Kryetari i KNSH-së Tahiri takon deputetet shqiptarë – Opsion shumë real mbetet organizimi i Protestës Qytetare për të drejtat tona

Të hënën me datë, 23.01.2012 me iniciativën e kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, z. Tahir Tahiri,në Ulqin u mbajt një takim pune me deputetet shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi – anëtarë të Këshillit Nacional të Shqiptarëve.

Temë kryesore e këtij takimi, ku morën pjesë deputetët: Mehmet Bardhi, Vasel Sinishtaj, Luigj Shkreli dhe Genci Nimanbegu ka qenë; Çështjet aktuale lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi – cenimi i të drejtave, me theks në Ligjet e aprovuara në kohë të fundit por edhe më përpara, si dhe Veprimet të cilat duhet të ndërmarrë KNSH- ja për realizimin dhe avansimin e këtyre të drejtave.

Pas debateve konstruktive dhe të argumentuara lidhur me temën në fjalë, ku u përmendën një për një, të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Malin e Zi. në fund të takimit, njëzëri u aprovuan këto përfundime:

• Përkrahet dhe përshëndetet iniciativa e kryetarit të KNSH-së për organizimin e këtij takimi me deputetët dhe takimeve të tjera të kësaj natyre në të ardhmen, ku do të diskutohen çështje me rëndësi jetike për shqiptarët në Malin e Zi.
• Në koordinim me deputetet shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, Problemet aktuale dhe kërkesat lidhur me të drejtat e shqiptarëve,edhe njëherë tu adresohen Institucioneve më të rëndësishme shtetrore të Malit të Zi.
• Me problemet e shqiptarëve në Malin e Zi, në mënyrë të detajuar të njoftohen dhe Institucionet ma të larta të Shqipërisë, Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
• Me qëllim të sensibilizimit sa më të madh të problemeve të shqiptarëve para opinionit vendas dhe të huaj, të drejtave të cenuara , si dhe realizimin dhe avansimin e të drejtave shqiptarëve në Malin e Zi, opsion shumë real mbetet organizimi i Protestës Qytetare, si mjet demokratik për realizimin e qëllimeve dhe të drejtave të cenuara e të mohuara.
• Për të gjitha çështjet e lartëpërmendura do të diskutohet edhe në mbledhjen e rregullt të radhës të KNSH-së e cila do të mbahet në ditët në vijim.

SEKRETARTI i KNSH-së
Daut Ceka

KOMENTOJE