Rama: Universitet shqip në Mal të Zi

Krahas angazhimeve politike në Tiranë Kryetari i Partisë Socialiste (të Shqipërisë) Edi Rama, nuk ka lënë jashtë axhendës së tij edhe ato çështje që lidhen me shqiptarët që jetojnë jashtë kufirit shqiptar.

Takimi në Ulqin

I shoqëruar nga deputetët e Qarqeve të Shkodrës dhe Lezhës, Edi Rama zhvilloi një vizitë në Malin e Zi, ku në komunën e Ulqinit takoi kryetarin saj, Nazif Cungu së bashku me kryetarët e të pesë partive shqiptare në Malin e Zi, si dhe deputetin e zonës Genc Nimanbegun.

Përmirësimi i cilësisë së jetesës së shqiptarëve në të gjitha trevat ata ku jetojnë, si edhe turizmi ishin temat e bashkëbisedimit nga ku Rama propozoi një iniciativë të përbashkët për të kërkuar ngritjen e një universiteti në gjuhën shqipe në Malin e Zi, për të mundësuar shkollim më të avancuar për të rinjtë shqiptarë.

“Ishte një kënaqësi e veçante për mua dhe për gjithë stafin e Komunës së Ulqinit dhe përfaqësuesit e partive politike, që sot kemi patur në vizitë kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe me grupin e parlamentarëve të partisë së tij. Kemi shkëmbyer mendimet tona dhe kemi diskutuar për problemet e shumta, por edhe mundësitë e bashkëpunimit”, tha Nazif Cungu, kryetar i Komunës së Ulqinit.

“Dua t’i falenderoj miqtë që na rezervuan një mikpritje vëllazërore dhe që na dhanë mundësinë të kemi një bashkëbisedim shumë të hapur për të gjitha çështjet e shqetësimit dhe interesit të përbashkët, që nga çështjet e zhvillimit të kësaj komune, deri tek çështjet e cilësisë së jetës së shqiptarëve, në Mal të Zi, e kudo ku ndodhen në rajonin, sepse ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim”, tha Rama.

Takimi në Tuz

Ndërkohë në zonën e Malësisë në Tuz, kreu PS Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët e atjeshëm ka promovuar librin “Kurban”. Duke iu referuar vizitës në Preshevë ka theksuar propozimet, për një Rilindje Shqiptare, kur bursat për të rinjtë shqiptarë në rajon, unifikimi i teksteve shkollore apo shërbimet e përbashkëta turistike janë një mundësi reale e zhvillimit.

“Ajo që ata që merren me politikë, apo ata që janë aktivë ne jetën publike, nuk duhet ta harrojnë është se tek e fundit llogaritë bëhen me ata çka lë pas, me atë çka u mbetet brezave që vijnë. Besoj se kemi të gjitha mundësitë sot, në këtë kohë të re, që brezave t’i lëmë pas, një tokë mbi të cilën të mund të korrin fryte të dobishme”, tha Rama. /Top Channel/