Policia malazeze plumba barinjve shqiptarë

Një 30 vjeçar nga Hoti i Komunës Kastrat të Rrethit të Malësisë së Madhe (Shqipëri) është plagosur nga policia kufitare e Malit të Zi dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Shkodrës. Gëzim Ndrekaj ka marrë një plumb në këmbë.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në orët e para të mbrëmjes së enjte, në brezin kufitar Shqipëri-Mali i Zi në territorin malazez.
Nga ana tjetër babai i të plagosurit Prenk Ndrekaj shprehet se djali i tij po kërkonte lopët së bashku me bashkëfshatarin kur është plagosur.

“Policia malazeze na bëri thirrje që të ndalonim, por ne nuk ndaluam ndërsa tentuam të ktheheshim me vrap mbrapa”.

“Pas katër thirrjeve për të ndaluar policia malazeze ka shtënë drejt nesh dhe unë mbeta i plagosur. Në momentin që kanë shtënë aty ndodheshin tre policë” ka shtuar Ndrekaj.

Gëzim Ndrekaj ka thënë se policia duhej fillimisht të qëllonte në ajër.

Policia e Shkodrës së bashku me policinë e Malit të Zi po hetojnë rreth shkaqeve të vërteta të kësaj ngjarje. Ky është rasti i dytë pas atij të 2008 kur 57 vjeçari Skënder Hysenaj nga fshati Luarzë i Velipojës është plagosur nga policia kufitare e Malit të Zi teksa po peshkonte në Lumin Buna në territorin Shqiptar. /BW/