Shkup, 5 prill – Kryeparlamentarja shqiptare Jozefina Topalli në fjalimin e saj të mbajtur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë mes të tjerash ka thënë se Shkupin të parët e kishin çliruar shqiptarët, kurse Shkupi, Dibra dhe Manastiri ishin bërë qendra të lëvizjes shqiptare.
“Ndodhi pikërisht në shkurt të vitit 1844, kur 10 mijë kryengritës në udhëheqjen e Dervish Carës e kishin çliruar Shkupin dhe shtruan kërkesën për autonomi. Nga kjo kohë, Shkupi, Manastiri dhe Dibra ishin disa prej qendrave të lëvizjes shqiptare për çlirim, raporton “Zhurnali”. Lëvizja patriotike shqiptare është zhvilluar paralelisht me kryengritjen maqedonase të Ilindenit në 2 gusht 1903, ku në Manastir ishte përkrahur edhe nga popullata shqiptare, e cila ishte aktive për krijimin e republikës së Krushevës, ku Këshilli i udhëhequr nga shqiptari Vangjel Dino ishte përbërë nga përfaqësues të maqedonasve, shqiptarëve dhe vllehve”, tha Topalli.
Megjithatë kundër kësaj deklarate të nxehtë, kanë reaguar historianët maqedonas. “Ajo që e flet Topalli është thjesht politikë dhe jo shkencë. Kryengritësit as që e kanë çliruar Shkupin, as që ka pasur 10 mijë ushtarë, as që ka pasur kërkesë për autonomi. Këto pohime të Topallit nuk janë në asnjë dokument turk, ose të shkresave diplomatike franceze ose britanike”, theksojnë historianë maqedonas për TV “Kanal 5” që nuk kanë pranuar të flasin publikisht.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë është zyrtarja e parë nga Shqipëria e cila i prek këto tema të cilat shpeshherë kanë qenë temë e debateve ndërmjet historianëve maqedonas dhe atyre shqiptarë në Maqedoni.
Sipas historianëve maqedonas Shkupi është qytet i maqedonasve dhe Republika e Krushevës është vetëm angazhim i kryengritësve maqedonas dhe që atëherë datojnë rrënjët e Maqedonisë si shtet.
Pohimet e Topallit konsiderohen edhe si një përgjigje direkte diplomatike ndaj enciklopedisë maqedonase e cila shqiptarët i quajti njerëz të egër të cilët kanë zbritur nga malet në këto troje dhe janë ardhacakë. /ABC News/