nga qendra mjekësore, deri në këto momente katër (4) persona kane kërkuar ndihmë mjekësore. Gjatë intervenimit policor janë ndaluar deri në këto momente dyzet e dy (42) persona te cilët janë shoqëruar në stacionin policor për procedurë të mëtutjeshme hetimore”, thuhet në komunikatën për shtyp të PK-së, sipas së cilës numri i policëve të lënduar arrin në 13.

“Gjatë ditës kanë hyrë automjete të ndryshme udhëtarësh dhe disa kamionë me mallra të cilat kanë kaluar duke iu nënshtruar procedurave kufitare dhe doganore”, thuhet në komunikatë.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar që të kryej të gjitha detyrat e saj konform autorizimeve të saj ligjore”. /Telegrafi/

E plotësuar – Protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje po rigrupohen në Besianë, ndërsa Policia përgatitet për intervenim të radhës

Në këto momente është qetësuar situata në rrugën kryesore që shpie për në Merdarë, raporton KosovaPress.

Policia po furnizohet me topa uji dhe gaz lotsjellës për të bërë intervenimin e radhës ndaj protestuesve, të cilët po arrijnë të rigrupohen.

KosovaPress raporton se një grup i të rinjve janë grumbulluar edhe brenda qytetit të Besianës, ndaj të cilëve policia është duke përdor topa ujë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Protestuesit në vazhdimësi brohorasin “Serbia nuk kalon”.

Ndryshe, gjendja në pikën kufitare Dheu i Bardhë duket më e qetë.

Aktivistët e Vetëvendosjes kanë deklaruar se protesta e tyre do të vazhdojë deri në realizimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës për kthimin e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë. /Telegrafi/

E plotësuar – 30 protestues mbahen në stacionin policor në Besianë, thuhet në kumtesën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, dy protestues, Alban Jupolli (1991) dhe Burim Hoqa (1983), janë të lënduar në kokë. Ata gjinden në QKUK, në Emergjencë. /Telegrafi/

E plotësuar – Aksioni i policisë së Kosovës, është mbështetur për së afërmi nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Siç mëson Zëri, gjatë ditës së djeshme ai për disa orë ka qëndruar në stacionin policor në Besianë dhe në pikën kufitare në Merdarë.

Pas qetësimit – pak a shumë të situatës në rrugën nga Podujeva deri në Merdar, përkatësisht tërheqjes së protestuesve të Vetëvendosjes – ka rifilluar hyrja e kamionëve me mallra serbe në pikën doganore të kufirit Kosovë-Serbi, në Merdar.

Sipas burimeve jozyrtare të Koha.net, në orët e pasdites janë futur në Kosovë dy kamionë me mallra serbe. /Telegrafi/

E plotësuar – Policia është duke vazhduar aksionin kundër protestuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në Besianë.

Pos përdorimit të topave me ujë dhe gazit lotsjellës, policia po vazhdon me arrestimet e aktivistëve të Vetëvendosjes, raporton KosovaPress.

Aksioni i policisë është i përqendruar kryesisht në magjistralen Prishtinë-Merdarë. /Telegrafi/

E plotësuar – Hysen Kaqiku (1958) dhe Besfort Morina (1988) janë lënduar rënd.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, ata momentalisht gjenden për trajtim në QKUK. /Telegrafi/

E plotësuar – Gani Krasniqi, Blerim Maqestena, Salih ZYba, Hysen Durmishi, Naser Shatri dhe 13 të tjerë, kanë nevojë për mjekim nga spreji. Ata gjenden në stacionin policor të Besianë, thonë nga Vetëvendosje.

Albin Kurti nuk është arrestuar, por është dërguar në një autoambulancë për mjekim dhe pastaj i është bashkuar protestuesve.

“Në Besianë, te Qendra Tregtare “Albi Center”, qindra protestues po sulmohen brutalisht nga Policia e Kosovës. Mbështetësit nga Tirana janë lejuar të kalojnë kufirin dhe janë duke ardhur për t’iu bashkuar protestuesve”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes.

Policia është duke përdorur topa me ujë, ndërsa protestuesit po tentojnë të rigrupohen, raporton KosovaPress. Prapa policisë janë edhe automjetet e zjarrfikësve, të cilët po e furnizojnë policinë me ujë. /Telegrafi/