Lidhja Demokratike – Dega e Malësisë, shënoi 6 Prillin e 1911 në Bratilë

Në vazhdën e aktiviteteve të veta kombëtare e politike dhe në frymën e traditës së vet 20 vjeçare për shënimin e datave dhe festave me karakter kombëtar, Lidhja demokratike në Mal të Zi, sot, më 06 Prill, Dega e Malësisë, shënoi 101 vjetorin e Kryengritjes së Malësisë, përvjetorin që përkitet me 100 vjetorin e pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Për nderë të kësaj date të rëndësishme të së kaluarës sonë, për respekt e pietet ndaj dëshmorëve të lirisë, ndaj atyre që i vunë gurë-themelin shtetit shqiptar, ndaj sakrificave të pashembullta të malësorëve, ndaj amanetit të tyre, aktivistët e LDnëMZ bënë homazh në vendngjarje ku u përkulen para atyre gurëve të Bratilës, njëlloj si përkulet njeri para heronjve të shtrirë. Homazhit iu bashkëngjiten edhe kreu i Alternatives Shqiptare.

Të pranishëmve u drejtua kryetari i Degës Z. Nikollë Camaj, i cili foli për rëndësinë e shënimit të kësaj date dhe për traditën e LDnëMZ në shënimin e festave kombëtare. “Ne, që nga themelimi, me respekt të thellë, me modesti e pa trumbetim, kujtojmë 6 Prillin, si ditën e krenarisë e lavdisë sonë; si ditën e sakrificës e të unitetit tonë; si ditën kur malësoret shënuan vetëdijen shqiptare, kur trimat e këtyre shkrepave u bënë theror në altar të kombit dhe u murosen në themelet e shtetit shqiptar, të cilit çatia do t’i qitet në Vlorë, si ditën e dhe ngjarjen që në bënë të ndihemi krenar, për kontributin që kz vend i dha çështjes shqiptare. Gjeopolitika ka bërë që ne të mbetemi të ndarë nga shteti amë, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të ndihemi më pak shqiptarë, apo shqiptarë të llojit tjetër, por vetëm si të gjithë të tjerët, si ata në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, apo gjetiu…”, tha ndër të tjerat Camaj.
Përndryshe, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, shfrytëzon rastin që malësorët krenarë dhe shqiptarët në përgjithësi t’i përgëzojë për këtë përvjetor të Kryengritjes së Malësisë dhe për 100 vjetorin e Pavarësisë.
Për nderë të kësaj ditë dhe të aktivitsëve që ishin në Bratilë, u shtrua një koktei në ambientin e mrrekullueshëm të restorantit Verdi në Tuz.

Shërbimi informativ i LDnëMZ
Bratilë, 06. 04. 2012

Lidhja Demokratike në Mal të Zi - Bratilë