Ballkani drejt ndryshimit të kufijve

Një raund të ri ndryshimi kufijsh do të kemi së shpejti në Ballkan. Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë ende dy vende politikisht dhe ekonomikisht të brishta, që jetojnë nën protektoriatin e vendeve perëndimore, së bashku me Maqedoninë.

Kështu thotë Instituti Gjerman për Cështjet Ndërkombëtare dhe Sigurinë, SWP, në bazë të një analize të kryer nga Dusan Reljic, ku nënvizohet se konfliktet etno-politike do të ndodhin sërish në këto tre vende.

Në dy dekadat e fundit konfliktet territoriale në zonën e ish-Jugosllavisë janë zgjidhur me tërheqjen e kufijve, gjë që rrallë ka ndodhur pa dhunë, vlerëson analiza.

Sipas saj, vendi ku harta politike ka mundësi të rishikohet është trekëndëshi i përbërë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Kjo zonë dominohet kryesisht nga popullsia shqiptare, shumica e të cilës kërkon bashkimin në një shtet të vetëm. Kështu, nga një sondazh i kryer në vitin 2010 rezulton se:

81 për qind e popullsisë shqiptare në Kosovë kërkon një Shqipëri të Madhe, në Maqedoni të njëjtën gjë e kërkon 66 për qind e shqiptarëve dhe në Shqipëri 63 për qind.

Në analizë theksohet se pikërisht në vitin 2009, ambasadori amerikan në Tiranë kishte kundërshtuar dhe ndërprerë angazhimet publike të kryeministrit Sali Berisha për bashkimin e shqiptarëve.

Por, lëvizja Vetëvendosje, forca e tretë parlamentare në Kosovë dhe që po përhapet me shpejtësi, ka ringjallur idenë në radhët e kombit shqiptar në Ballkan, duke e vendosur atë në majë të prioriteteve të saj.

Gjithashtu, edhe serbët e Kosovës refuzojnë të jenë pakicë në një shtet me shumicë shqiptare, gjë që sipas SWP, bën më të fortë hipotezën për një rishikim të kufijve në Ballkan.

Shpërthimi i një konflikti të ri etno-politik do të godiste në zemër Evropën jug-lindore dhe investimet që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Evropës perëndimore kanë bërë atje.

Vendet e Ballkanit perëndimor janë të kufizuara nga vendet anëtare të BE, kështu që cdo destabilitet në to do të kishte impakt edhe në vendet fqinje, kryesisht në formën e emigracionit.

Për rrjedhojë, qëndrimet e ndryshme politike mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore për Ballkanin me shumë mundësi do të ridalin në sipërfaqe.

Nga ana tjetër, pesë vendet anëtare të BE që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës nuk po japin shenja për një ndryshim të qëndrimit të tyre.

Gjithashtu, përballjet e Kinës dhe Rusisë me Perëndimin për politikat e fundit në Ballkan, që nuk janë harruar, ka shumë mundësi që të rishfaqen në arenën ndërkombëtare, vlerëson më tej analiza. /Top Channel/

KOMENTOJE