101-vjetori i ngritjes së Flamurit Shqiptarë në Bratilë – Kryengritja e Malësisë së Madhe 1911

Me 6 Prill 1911 gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe, 101 vite më parë, luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe me urdhër të Dedë Gjon Lulit, Nikë Gjelosh Luli vendosi Flamurin Shqiptar kuq e zi në Bratilë në afërsi të majës së Deçiqit.

Ngritja e Flamurit Shqiptarë ishte edhe kulminacioni i Kryengritjes dhe treguesi më i qartë se qëllimi e Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911 ishte luftë me qëllime të qarta për liri, komb dhe shtet shqiptar.
Për këtë ishin përbetuar prijësit e 7 bajraqeve të Malësisë, Hot, Grudë, Kastrat, Kelmend, Shkrel, Triesh, Kojë por edhe fiset tjera jashtë Malësisë së Madhe.

Për këtë flamur luftuan malësorët me prijësit e fiseve që udhëhoqën Kryengritjen e Malësisë, në krye me kryeprisin e Kryengritjes Dedë Gjon Lulit.

Hotit i prinë: Dedë Gjon Luli, vojvodë i Traboinit-Hotit, Nikë Gjelosh Luli, Gjekë Marash Gjeloshi, Gjon Nikë Plluci, Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Kolë Marash Vata, Dedë Gjoni, të gjithë nga bajraku i Traboinit.
Nga Rapsha e Hotit, Gjeto Marku, Lucë Muça, Zef Marashi, Luc Marku, Tomë Nikolla (vojvodë) dhe Gjon Pllumi.

Grudës i prinë: Dedë Nikë Martini, bajraktarë i Grudës, Sokol Baci (vojvodë), Kolë Zefi, Tomë Zoli, Marash Dashi, Marash Ujka, Lucë Gjeloshi, Kolë Deda (vojvodë), Tomë Gjoni si dhe Prenk Ujka e në disa dokumente përmendet edhe e bija e Smajl Martinit (bajraktarë i parë i Grudës), Tringë Smajlja.

Kastratit (Selcës) i prinë: Dodë Prëçi, bajraktarë i Kastratit, Nikollë Doda, Mark Dashi, Mirash Luca, Gjelosh Gjoka (vojvodë), Pjetër Gjoka, Dedush Marashi dhe Lulash Dashi.

Këlmendit i prinë: Palë Luca (vojvodë), Lucë Marku, Vocërr Preçi, Lucë Gjoni dhe bajraktari Gjon Voci.

Vuklit i prinë: Gjon Uci, bajraktarë, Dosh Prenka, Zef Uci (vojvodë) dhe Lul Rapuka.
Nga Nikçi: Gjon Sokoli dhe Lulash Kolë Shyti.

Nga Shkreli: Tomë Nika, Prelë Prëka dhe Zef Mali.

Nga Shala: Mehmet Shpendi (vojvodë), Marash Delia, Mark Alia.

Në Kryengrtije morën pjesë edhe Trieshi e Koja edhe pse në atë kohë ishin nën Mal të Zi.
Kojën e udhëhoqi bajraktari Prëtash Zeka.

Shpërthimi i kryengritjes dhe veprimet luftarake (mars – fillimi i qershorit 1911)

Kryengritja filloi më 24 mars të vitit 1911 kur malësorët e Hotit, të udhëhequr nga Dedë Gjon Luli, nga Gjek Marash Gjeloshi e të tjerë, filluan veprimet e armatosura dhe sulmuan fortifikatën kufitare të Rapshës. Lëvizja u shtri shumë shpejt në Grudë, në Kelmend dhe në Kastrat.
Shpërthimi i kryengritjes shkaktoi panik tek autoritetet xhonturke në Shkodër. Autoritetet osmane menduan të përdornin si mjet për ta penguar kryengritjen fanatizmin fetar, duke synuar të nxisnin përçarjet e grindjet fetare ndërmjet shqiptarëve myslimanë e katolikë. Në të njëjtën kohë xhonturqit hapën fjalë në të katër anët, se malësorët kryengritës ishin veglat e krajlit të Malit të Zi, domethënë të një shteti të krishterë. Për të nxitur konfliktin ndërmjet shqiptarëve, autoritetet osmane u shpërndanë myslimanëve të qytetit dhe të rajoneve përreth 4 000 armë. Por popullsia myslimane e priti me shpërfillje këtë propagandë. Vetëm një pjesë e vogël e atyre që morën armë luftuan kundër malësorëve. Edhe këta nuk i shqetësonte përkatësia fetare e Malit të Zi, por synimet e tij tashmë të njohura ndaj trevave shqiptare dhe vetë qytetit të Shkodrës.
Kryengritja përfshiu menjëherë krahinat e Malësisë së Madhe. Numri i kryengritësve arriti brenda pak ditësh në 3 000 veta. Më 28 mars kryengritësit morën qytezën e Tuzit. Garnizoni i vogël ushtarak dhe qeveritarët u detyruan të mbylleshin në kalanë e quajtur Shipshanik, që ndodhej në krye të saj. Më 30 mars 400 malësorë sulmuan Koplikun, por u tërhoqën për mungesë armësh e municionesh.
Më 30 mars u bë në Cetinë mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha. Në këtë dokument kërkohej paprekshmëria e territoreve shqiptare; të njihej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet, në zyra e gjyqe dhe si gjuhë mësimi në shkolla; të gjithë nëpunësit në Shqipëri të ishin shqiptarë dhe të njihej zyrtarisht kombësia shqiptare; të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin në dobi të vendit; ushtarët shqiptarë të mos shërbenin jashtë trojeve shqiptare, me përjashtim të rasteve të luftës. Memorandumi ishte nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Ded Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet Shpendi. Shtypi i kohës theksonte se, megjithëse kryengritja zhvillohej në një trevë të ngushtë, të banuar kryesisht nga katolikë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare. Ata në thelb kërkuan autonominë e Shqipërisë.
Më 6 prill 1911 u zhvilluan përleshje të ashpra ndërmjet malësorëve dhe forcave turke prej Tuzit deri në Kastrat. Por luftimet më të rrepta u zhvilluan atë ditë pranë Deçiqit, ku u asgjësuan 30 ushtarë, ndërsa nga kryengritësit mbetën në fushën e luftës shtatë veta, midis të cilëve ishte edhe prijësi i tyre, Nish Gjelosh Luli.
Më 8 prill 200 malësorë u bënë ballë në afërsi të Kastratit për gjashtë orë rresht 1 200 forcave xhonturke, të cilat pas tërheqjes së kryengritësve plaçkitën dhe dogjën Bajzën e Kastratit.
Me qëllim që t’i fuste shqiptarët në mes dy zjarresh, komanda e ushtrisë osmane dërgoi nga Gjakova katër batalione nën drejtimin e Ethem Pashës. Kur po vinte nga Gucia, natën e 16 prillit, ushtria osmane u sulmua te Hani i Gropës nga banorët e Selcës. Ajo nuk arriti të vazhdonte marshimin drejt teatrit kryesor të luftimeve përreth Tuzit.
Për tri javë rresht xhonturqit nuk mundën jo vetëm t’i nënshtronin malësorët, por as të lidheshin me garnizonin e rrethuar të Tuzit dhe të përforcoheshin në Deçiq.
Fillimi i parakohshëm i kryengritjes në Veri, që ndodhi për shkak të presioneve të qeverisë malazeze, pengoi përhapjen e saj të menjëhershme në viset e tjera më të afërme. Kryengritja e malësorëve i gjeti këto pjesë të vendit ende të papërgatitura dhe të paorganizuara për veprime të armatosura të përbashkëta. Trevat veriore të vendit, sidomos Kosova, Mirdita e krahinat e tjera, ishin të çarmatosura nga ekspedita e vitit 1910. Megjithatë, Isa Boletini dhe Sulejman Batusha nuk hoqën dorë nga përpjekjet për zgjerimin e kryengritjes në viset e Rrafshit të Dukagjinit.
Në këto rrethana kryengritësit e Veriut iu drejtuan shqiptarëve të Jugut duke u bërë thirrje që të bashkoheshin me ta. Më 15 prill 1911 përfaqësues të Kosovës çuan në viset jugore thirrjen që Isa Boletini e kishte lëshuar disa kohë më parë (më 23 mars) nga malet e Shqipërisë, në të cilën thuhej: “… Na i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe nuk kemi frikë qoftë dhe sikur qeveria të dërgonte të gjitha ushtritë e saj… Ju duhet sa më shpejt që të jetë e mundun të dërgoni njerëz dhe të përgatitni popullin … Na nuk duhet ta humbim rasën e favorshme që kemi sot”.
Kryengritja e Veriut vuri në lëvizje edhe përkrahësit e veprimeve të armatosura në jug të vendit. U krijuan komitete të reja, si “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, që dërguan përfaqësuesit e tyre në Kosovë. Në Kolonjë u mbajt një mbledhje e udhëheqësve të lëvizjes, ku morën pjesë edhe emisarët kosovarë që sollën letrën e Isa Boletinit. Këtu u vendos të shpejtohej organizimi i çetave dhe në fillim të qershorit të niste kryengritja edhe në jug të vendit.
Përkrahësit e veprimeve kryengritëse
iu drejtuan popullit me këto fjalë: “Vëllezërit tanë, gegët, po na ftojnë ne të bijt e Pirros, që t’u vijmë në ndihmë, e prandaj çdo shqiptar e ka detyrë të marrë hutën në krah e të bashkohet me kryengritësit e të mos lëmë të na turpërohet “Baba Tomori” i shenjtëruar që po buçet. Duam, pra, lirinë dhe vetëqeverisjen e Shqipërisë, duam të drejtat tona dhe do t’i kërkojmë gjersa të shuhemi të gjithë”.
Në vilajetin e Janinës, në rajonet e Korçës, të Elbasanit, të Dibrës dhe të Ohrit komitetet e fshehta filluan të shpërndanin armë dhe të organizonin çeta. Më 16 prill u organizua në Manastirin e Cepos një mbledhje me krerët e kryengritësve të Gjirokastrës, të Delvinës dhe të viseve të tjera të Shqipërisë së Jugut, të cilët u betuan për t’u ngritur në luftë të armatosur kundër Perandorisë Osmane.
Mirëpo, për shkak të qëndrimit pritës të elementëve të moderuar e të lëkundshëm dhe të trysnisë së faktorëve të jashtëm, Komiteti i Manastirit i shtyti përgatitjet për kryengritje në një kohë të pacaktuar, por gjithnjë brenda vitit 1911.
Më 17 prill zbarkoi në Shëngjin gjenerali turk Shefqet Turgut pasha me tetë batalione, 5 000 ushtarë, dy bateri malore, një divizion mitralier, 800 kuaj, 10 000 pushkë dhe materiale të shumta luftarake. Në të njëjtën kohë 20 000 ushtarë të tjerë po mobilizoheshin në Anadoll, përveç batalioneve të rezervistëve që do të rekrutoheshin në Rumeli, në Turqinë Evropiane. Me Shefqet Turgut pashën erdhi edhe Preng Bibë Doda, i thirrur nga Vjena prej xhonturqve për të qetësuar Mirditën dhe për të penguar bashkimin e saj me kryengritjen.
Ushtritë osmane me rrugë detare erdhën e zbarkuan në Shkodër më 18 prill. Mbërritja e forcave të reja osmane nuk i ndali sulmet e kryengritësve, në radhët e të cilëve luftonin edhe atdhetarë të tillë, si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi e të tjerë. Më 22 prill dështoi kundërsulmi që forcat xhonturke ndërmorën nga ana e Shipshanikut dhe e Deçiqit.
Në proklamatën e publikuar më 1 maj 1911, të shkruar në shqip, frëngjisht, gjermanisht e italisht, kryengritësit parashtruan edhe njëherë programin e tyre autonomist. Pasi flitej për vendosjen pas Revolucionit të regjimit xhonturk, të cilin e përkrahën edhe shqiptarët, në proklamatë shpalleshin këto kërkesa të kryengritësve: 1) Shqipëria të bëhej vetëqeverimtare me sigurim të qeverive të mëdha nën hije të Turqisë; 2) Shkollat shqipe të mbaheshin prej qeverisë; 3) Ushtarët shqiptarë të mos dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë, përveç se në rast lufte.
Ndërkaq, përpjekjet luftarake u bënë më të shpeshta dhe më të rrepta. Më 3 maj u zhvillua një nga përleshjet më të mëdha të kryengritësve me forcat osmane, pas së cilës u hap rruga për në qendrën e vilajetit, në Shkodër. Luigj Gurakuqi shkruante ato ditë se “do të kishim marrë Shkodrën, po të kishim pasë armë”.
Ngjarjet e Kryengritjes shqiptare të vitit 1911 patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Me kryengritësit u bashkuan, sado të paktë, edhe vullnetarë nga Italia e Bullgaria. Shtypi i huaj shkruante për trimërinë e grave shqiptare, për “amazonat shqiptare”, të cilat, krahas burrave, prindërve dhe vëllezërve të tyre, luftonin kundër pushtuesve osmanë.
Një veprimtari të gjerë në të mirë të kryengritjes zhvilloi brenda vendit “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”. Ajo punoi për mbledhjen e ndihmave për kryengritësit e Veriut në emër të Lidhjes “Për Liri o për Vdekje”.
Në kolonitë e mërgimit në Amerikë, në Bullgari, në Rumani, në Egjipt (Misir) etj., mbaheshin konferenca për Shqipërinë dhe për luftën e shqiptarëve kundër sunduesve osmanë. Shqiptarët e Amerikës mblodhën për kryengritësit një shumë të madhe të hollash. U vendos që 30 vullnetarë të shkonin nga Amerika në Shqipërinë e Jugut (Toskëri) për të shtrirë edhe atje kryengritjen. Fan S. Noli dhe atdhetarë të tjerë u përpoqën të siguronin përkrahjen e Greqisë, por Athina përsëri, ashtu si më parë, këmbënguli që kryengritja shqiptare të zhvillohej vetëm në veri të lumit Shkumbin.
Gjatë muajit maj patriotët shqiptarë të grumbulluar në Korfuz, si Nikollë Ivanaj, Themistokli Gërmenji, Ismail Qemali, Pandeli Cale, Stefan Kondillari, Spiro Bellkameni e të tjerë, krijuan një degë të komitetit shqiptar të Barit. Ndërkaq u shtuan përpjekjet për organizimin e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut, ku po punohej për sigurimin e armëve.
Më 9 maj Shefqet Turgut pasha në përgjigje të proklamatës së kryengritësve të datës 1 maj 1911, publikoi shpalljen, ku thuhej se udhëheqësit e kryengritjes do t’i jepeshin gjyqit ushtarak, ndërsa ata që do të dorëzoheshin brenda pesë ditëve, duke dhënë armët e duke iu nënshtruar ligjeve e urdhrave të qeverisë, do të përfitonin nga mëshira e saj. Në shpallje thuhej se, po të qëllohej kundër ushtarëve, do të dënohej së bashku me fajtorin edhe pleqësia e katundit. Urdhërohej që frëngjitë e kullave të malësorëve të hapeshin një kut të gjëra e të gjata ose të mbylleshin krejt.
Shpallja ra në duart e kryengritësve më 11 maj, ditën e vendosjes së shtetrrethimit dhe të krijimit të gjykatës ushtarake në Shkodër. Shefqet Turgut pasha kishte kohë që po merrte masat shtypëse, internonte familjet e pjesëmarrësve të kryengritjes dhe të atyre që dyshoheshin se kishin ndihmuar kryengritjen (pika 8 e shpalljes).
Kryengritësit iu përgjigjën thirrjes së Shefqet Turgut pashës me një deklaratë që u miratua në mbledhjen e mbajtur në Pikalë, të nënshkruar nga 60 udhëheqës të tyre, e cila iu dorëzua konsujve të huaj në Cetinë. Në këtë dokument thuhej se qysh nga dita kur ushtritë osmane kanë rrënuar e djegur shtëpitë e malësorëve shqiptarë, kanë dhunuar nderin e shqiptarit dhe kanë mbytur fëmijët, ata vendosën “me qëndrue derisa t’u jesi ma e mbramja pikë e gjakut ndër dej” dhe e “grishnin” gjeneralin turk “me dalë në lamë të luftës”.
Pa pritur të mbaronte ende afati i armëpushimit të caktuar në shpalljen e tij, Shefqet Turgut pasha më 14 maj goditi befasisht malësorët. Ushtria osmane prej 6 000 vetash, e pajisur me artileri e mitraloza, u hodh sërish mbi Deçiq. “Forcat morën këto pozita, – shkruante konsulli austriak në Shkodër, – duke i dëbuar rrebelët pllambë për pllambë”.
Pas këtij operacioni turqit mundën të forcoheshin në vijën Tuz-Deçiq-Kastrat, ku vendosën 6 000 ushtarë në drejtim të Shipshanikut dhe 5 000 të tjerë nga ana e Koplikut. Nga ana e Gucisë vijonte të ushtronte presion mbi kryengritësit në drejtim të Selcës një forcë e komanduar nga Ethem Pasha, e cila kishte arritur në 8 batalione. Ajo i mbajti të ngujuara forcat kryengritëse të Kelmendit pa arritur të bëjë asnjë hap përpara u detyrua të kthehej në Guci.
Përballë këtyre forcave osmane, pa llogaritur trupat e shumta të dislokuara në Fushë të Shtojit pranë Shkodrës, qëndronin vetëm 2 000 kryengritës shqiptarë, të përqendruar në mes të Dinoshës dhe Tuzit.
Shefqet Turgut pasha, duke përdorur artilerinë, shkatërroi të gjitha katundet që bënë qëndresë. Ushtria osmane nuk kurseu as malësorët myslimanë. Për t’u shpëtuar mizorive xhonturke, shumë familje malësore, gra, fëmijë e pleq, vazhdonin të kalonin në Mal të Zi.
Ndërkaq zhvilloheshin luftimet në Shqipërinë e Veriut. Më 3 qershor 350 malësorë sulmuan Lezhën dhe e detyruan garnizonin osman të mbyllej në Atik-Kala. Midis mirditasve, që morën pjesë në këtë sulm, kishte edhe shqiptarë myslimanë nga Mati, nga Luma, nga Dibra, madje edhe nga Kosova. Kryengritësit prenë komunikimet tokësore e telegrafike midis Lezhës, Shkodrës dhe Shëngjinit.
Por pas ndihmave
që ushtrisë osmane filluan t’i vinin nga Shëngjini, kryengritësit u detyruan të tërhiqeshin nga Lezha.
Zgjerimi i kryengritjes shkaktoi reagimin e qarqeve politike të Shteteve të Mëdha. Synimi i qeverisë malazeze për t’u përfshirë drejtpërsëdrejti në aksionet luftarake të malësorëve kryengritës nuk gjeti miratimin jo vetëm në Serbi, por as në Rusi. Qeveria cariste e kërcënoi Cetinën se do t’i ndërpriste subvencionet që i jepte Malit të Zi, në rast se ndihmonte kryengritjen.
Qeveria austro-hungareze, e shqetësuar nga mundësia e një ndërhyrjeje të Malit të Zi në konfliktin shqiptaro-osman, ushtroi trysni mbi Cetinën duke kërkuar që ajo të qëndronte asnjanëse. Vjena bëri të gjitha përpjekjet që kryengritja të mos përhapej në viset e tjera.
Për të penguar sadopak zgjerimin e kryengritjes së malësorëve në krahina të tjera të Shqipërisë, Komiteti “Ittihad ve Terekki” (“Bashkim e Përparim”) organizoi udhëtimin e sulltanit plak, Mehmet Reshati V, në Kosovë. Mendohej se ky udhëtim i sulltanit do ta lehtësonte “kthimin në vathë” të atyre, që ishin larguar nga “vëllazërimi osman”.
Udhëtimi u organizua në formën e pelegrinazhit në varrin e sulltan Muratit I, të vrarë në Fushë të Kosovës. Sulltani udhëtoi vetëm në krahinën e Kosovës për ta veçuar këtë trevë nga kryengritja shqiptare në Malësi të Mbishkodrës. Më 15 qershor ai mbërriti në Prishtinë, ku u organizua një paradë e madhe ushtarake, por nuk u mblodhën aq njerëz sa pritnin xhonturqit. Nga frika se ceremonia në Gazimestan (në tyrben e sulltan Muratit) mund të kthehej në një manifestim kundërosman, ajo u mbyll shpejt me largimin prej andej të sulltanit dhe të personaliteteve që e shoqëronin. Kjo ndërmarrje e xhonturqve, siç pohojnë bashkëkohësit, s’qe veçse një komedi e inskenuar keq.
Ndërkohë lëvizja kryengritëse filloi të zgjerohej edhe në jug të vendit. Në qershor doli në mal çeta e Korçës (me dr. Haki Mborjen në krye) dhe filluan të veprojnë edhe çeta të tjera. Shtrirja e lëvizjes së armatosur në jug e shqetësoi Athinën. Gazeta ruse “Ruskoje sllovo”, në një korrespondencë nga Athina shkruante: “Shtypi grek, i cili gjer më dje dëftente simpathi për kryengritjen shqiptare, sot nga që u hap kryengritja dhe në Epir, e quan veprimin e komitetit të shqiptarëve dinak, se kërkon mjeshtërisht ta quaj atë provincë, që është fjeshtë greke, të shqiptarizuar”.
Më 17 qershor Shefqet Turgut pasha në emër të sulltanit shpalli edhe një herë amnistinë për kryengritësit që duhej të dorëzoheshin brenda 10 ditëve, duke premtuar gjithashtu 10 000 lira për shtëpitë e djegura. Në shpalljen që nxori me këtë rast thuhej se qeveria turke do të kujdesej për nevojat e vendit, për të shlyer dëmet që u ishin bërë kohët e fundit shqiptarëve, si edhe për të siguruar të mirën e qetësinë e popullit. Por në shpallje nuk bëhej fjalë për asnjë nga të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Pas shpalljes së 17 qershorit xhonturqit disa herë u përpoqën të hynin në bisedime me kryengritësit, por dështuan, sepse ndeshën në vendosmërinë e tyre për të luftuar deri në fund për të drejtat e tyre kombëtare.
Duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e kryengritësve të Malësisë së Mbishkodrës ishin katolikë, Stambolli mendoi se njerëz më të përshtatshëm për të hyrë në bisedime me malësorët do të ishin klerikët katolikë. Për këtë Porta e Lartë kërkoi edhe ndihmën e protektores së kultit të Austro-Hungarisë. Arkipeshkvi i Shkodrës, Jak Serreqi, që u ngarkua me detyrën e vështirë të ndërmjetësit në mes shqiptarëve kryengritës dhe Portës, e mori përsipër këtë rol, por me disa kushte. Autoritetet ushtarake e civile turke formuluan programin prej 8 pikash, me të cilin do të hyhej në bisedime me malësorët. Këto ishin shumë larg kërkesave të kryengritësve, të kërkesës së autonomisë së shpallur nga krerët e tyre qysh në muajin mars. Prandaj pikat e propozuara nuk u përfillën nga krerët e kryengritjes. Në këto rrethana misioni i klerikëve, të kryesuar prej Jak Serreqit, që u dërgua pranë malësorëve kryengritës, dështoi.

Numri i refugjatëve në Mal të Zi nga Kosova, nga Malësia e Mbishkodrës dhe nga vetë qyteti i Shkodrës, sipas njoftimeve nga Cetina, arriti mbi 7 000 veta. Shumica e tyre qenë strehuar në Podgoricë, në Ulqin, në Nikshiq e në vende të tjera. Midis malësorëve të arratisur ishin rreth 400 veta nga Kastrati, të prirë nga vojvoda Zenel Shabani, 400 të tjerë nga Hoti me Dedë Gjo Lulin në krye, 800 nga Shkreli të kryesuar nga vojvoda Prend Marashi, dhe 400 të tjerë nga Gruda me bajraktarin Dedë Nikë Martini në krye. Përveç këtyre ishin edhe 1 200 refugjatë nga Kelmendi, nga Selca dhe nga Postriba.

Përkrah burrave luftuan edhe gratë malësore, ndër të cilat u dalluan Tringë Smajlja e Norë Kolja. Në luftë merrnin pjesë gjithashtu të rinj 16 vjeçarë dhe pleq deri në 70 vjeç. Vetë udhëheqësi i kryengritësve Dedë Gjo Luli ishte 71 vjeç.

Përfundime
Kryengritja shqiptare e vitit 1911 përfundoi me një marrëveshje gjysmake për shkak se nuk arriti të shndërrohej në një kryengritje të përgjithshme. Ajo nuk arriti ta detyronte qeverinë xhonturke të pranonte kërkesat autonomiste të Memorandumit të Greçës.
Pranimi i kërkesave të Greçës, siç pohonte Ismail Qemali, do të ishte një fitore e nacionalizmit shqiptar. Memorandumi ushtroi ndikim të fuqishëm edhe në pjesët e tjera të Shqipërisë dhe nxiti përpjekjet që u bënë për kthimin e kryengritjes së Veriut në një kryengritje të përgjithshme.
“Libri i Kuq” iu dorëzua nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut, që e pranoi atë pa dhënë ndonjë përgjigje. Për të pasur garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci etj., ua dorëzoi Memorandumin e Greçës përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Cetinë.
Megjithatë u arrit të vendosen kontakte midis kryengritësve të Shqipërisë së Veriut e asaj të Jugut si dhe me kolonitë. Atdhetarë të njohur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si Ismail Qemali, Pandeli Cale, Salih Hoxha etj., u gjendën ato ditë në Mal të Zi, pranë malësorëve. Nikollë Ivanaj, Themistokli Gërmenji e Ismail Qemali shkuan gjithashtu në kolonitë për të siguruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Luigj Gurakuqi, Nikollë Ivanaj, Fadil Toptani e Themistokli Gërmenji vajtën edhe në Korfuz për të punuar që andej për zgjerimin e kryengritjes në jug të vendit.
Por, në kohën kur kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës ishte në kulmin e saj, krahinat e tjera ngurruan të ngriheshin. Kosova, e cila nuk kishte kapërcyer pasojat rrënuese të ekspeditës së Shefqet Turgut pashës të vitit 1910, e pati të vështirë të hidhej në kryengritje, kurse Mirdita, nën ndikimin e Preng Bib Dodës dhe e çoroditur nga aksioni i Terenc Toçit, mbajti përgjithësisht qëndrim pritës. Komitetet e Jugut, të shqetësuar nga qëndrimi armiqësor i qeverisë greke, ngurruan të fillonin kryengritjen qysh në periudhën e parë, në maj – fillimi i qershorit, kur situata ishte më e volitshme për shpërthimin e saj. Lëvizja kryengritëse në Shqipërinë e Jugut shpërtheu nisi në korrik-gusht të vitit 1911, kur kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut kishte filluar të binte e të dobësohej.
Kryengritja u zhvillua në kushte të vështira brenda vendit dhe në rrethana jo të favorshme ndërkombëtare. Shtetet ballkanike, duke e vlerësuar autonominë e Shqipërisë si një pengesë për plotësimin e synimeve të tyre pushtuese ndaj tokave shqiptare, vunë të gjitha forcat p
ër ta penguar Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës dhe për të mos lejuar që ajo të kthehej në kryengritje të përgjithshme.
Kryengritja e malësorëve ndeshi edhe në kundërshtimin e shteteve evropiane, sidomos të Rusisë e të Austro-Hungarisë, të cilat nuk donin turbullira në Ballkan. Në mënyrë të veçantë, u aktivizua monarkia Habsburge, e cila pengoi shtrirjen e kryengritjes në të gjithë vendin dhe u përpoq ta mbante lëvizjen shqiptare brenda kuadrit të kërkesave kulturore. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Italia.
Megjithëse Kryengritja e vitit 1911 nuk arriti të ndërtojë objektivat themelorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ajo zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Ajo shënoi një hap cilësor përpara në organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ngriti në një shkallë më të lartë ndërgjegjen politike të shqiptarëve.
Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, si nga ana organizative, ashtu edhe nga ajo ideore, shënoi një hap të madh përpara në krahasim me kryengritjen e vitit 1910. Ajo u zhvillua nën udhëheqjen e një qendre të vetme, të Komitetit të Podgoricës. Kulmin e saj kryengritja e arriti në qershor, kur duke miratuar (më 23 qershor) Memorandumin e Greçës, shpalli kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, si program të mbarë lëvizjes kombëtare. Megjithatë, udhëheqja e saj, pavarësisht nga përpjekjet që bëri, nuk mundi të tërhiqte në kryengritjen e Shqipërisë së Veriut, krahinat e tjera të vendit dhe ta kthente atë në një kryengritje të përgjithshme.
Kryengritja e vitit 1911 i detyroi pushtuesit osmanë të hynin në bisedime me shqiptarët dhe t’u bënin atyre disa lëshime. Megjithëse këto lëshime ishin larg kërkesave kombëtare të shqiptarëve, përbënin ndërkaq një mbështetje për kërkesa më të përparuara në të ardhmen. Kryengritja nxori në pah çështjen shqiptare si një problem ndërkombëtar. Për këtë dëshmon, krahas të tjerave, edhe interesimi i diplomacisë angleze për kryengritjen dhe sidomos përkrahja prej Londrës e kërkesave kombëtare të shqiptarëve.
Kryengritja e vitit 1911 mund të mbahet si prologu i Kryengritjes së Përgjithshme shqiptare të vitit 1912.
Qeveria xhonturke edhe pas kësaj kryengritjeje vijoi politikën e saj shtypëse në Shqipëri. Ajo nuk u dha shqiptarëve as koncesionet që u bëri gjatë marrëveshjeve me kryengritësit. Sapo kryengritësit u kthyen në shtëpitë e tyre dhe u qetësua disi gjendja, ajo rifilloi politikën e mëparshme. Megjithëse kërkesat për t’u dhënë të drejta të njëllojta si të malësorëve edhe krahinave të tjera të vendit, u parashtruan në çdo anë të Shqipërisë, autoritetet zyrtare në qendër e në provinca u përpoqën ta ngushtonin hapësirën e zbatimit të marrëveshjes me kryengritësit shqiptarë. Në fillim qeveria ia njohu këto koncesione vetëm sanxhakut të Shkodrës, pastaj vetëm zonës së kryengritjes dhe, së fundi, malësorëve të riatdhesuar nga Mali i Zi, por jo gjithë Shqipërisë.
Ndërsa për shqiptarët marrëveshjet me xhonturqit qenë vetëm një armëpushim i përkohshëm i nevojshëm për të mbledhur forcat e për t’i dhënë goditjen përfundimtare sundimit osman në Shqipëri.

Krerët e Malësisë së Madhe Dedë Gjo' Luli (Vojvodë i Traboinit të Hotit) , Deli Meta (Bajraktarë i Hotit), Dedë Nika (Bajraktarë i Grudës), Palok Traboini, Ujk Hasani i Grudës, Zenel Shabani e Nikoll Doda të Kastratit, Tom Nikolla, Luk Muçia, Ismail Mustafa, Gjon Ujk Çeku, Martin Ujka

Dedë Gjo’ Luli (Vojvodë i Traboinit të Hotit) , Deli Meta (Bajraktarë i Hotit), Dedë Nikë Martini (Bajraktarë i Grudës), Palok Traboini, Ujk Hasani i Grudës, Zenel Shabani e Nikoll Doda të Kastratit, Tom Nikolla, Luk Muçia, Ismail Mustafa, Gjon Ujk Çeku, Martin Ujka e të tjerë.

Kryengritja e Malësisë së Madhe 1911
Flamuri kombëtar shqiptar që u ngrit në Deçiq më 6 prill 1911