Thaçi: Një komb, dy shtete

Kosova po feston katër-vjetorin e pavarësisë së saj. Forcat e Sigurisë së Kosovës parakaluan për herë të parë në këtë festë. Udhëheqësit më të lartë të institucioneve si edhe ata të partive politike bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, rikujtuan sakrificën e atyre që dhanë jetën për liri e pavarësi, si dhe shpalosën vizionin për një Kosovë demokratike, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ndërkohë, në katër vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Sali Berisha, kanë prerë shiritin e inaugurimit të ambasadës së re të Kosovës në Tiranë.

Me këtë rast kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se Shqipëria dhe Kosova janë një komb, por dy shtete. Sipas tij, kështu edhe do të ecet drejt Bashkimit Evropian. “Është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm. Falënderoj Qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Berisha për këtë dhuratë në katër vjetorin e pavarësisë. Jemi një komb dhe dy shtete, dhe bashke do te jemi nnë Bashkimin Evropian dhe NATO. Sot po shënojmë një datë historike, një progres të jashtëzakonshëm”, ka thënë Thaçi, raporton RTK.

Kryeministri i Kosovës ka falënderuar kryeministrin Berisha dhe gjithë kombin shqiptar për mbështetjen e dhënë dhe për dhuratën që iu dedikua Kosovës në përvjetorin e katër të shtetësisë.

Nga ana e tij, kryeministri i Berisha e cilësoi hapjen e Ambasadës së Kosovës si një moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve. “Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, sikundër Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë, kanë mision të dyfishtë, kanë mision forcimin e pozitës ndërkombëtare të dy vendeve, bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, por kanë misionin tjetër kombëtar, të kapërcimit me vendosmëri të të gjitha pasojave të krijuara gjatë një periudhe të gjatë ndarjesh, kufizimesh e bllokimesh të pamerituara”, ka thënë Berisha. /Telegrafi/

KOMENTOJE