Pesë shqiptarë në gjendje të rëndë e një në komë pas sulmit në Shkup

Shkup, 8 mars – (E plotësuar) Pesë nxënës shqiptarë të rrahur mbrëmë nga persona të maskuar në lagjen Kisella Voda të Shkupit janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në gjendje kome është nxënësja Amire Suelejmani, 17 vjeçe.
Kundër këtij rasti kanë reaguar Lëvizja qytetare Zgjohu, Partia Rilindja Demokratike Kombëtare, BDI-ja Vetëvendosje si dhe organizata e individë.
Zyrtarja e lartë e BDI-s deputetja Ermira Mehmeti e ka quajtur këtë ngjarje tragjike. “Informacionet e para duken të paqarta por flasin për një skenar relativisht mirë të menduar dhe kjo na shqetëson seriozisht. Si parti do t’i marrim të gjitha masat e mundshme në Qeveri për të zbardhur incidentin dhe të mos ketë më incidente të tilla.
Ndaj këtij sulmi është prononcuar ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
“Ministria e Brendshme ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme nga ana e policisë dhe besojmë se brenda një kohe të shkurtër, kryesit e kësaj vepre do të përgjigjen për këtë akt kriminal. Incidentet e këtilla vlerësoj se kanë shkaktuar një dozë të tensioneve andaj të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kontribuojmë për qetësimin e saj”, ka deklaruar ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.

Persona të maskuar sulmojnë 15 nxënës shqiptarë në Shkup

Shkup, 8 mars – 09:53 – Mbi 15 nxënës shqiptarë të fshatrave Çiflikë dhe Seta Petkë të Karshiakës janë rrahur mbrëmë brutalisht nga persona të maskuar në lagjen Kisella Vodë të Shkupit.

Nxënësit u sulmuan pas orës 19.30 derisa po udhëtonin me autobusin me numër 58 të linjës Shkup – Seta Petkë.

Nxënësit kanë rrëfyer edhe për INA se incidenti ka ndodhur në lagjen Kisella Vodë, kur rreth 20 persona me maska dhe shufra druri dhe hekuri kanë ndaluar autobusin që po transportonte nxënësit shqiptarë dhe i kanë rrahur brutalisht.

Sipas tyre ka qenë një natë e tmerrshme kur personat e maskuar kanë nisur të godasin me shufra në mënyrë brutale dhe më pas kanë ikur në drejtim të panjohur.

Nxënësit menjëherë janë dërguar në Spitalin e Qytetit në Shkup, ku siç mësohet tre nga 15 nxënësit kanë pësuar lëndime të rënda trupore, një prej të cilëve në gjendje kritike. Nxënësit janë shprehur të shqetësuar dhe traumatizuar lidhur me incidentin dhe dhunën e ushtruar ndaj tyre.

Dhjetëra prindër në mbrëmje ishin tubuar pranë Spitalit të Qytetit për tu njohur me gjendjen e fëmijëve të tyre. “Ne jemi tejmase të shqetësuar se çfarë po ndodhë në këtë vend. Si mund të sulmohen fëmijët në mënyrë aq mizore dhe brutale. Ku janë policët që po promovohen se do të jenë tani në çdo cep të kryeqytetit. Kërkojmë urgjentisht zbardhjen e këtij incidenti dhe kapjen e autorëve”, theksuan prindërit e revoltuar të nxënësve pranë Spitalit të Qytetit.

Forca policie kanë qëndruar pranë Spitalit të Qytetit, ndërsa për sot pritet edhe deklarimi i Ministrisë Punëve të Brendshme lidhur me incidentin. Komuna Kisella Vodë është e banuar etnikisht me maqedonas në dalje të Shkupit në pjesën që kufizohet me rajonin e Karshiakës, që banohet nga popullësia shumicë shqiptare. /KohaNet/

KOMENTOJE