“Historianët e rinjë” shënuan 568 vjetorin e “Lidhjes së Lezhës”

Tuz, Malësi – Grupi “Historianët e rinjë”, i cili vepron në kuadër të shkollës së mesme “25 Maji” në Tuz, me një orë historike shënoi 2 marsin, ditën e “Besëlidhjes Shqiptare”, të vitit 1444 , të mbajtur në qytetin shqiptar Lezhë. Ky grup, i udhëhequr nga profesori ,Mark Junçaj, e organizoi këtë takim, me qëllim të shënimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike , pas kthimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu në atdhe. Ishte ky vendim historik për unisimin e të gjitha forcave ekzistuese në vend dhe siç do të dëshmohet më vonë, parakushti kryesor për luftën për liri kundër pushtuesit otoman. Grupi “Historianët e rinjë” , me këtë rast kishte përgatitur disa kumtesa historike lidhur me këtë ngjarje , duke veçuar rëndësinë e saj historike në rrjedhat e përgjithshme mbarëkombëtare. Kumtesat e përgatitura i lexuan nxënësit; Samina Pepiq, Merita Sinishtaj, Nikolina Nicaj, Martin Dukaj dhe Liridon Vulaj.Ndërkaq, nxënëset Merita Dedivanaj dhe Alldina Qetkoviq, recituan disa vargje të zgjedhura nga poet të shquar shqiptarë, kushtuar kryetrimit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kështu, grupi “Historianët e rinjë” , në praninë e nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle, e shënuan këtë ngjarje, e cila kët vit u shënua në nivelin më të lartë në Shqipëri duke i paraprirë manifestimeve të parapara në njëqindvjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë nxënësit e kësaj shkolle e dëshmuan nevojën e veprimtarisë së këtillë, që përmes aktiviteteve të ngjashme të veprojnë në kultivimin dhe afirmimin e vlerave tona, nga e kaluara e lavdishme historike.

Kristjan Dukaj

KOMENTOJE