Spahiu: Berisha e Thaçi janë antishqiptarë

Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, gjatë një konference për shtyp, ka kërkuar një interpelancë me kryeministrin Sali Berisha, për takimin që ka zhvilluar me kreun e Demokracisë së Re në Greqi, Antoni Samaras
Spahiu kërkon të zbardhet takimi mes kryeministrit e Samaras, i datës 12 dhjetor 2011, gjatë Kongresit të Partisë Popullore Evropiane, raporton Tema.
Samaras i propozoi asokohe Berishës që dy vendet të shqyrtojnë përsëri marrëveshjen për përcaktimin e kufijve të zonave detare dhe të shelfit kontinental midis tyre. Për këtë arsye, Spahiu ka kërkuar nga kryeministri Berisha që të zbardhë pazarin me Samaras për kufirin detar dhe çfarë do të përfitojë ai nga kjo marrëveshje.
Spahiu pyeti: Çfarë i kërkoi Samaras, Berishës, çfarë pazari bëri Berisha. Ai theksoi më tej se kompani të njerëzve të mafias serbe janë kualifikuar nga qeveria shqiptare në koncesione kërkimi nafte në jug dhe jugperëndim të vendit.
Sipas Spahiut, komisioni hetimor ndaj tij ishte amanet i Athinës. “Berisha është peng i të sotmes dhe të ardhmes”, theksoi Spahiu duke shtuar se “AK do të mbysë lidershipin krokodil me detin e votave kuq e zi”.
Spahiu, përveç Berishës ka sulmuar edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai deklaroi se janë dy qeveritë, Berisha dhe Thaçi, që në vend që të bashkojnë shqiptarët i ndajnë ata, pasi janë dy qeveritë më të korruptuara në rajon dhe Evropë.
“Berisha e Thaçi janë antishqiptarë dhe janë kundër bashkimit të shqiptarëve,” theksoi Spahiu. Ai tha se ata drejtojnë qeveritë më të korruptuara në Evropë. “Berisha është i kapur nga mafia rajonale,” u shpreh Spahiu. “Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do mbeten në opozitë. Ato do fundosen nga votat kuq e zi”. /Telegrafi/

KOMENTOJE