Homazhe dhe akademi përkujtimore në përvjetorin e vdekjes së Presidentit Rugova

Prishtinë, 21 janar – Në përvjetorin e gjashtë të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, sot në Prishtinë u mbajtën akademi përkujtimore dhe u bënë homazhe te varri i tij. Në këto akte përkujtimi morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit: kryetarja e vendit Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë, kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe përfaqësuese të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot familjen Rugova, si dhe bëri homazhe para varrit të Presidentit Rugova në lagjen Velania. Në një bashkëbisedim me familjen, presidentja Jahjaga tha se vlerat e Presidentit Rugova kanë qenë dhe do të jenë edhe në të ardhmen një udhërrëfyes i mirë për të gjitha gjeneratat e vendit tonë.
Këto vlera, tha ajo, janë një udhërrëfyes i mirë për të gjithë ne, që të punojmë në të mirë dhe në interes të vendin dhe të popullit tonë. Duke nderuar veprën e Presidentit të Parë, Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova, nderojmë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Ndjejmë të gjithë dhimbje që Presidenti dr. Ibrahim Rugova nuk gjendet fizikisht në mesin tonë. Ai gjithmonë ka qenë një njeri që ka rrezatuar mençuri, mirësi dhe optimizëm. Kosova dhe populli i saj gjithmonë do ta kujtojë vizionarin dhe udhëheqësin tonë, i cili, gjithnjë, me durimin dhe me përkushtimin e tij dhe me rrugën e proceseve demokratike për vendin e popullin tonë, trasoi rrugën për liri, demokraci dhe pavarësi. Presidenti Rugova e trasoi rrugën e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Po ashtu, e trasoi rrugën që Kosova të jetë vend i anëtar i BE dhe i NATO-s, me një miqësi të përhershme me SHBA-të, tha Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në familjen Rugova.
Pas vizitës në familje, Presidentja Jahjaga bëri homazhe para varrit të Presidentit Rugova, në lagjen Velania në Prishtinë.
Me rastin e gjashtëvjetorit të vdekjes së Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova sot në Prishtinë u mbajt një akademi përkujtimore.
Presidentja Atifetja Jahjaga, nën patronazhin e së cilës është mbajtur akademia përkujtimore, tha se përkujtimi i veprës kolosale të Ibrahim Rugovës u bën nder të gjithë kosovarëve. na bën të ndiejmë dhimbje dhe njëkohësisht krenari për rrugën e mundimshme dhe përplot sakrifica që e kemi kaluar.
Duke vlerësuar të arriturat tona, ne sot kujtojmë të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë dhe që u shkrinë duke punuar për të mirën e popullit dhe të atdheut për të qenë ne sot të lirë dhe sovranë në trojet tona.
Presidenti Rugova ishte prijës i një gjenerate që solli rilindjen e mendimit kritik dhe guximin e veprimit politik në rrethanat më të rënda të historisë së popullit të Kosovës. Si gërshetim i urtësisë, mençurisë dhe përgjegjësisë ai e formësoi platformën politike duke e bazuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të drejtën e një jete të barabartë me të tjerët dhe për përcaktimin e tyre për vetëvendosje.
Kjo platformë e qëndresës dhe rezistencës aktive paqësore, u ndërtua me mund dhe sakrificë në një botë të antagonizmave, hegjemonizmit dhe të dhunës ndaj një populli dhe një vendi të vogël.
Dr. Rugova, së bashku me intelektualët e tjerë, krijoi dhe udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e parë demokratike në historinë e popullit të Kosovës, e cila së bashku me partitë e tjera që u formuan ndërkohë iu kundërvunë me vendosmëri sistemit okupues dhe arritën që kauzës sonë kombëtare t’i japin orientim perëndimor. Presidentit Rugova dhe gjeneratës së tij u takon edhe merita për ndërtimin e partive të orientimit properëndimor e demokratik duke kultivuar karakterin liridashës, atdhetar dhe civilizues të kombit, dhe duke hequr përgjithmonë nga sfondi idetë komuniste.
Me nismën e Rugovës u krijua Këshilli i gjashtë partive politike të Kosovës e më vonë edhe Këshilli Koordinues i njëmbëdhjetë partive politike shqiptare në Jugosllavi që në bazë të barabartë, të një parlamentarizmi bashkëkohorë, dhe me një konsensus të plotë ndërtoi dhe miratoi Platformën Politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish Jugosllavi. Ai siguroi përkrahje dhe mirëkuptim për kërkesat e drejta të shqiptarëve dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje.
Dr. Ibrahim Rugova ishte ideatori dhe udhëheqësi i përpjekjeve për themelimin dhe funksionimin e institucioneve të shtetit autonom të Kosovës si sistem paralel nën okupim. Ky sistem e kishte legjitimitetin dhe përkrahjen e plotë të popullit, e cila u vulos me referendumin për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur që u organizua në shtator të vitit 1991.
Politika e mençur e Dr. Rugovës e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës duke demaskuar politikën agresive dhe represive të hegjemonizmit serb, që shkaktoi luftëra të përgjakshme në pjesën më të madhe të ish Jugosllavisë.
Presidenti Rugova njihet për tri fjalët rreth të cilave qytetarët u mobilizuan: LIRI PAVARËSI, DEMOKRACI. Kjo simbolizonte platformën e tij politike, që bazohej në rrjedhën e natyrshme të proceseve: të fitojmë lirinë, të shpallim pavarësinë, të ndërtojmë demokracinë. Kjo ëndërr e tij tashmë është bërë realitet.
Neve, pasardhësve të tij, na mbetet të punojmë për forcimin e demokracisë në shtetin tonë dhe transformimin shoqëror që do të siguronte integrimin tonë në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe në të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikën e fqinjësisë së mirë dhe miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndihma e të cilave është e pazëvendësueshme në këto procese.
Republika e Kosovës nderon gjithmonë bijtë dhe bijat e veta që kontribuuan që ne sot të jemi të lirë, të pavarur, të barabartë e dinjitoz në trojet tona, përfundoi fjalën e vet kryetarja e vendit Atifete Jahjaga. /KohaNet/

KOMENTOJE