Tuz, Malësi (11.04.2012) – Për nderë të 101-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, mbrëmë në Tuz, në sallën e QIK “Malësia” u mbajt një mbrëmje festive.
Salla e QIK-ut ishte e mbushur deri në vendin e fundit në mesin e të cilëve ishin edhe personalitete nga jeta shoqërore, kulturore e politike.
I pranishëm ishte Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi Tonin Beci i cili mbajti fjalën e rastit, Kryetari i Këshillit Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi Tahir Tahiri si dhe përfaqësues politik nga Malësia.
Mbrëmja u hap me antonimin e himnit kombëtarë nga tenori Kastriot Tusha.
Mbas fjalimeve të Ambasadorit Tonin Beci dhe kryetarit të KNSH-së Tahir Tahiri, shoqëritë kulturo-artistike “Dedë Gjon Luli” nga Hoti, SHKA “Liria” nga Mileshi dhe SHKA “Rapsha” nga Hoti prezantuan publikut pikat të cilat kishin përgatitë për këtë mbrëmje.
Më pas, para publikut doli artisti i madh nga shteti amë Mirush Kabashi dhe tenori Kastriot Tusha si dhe këngëtari nga Malësia Lekë Dedvukaj.
Për nderë të kësaj mbrëmje, Ambasadori Tonin Beci shtroj një darkë solemne.
Organizator i mbrëmjes SHKA Dedë Gjon Luli falënderoj Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, Komunën urbane të Tuzit, strukturat politike; Iniciativën Qytetare, Lidhjen Demokratike, Alternativën Shqiptare si dhe diasporën për përkrahjen e tyre që mundësuan organizimin e kësaj mbrëmje.
Sipas fjalëve të kryetarit të SHKA “Dedë Gjon Luli” Gjon Dushaj, kjo shoqatë, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të marrin pjesë me aktivitete në Shkodër me 21 Prill, në Kosovë me 22 Prill si dhe në Sarandë, Tropojë e Strugë gjatë muajit Qershor.
Kjo shoqatë si dhe vite me radhë vazhdon me aktivitetet e veta për shënimin e datave të rëndësishme historike, prandaj edhe kanë nevojë për përkrahje, shtoi Dushaj. /Malesia.Org/