U promovua vepra poetike ‘Lojë me fjalë” e prof. Rexhep Abazit nga Medvegja
I organizuar nga Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” Takimi poetik që po bënte promovimin e veprës poetike “Lojë me fjalë” të pedagogut, veprimtarit dhe poetit , prof. Rexhep Abazi , është kthyer në festë. Ishin bërë bashkë në ambientet e Asamblesë Komunale të Pejës veprimtarë të kulturës, poetë, mësimdhënës, nxënës e gazetarë. Ishin aty edhe përfaqësues të Ballit Kombëtar, veprimtarë nga trojet etnike dhe që të gjithë kanë përgëzuar Abazin për angazhimet atdhetare dhe për vargun shqip.
“Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “ Martin Dreshaj” me aktivitetet e saj nëpër gjithë këto vite është angazhuar për unifikimin e kombit tonë. Me vëllezërit nga Grupi Folklorik “ Shpëtimi” i Medvegjës kemi zhvilluar dhjetëra aktivitete të përbashkëta kulturore kudo në Manifestime me vlerë në trojet etnike. Bashkërisht jemi edhe në Manifestimin “Zëri i Vëllazërisë” i cili këtë vit dot jetë edhe më i plotë sepse zhvillohet në respekt të përvjetorit të madh të Flamurit kombëtar e me moton “ 100 vite rrugëtim drejt Bashkimit Kombëtar”, ka thënë në fjalën përshëndetëse, Rrahman Jasharaj , koordinator dhe zëdhënës i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Pas kësaj poeti, dramaturgu, gazetari e kritiku letrar Sejdi Berisha ka bërë një prezantim të veprës poetike “Lojë me fjalë”. Ai ka lavdëruar angazhimet e poetit Abazi dhe ka falënderuar atë që po sjellë edhe në Pejë, Dukagjin e Kosovë atë vargun e bukur shqip nga një pjesë tjetër e trojeve etnike.
Eksperti në fushën e letërsisë dhe poeti e gazetari Prend Buzhala duke përshëndetur këtë festë në emër të gjithë poetëve nga Klina ka lavdëruar punën e Shoqatës dhe ka uruar prof. Rexhep Abazin për punën e madhe në edukimin e brezave, në angazhimet atdhetare dhe në rrugëtimin e vargut shqip. Ai sikur ka obliguar profesorin nderuar nga Medvegja që të mos ndalet së punuari e së vëni në letër vargun shqip , që si tha ai, për t’ia lënë dhuratë brezave. Edhe luftëtari i lirisë dhe poeti Ali Geci ka përshëndetur këtë festë të fjalës së bukur shqipe dhe ka thënë se takimet si ky i bëjnë bashkë vëllezërit në një vend dhe ata lexojnë vargje të bukura dhe flasin për të kaluarën tonë të lavdishme.
Kishte edhe shumë poetë nga trojet etnike që uruan prof. Abazin. Ishin këto e në këtë festë edhe aktorët e Shoqatës që recituan fragmente nga e kaluara jonë e lavdishme. Ishin këtu edhe shumë nxënës që bashkëbiseduan me Rexhën dhe pranuan nga ai nga një ekzemplar të librit të tij.
Autori i librit që po promovoje është ndier bukur mes gjithë atyre pjesëmarrësve në këtë takim letrar. Ka folë pak, por ka premtuar se do të vazhdojë me krijimtarinë letrare dhe me punën në shërbim të kombit e gjuhës sonë.
“Doli e bukur kjo festë e fjalës së shkruar. Ishim këtu bashkë poetë e veprimtarë nga shumë troje
Etnike dhe kur jemi bashkë jemi më të mirët dhe festat bëhen të bukura. Profesorit Rexhep i uroj suksese edhe në të ardhmen. Ai është një shembull i shkëlqyer prej pedagogu, veprimtari, por edhe nuk u ndahet në këngë e valle djelmoshave që ruajnë këngën e vallen shqipe” , ka deklaruar Ukshin Jashari, kryetar i Shoqatës organizatore të kësaj feste poetike.
Rrahman Jasharaj