Të ftuar nga Shoqata Atdhetare “Dukagjini” të Shkodrës, delegacioni i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, i përbërë nga kryetari Ukahin Jashari, sekretari i përgjithshëm, Frashër Rraci, nënkryetari, Pal Dreshaj, anëtari i kryesisë dhe veprimtari, Lekë Camaj dhe koordinatori për trojet etnike, Rrahman Jasharaj, janë bërë pjesë e një feste të bukur kushtuar botimit të numrit 100 të gazetës “Dukagjini”.
Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, z. Ndue Sanaj, ka përshëndetur mysafirët dhe ka shpalosur fragmente nga angazhimet e redaksisë së gazetës, që botohet çdo muaj dhe në faqet e saj pasqyrohet e kaluara e lavdishme, por edhe brengat e sfidat bashkë me arritjet sot të Malësisë , Dukagjinit dhe trojeve tjera. “Këto tradita të bukura ia keni bërë të afërta të sotmes, por ia keni arkivuar edhe gjeneratave që do të vijnë pas nesh duke i skalitur bukur në faqet e gazetës “Dukagjini”, që sot e solemnisht shënon daljen në dritë e në duart e lexuesve të shumtë të numrit 100.
“Ta botosh një gazetë të pavarur e me plot autoritet e lexues në këto kohë si në Shqipëri , ashtu edhe në Kosovë e kudo mes shqiptarëve është e vështirë , por ju me atë vullnetin e çeliktë e me dijen e madhe e profesionalizmin e gjithë redaksisë ia keni arritur. Puna e juaj gëzon respektin tonë dhe nga zemra Ju urojmë që t’ju prij fati dhe të gjeni mbështetje nga njerëzit e vullnetit të mirë dhe të vazhdoni edhe për vite e dekada me botimin kësaj gazete sepse kështu do t’i bëni shërbim të mrekullueshëm fjalës së lirë dhe Dukagjinit dhe gjithë trojeve shqiptare andej e këndej Shqipërisë.”, ka thënë në përshëndetjen e tij në këtë festë koordinatori për trojet etnike i Shoqatës “Martin Dreshaj”, Rrahman Jasharaj.
Poeti e publicisti i njohur Lazër Kodra, duke përshëndetur pjesëmarrësit e festës ka kujtuar punën e bërë bashkërisht me stafin redaksisë. Ai ka kujtuar se kishte edhe sfida e momente të lodhjes, por , si tha ai, të gjitha janë kaluar me sukses falë angazhimit të përbashkët dhe ndihmës së donatorëve dhe fjalëve të mira të lexuesve të shumtë. “Bashkë me lexuesit rrugëtuam duke lënë gjurmë për të kaluarën e lavdishme të kësja pjese të Shqipërisë, por edhe duke folur për kohën sot këtyre njerëzve”, ka kujtuar Kodra duke përmendur se kështu edhe u arrit të numri 100 dhe se do të vazhdohet me gazetën edhe për shumë kohë e vite. Redaksinë dhe gjithë anëtarët e veprimtarët e Shoqatës i kanë përgëzuar për këtë festë shumë nga mysafirët.
Rrahman Jasharaj