Shoqatës “Martin Dreshaj“ i duhet ndihma materiale e miqve të saj

Kanë nisur edhe këtë vit që nga janari aktivitetet duke vazhduar të jenë zë i Malësisë e për Malësinë. Vitin e kaluar në shumë aktivitete e në mënyrën më të denjë bashkë me vëllezërit e tyre nga trojet etnike shënuan 100 vjetorin e Kryengritjes në Malësinë e Madhe . Këtë vit janë në përpjekje të mëdha për të shënuar në Shqipëri e Kosovë 101 vjetorin e lavdisë së Dedë Gjo Lulit dhe të 100 vjetorit të Flamurit kombëtar me moton “100 vjet rrugëtim drejt bashkimit Kombëtar”. Kryetari i Shoqatë së Vëllazërisë Kosovë -Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, z. Ukshin Jashari thotë se kanë bërë të mundurën e të pamundurën që “Zëri i
Vëllazërisë “ këtë vit të jetë më i bukuri e më madhështori sepse trojet bashkë do të kremtojnë këto dy data të mëdha. Ai tregon se institucionet komunale në Deçan, Klinë , Istog e Pejë kanë dhënë premtimet se do të shtrojnë sofrat e tyre të mikpritjes, por edhe Shoqatës i mbesin mjaft obligime materiale për të siguruar fjetjen për 150 pjesëmarrësit nga trojet etnike, për të siguruar edhe mundësi të lëvizjes, dhuratat, mirënjohjet dhe mikpritjen kudo që shkojnë pjesëmarrësit e Manifestimit, qoftë në qytetet e Kosovës, qoftë pjesëmarrja e Shoqatës në Shkodër e Lezhë e në kuadër të Manifestimit “Zëri i Vëllazërisë”, që po del të jetë më i madhi krahasuar me vitet tjera.

“Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” tani e 12 vite ka organizuar Manifestimin madhështor “Zëri i Vëllazërisë” duke bërë bashkë në një valle, këngë e në një sofër vëllezërit nga trojet shqiptare. Ka bërë edhe shumë e shumë angazhime duke qenë në Kosovë zëri i
vetëm i Malësisë e për Malësinë . Me respektin më të madh falënderoj fshatrat dhe komunat në Dukagjin që kanë shtruar sofrat e mikpritjes për Manifestimin dhe pjesë marrësit e tij. Falënderoj edhe veprimtarët e Shoqatës dhe disa vëllezër që na ndihmuan në mënyrë modeste në të kaluarën. Falënderojmë gjithë ata që na drejtuan mesazhe e fjalë respekti duke na dhënë përkrahje morale dhe kjo na forcojë të vazhdojmë e të arrijmë deri këtu, por tani është koha që të gjithë miqtë e Shoqatës ta shtrijnë dorën e ndihmës sepse na duhet ndihma materiale e tyre, sado e vogël qoftë. Ne veprimtarët e Shoqatës “Martin Dreshaj” e mbajtëm gjallë këtë emër dhe kujtimin e mirë për Malësinë duke bërë edhe sakrifica të shumta. Mbajtëm protesta , bllokuam rrugë. Mbajtëm tryeza dhe takime të shumta duke u bërë një Ambasadë e vogël e Malësisë së Dedë Gjo Lulit këtu në Kosovë dhe pse jo edhe në Shqipëri e kudo. Tani është momenti kur na duhet dora e ndihmës e vëllezërve tonë. Na duhet sepse Manifestimi Tradicional i këtij viti ka mesazh e porosi të madhe dhe do të bashkojë vëllezërit nga gjithë trojet shqiptare e me moton kuptimplote “100 vjet rrugëtim drejt bashkimit Kombëtar”. Prandaj i drejtohem gjithë atyre që na kanë përkrahur në të kaluarën moralisht e besa edhe në mënyrë modeste edhe materialisht. Ju drejtohem vëllezërve e Shoqatave në Malësi e Amerikë për ndihmë materiale aq sa kanë mundësi me të vetmen dëshirë që ky Manifestim të kalojë sa më mirë dhe që të mos turpërohemi, po t’i presim bukur e me bukë, krip e zemër të 150 vëllezërit tonë nga trojet etnike që për 5 ditë nga 20 prilli do të jenë pjesë dhe bartës të mesazhit të Skënderbeut, Dedë Gjo Lulit, Ismail Qemajlit, Adem Jasharit e trimave të tjerë të kombit me moton “100 vite rrugëtim drejt Bashkimit Kombëtar”, shprehet për Malesia.org , Ukshin Jashari, kryetar i Shoqatë së Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, i bindur ky apel do të shkojë të miqtë e shoqatës dhe do të ketë përgjigje pozitive.

Rrahman Jasharaj, gazetar i Malësia.org nga Kosova