Letra drejtuar Kryeministrit Berisha nga Deputeti Vasel Sinishtaj

Më poshtë mund të lexoni letrën e deputetit Vasel Sinishtaj dërguar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, dy ditë para vizitës së tij në Mal të Zi.

Iniciativa Qytetare Tuz
Zyra e deputetit të Malësisë
Nr. 01/12

Z. Sali Berisha
Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

I nderuar z. Kryeministër,

Përfitoj nga ky rast të Ju dëshiroj mirëseardhjen në tokat tona shqiptare këtu në Mal të Zi, duke uruar për Ju shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe suksese të plota në detyrën Tuaj tepër të rëndësishme për popullin Shqiptar.

Dëshira ime do të ishte që të kam një rast të ulem pran Jush dhe të Ju shpreh shqetësimet lidhur me problemet e mëdha me të cilat po ballafaqohemi dhe që po i përjetojmë. Me shpresë që e ardhmja do të sjell një rast të tillë, e mora lirinë që shkurtimisht të përshkruaj pozitën e Shqiptarëve në Mal të Zi me bindje se do të hasi në mirëkuptimin Tuaj dhe në të ardhmen e shpejtë ta ndjejmë dhe shijojmë ndikimin dhe influencën e Shtetit Amë ndaj Malit të Zi, që ky shtet të lënë pas politiken diskriminuese dhe anti-shqiptare dhe të filloj restaurimin e të drejtave elementare njerëzore dhe qytetare ndaj popullatës autoktone Shqiptare, që gjatë viteve dhe dekadave të fundit gradualisht i janë cenuar.

E them kështu, z. Kryeministër, sepse kemi arritur fundin e shpresës që edhe ne, si një pjesë e trungut shqiptar, te gëzojmë potencialin e kushteve politike dhe shoqërore që sjellin një jetë më të mirë, me të drejta të barabarta me popujt e tjerë në Mal të Zi.

Shpresonim se me votën tonë që definoj pavarësinë e Malit të Zi, kjo nuk do të na ndodh në një shtet që pretendon ta quaj veten demokratik dhe synon të integrohet ne proceset e matutjeshme evropiane dhe evroatlantike. Por ndodhi e kundërta.

Çfarë mund të konstatojmë pesë vite më pas dhe si është gjendja e lirive dhe të drejtave të Shqiptarëve të garantuara me kushtetutë, në Malin e Zi të sotëm? Për fat të keq, gjendja jonë jo vetëm që nuk ka përjetuar ndonjë përmirësim por është keqësuar akoma më shumë, duke marrë një trend degradimi të dukshëm dhe shumë shqetësues.

Këto shqetësime i kam shprehur përmes një letre të hapur drejtuar z. Leopold Maurer, shefit të Misionit Evropian në Podgoricë, i cili në përgjigjen e tij konstatoj se i ka marrë në dije problemet tona dhe do i shqyrtoj me palën malazeze gjatë bisedimeve zyrtare në procesin e integrimeve evropiane.

Në fillim të Janarit bëra një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikes dhe zhvillova takime me disa anëtar të Kongresit Amerikan ku gjeta mirëkuptim dhe përkrahje të konsiderueshme.

U detyrova të veproj në këtë mënyrë sepse, në shtetin e pavarur të Malit te Zi, sot popullata Shqiptare po humbë liritë dhe të drejtat më elementare që i gëzonte vite me radhë, madje edhe gjatë bashkësisë Serbi-Mal i Zi.

Duke vëzhguar nga distanca, sigurisht që mund të shtroni pyetjen se pse po ndodhë kështu? Përgjegjëja është shumë e qartë dhe bazohet në faktet që vijojnë.

Diplomacia malazeze e kuptonte fare mirë qëndrimin e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare kur ishte pyetja e pavarësisë së Malit të Zi. Në princip dhe për hir të pozitës gjeo-politike gjithë-shqiptare edhe ne ishim në favor të pavarësisë, por isha në bindje atëherë dhe akoma ngelem me të njëjtën bindje që mbështetja e jonë e pa kushtëzuar ishte një hap i ngutshëm politik që nuk e përdorem për zgjedhjen e çështjes Shqiptare, të paktën në pyetjet e karakterit jetësor, si shembull, njohja e të drejtës për komunë të plotë për 12.500 qytetar të Malësisë, me qendër në Tuz; mos-privatizimi i ndërmarrjeve në mjedisin Shqiptar pa aprovimin e pushtetit lokal; rikthimi i pronave të nacionalizuara tek pronaret e mëparshëm; decentralizmi i pushtetit; punësimi adekuat i Shqiptarëve dhe njohja e së drejtës në përfaqësimin autentik, duke respektuar parimin e aksionit afirmativë, duke na bërë kështu, për herë të parë në historinë tonë kombëtare, pjesë e këtij shteti me votën e Shqiptarëve dhënë në referendum. Kësaj, populli jonë i thotë, “kalova lumin e të …………..”.

Nga ana tjetër, klithmat për ndihmë në përmirësimin e gjendjes, drejtuar tek Ju, nuk u dëgjuan. Përkundrazi, ishim të bindur se Tirana dhe Prishtina zyrtare dëgjonin propagandën e Malit të Zi që e trumbetonin përmes z. Dinosha, i cili ka qenë protagonisti dhe shkaktari kryesor i degradimit të të drejtave elementare të Shqiptarëve në ketë vend. Është pikërisht politika e ndjekur nga z. Dinosha që Malësia sot është pa komunë të plotë; qe ekonomia dhe turizmi në Komunën e Ulqinit janë në nivelin më të ulët dhe me borxhe të krijuara që tejkalojnë 20 milion euro; nacionalizimi i Alpeve Shqiptare në Komunën e Plavës dhe planifikimi për ndërtimin e një hidrocentrali i cili do të uzurpoj tokat private të shqiptarëve duke i lënë pa mundësi ti punojnë për të fituar kafshatën e gojës për familjet e tyre; “privatizimi” i Kriporesë së Ulqinit me një sipërfaqe prej 15 milion metra katror, ku një mik i ngushtë i kryeministrit të atëhershëm, pa shpallje konkurrence, e blen këtë truall për 6 cent metrin katror, e mbyll fabrikën e kripës, përjashton punëtorët shqiptar dhe tani e ka vënë në shitje për një shumë prej 257 milion euro; uzurpimi i bregdetit të Ulqinit nga Qeveria duke implementuar ligjin e të “Mirave detare”, që në trojet e Ulqinit u përdorë për të uzurpuar vendet më të bukura të bregdetit të këtij qyteti, kryekëput shqiptar.

Është pikërisht merita e politikës së z. Dinosha që po bëhet kolonizimi i tokave private dhe fisnore Shqiptare, me qëllim për të ndryshuar strukturën demografike të trojeve tona etnike; punësimi i shqiptarëve në sektorin qeveritar është nën 1%; në tërë kryeqëndren e Malit të Zi – Podgoricë nuk ekziston një prokuror e as një gjykatës Shqiptar, as një shkollë e lartë për studentet shqiptar, sllavizmi i emrit personal të fëmijëve të posalindur shqiptar, pa konsultim me familjet, që është hapi i parë drejt asimilimit; privimi nga shtetësia për të shpërngulurit dhe mos regjistrimi i tyre, e tani po mundohen të na ndalojnë edhe përdorimin e simbolit kombëtar – flamurit e të tjera.

Z. Dinosha ishte Ministër i Pakicave, por gjatë mandatit të tij i humbem të gjitha këto të drejta, duke përfshirë edhe 5 mandate te deputetëve Shqiptar dhe vendet e posaçme të votimit, që ishin të drejta të fituara, e qeveria malazeze, për lojalitetin e tij, e shpërbleu me postin e ambasadorit në Tiranë.

Z. Kryeministër, jam plotësisht i bindur se situata mund të ndryshoj shumë shpejt në drejtim pozitivë nëse Ju, në takimet me palën malazeze, insistoni që Mali i Zi të respektoj Kushtetuten, ligjet dhe normat ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të pakicave, e posaçërisht të pakicave kombëtare. Populli Shqiptar në Mal të Zi nuk kërkon jo më pak, e as më shumë, se ato të drejta që i meriton dhe i janë të garantuara nga Kushtetuta, ligjet dhe normat ndërkombëtare, pra mundësi dhe perspektivë të njëjtë me popujt e tjerë në Mal të Zi.

Ne mendojmë se është një obligim dhe ndërgjegjeje kombëtare por edhe morale të tregohet një seriozitet i politikes shqiptare për mbrojtën e të drejtave elementare të Shqiptarëve jashtë kufijve të Shtetit Amë. Është koha të
informohen fqinjët tanë se ne duam fqinjësi të mirë, por koha që të tjerët të lozin me fatin e popullit Shqiptar ka marrë fund një herë e mirë, dhe jo se jo nga Mali i Zi që 53% të popullatës e përbëjnë pakicat.

Nëse Shteti Amë, për hir të një gjeo-politike afatshkurter apo dhe afatgjatë, vazhdon me heshtje, atëherë, z. Kryeministër, nuk duhet të befasohemi nga faktet se komunat, dikur më shqiptare, Tivari, Plavë dhe Rozhajë janë të humbura e ku tani është vështirë ta dëgjoni një fjalë në gjuhen shqipe. Malësia, pa komunë të plotë është në shënjestër të një kolonizimi të përshpejtuar. Malësia po boshnjakëzohet dhe brenda pak dekadash do të përjetoj fatin e njëjtë me të Tivarit. Kraja, Ana e Malit, Gucia dhe Dacajt, të gjitha këto troje shqiptare, janë lënë pasdore, të rrezikuara dhe në drejtim të sllavizmit të shpejt. Në Ulqin, me privatizime të dyshimta, pa investime nga qeveria, një gjendje e vështir ekonomike i ka shtyrë shumë banor që të zgjedhin shpërnguljen dhe emigrimin, fenomen që për dekada ka prekur të gjitha rajonet shqiptare në Mal të Zi dhe është e pa dyshimtë se ky fenomen është pasoj e një politike mirë të sajuar me qëllim që të vinë ajo ditë kur tokat shqiptare të ngelen pa Shqiptar.

Frikësohem, z. Kryeministër, se ajo ditë nuk është shumë larg.

Parimi në jetën dhe profesionin tim është: “në mes paqes dhe drejtësisë, të zgjidhet drejtësia”, sepse pa drejtësi paqja është e brishtë dhe e përkohshme.

Apeloj tek Ju, z. Kryeministër, për hir të ekzistencës sonë kombëtare, si pjesë e trungut, e historisë dhe gjakut të përbashkët, të kërkoni drejtësi për popullin Shqiptar në Mal të Zi. Kërkoni që Mali i Zi, i cili pretendon të i bashkëngjitet familjes evropiane, të respektoj liritë dhe të drejtat tona si pakicë kombëtare të garantuar nga ligjet dhe standardet ndërkombëtare por edhe nga vet kushtetuta e Malit të Zi.

Me shpresë që do të gjejë mirëkuptim dhe përkrahje nga Ju, Ju falënderoj për mirësinë Tuaj.

Me vlerësimet më të larta,

Vasel Sinishtaj,

Jurist i diplomuar,
Deputet në Kuvendin e Malit të Zi

KOMENTOJE