Nga Anton Kolë Berishaj
U takuam për herë të parë – tani në vitin e largët shkollor 1973/74. Si profesor i ri, i posadiplomuar në Akademine e Arteve të Univeristetit të Beogradit, Gjergj Noc Martini, nuk dallonte nga stafi tjetër arsimor i gjimnazit të Ulqinit vetëm për nga profesioni. Organizimi i orës së mësimit, ligjerimi i shliruar nga nevoja e shikimit nga lartësia dhe mbajtja e distancës me nxënës, rrezatimi me një energji pozitive, dashamirësia dhe imazhi prej artisti në sjellje dhe në veshje, e bënin të veçantë. Për nxënësit, dera e atelieut të shkollës ishte e hapur dhe përpjekjet e tij që të mësojmë çkadoqoftë nga përkushtimi i tij prej mjeshtri, nuk munguan. Jeta na dha kahje të ndryshme, mirëpo miqësia e atyre ditëve, nuk u harrua asnjëherë.
Lajmi për vdekjen e hershme të Maestro Noc Martinit, ishte një kumt – jo vetëm për ata që e kanë njohur personalitetin kompleks dhe punën e tij prej artisti, por Gjergj Noc Martini, la zbrazëti në radhët e intelektualëve, krijuesve dhe personaliteteve që ndikojnë në formësimin e imazhit krijues të shqiptarëve në Mal të Zi dhe më gjerë.
Një nate festive të qytetit të lindjes, Ulqinit, para dy viteve, Maestro Martini që ekspozoi në qendra të ndryshme dhe salone me renome artistike botërore, ia shtoi sharmin dhe ngazëllimin artistik me ekspozitën e tij retrospektive, të begatshme si për nga lloji i teknikave të aplikuara, ashtu edhe për nga sasia e emocioneve të ndërthurura me mjeshtri përmes sfidimit të formave, shkrirjes natyrale të nuancave të koloritit, përmes plasticitetit të figurave që komunikojnë shlirë në hapësirën imagjinative, por që oscilojnë në kufinjtë e abstrakcionit dhe realizmit. Joshja e vazhdueshme me objektivat e synuara, në të vërtetë, prekën pafundësinë vizuele të ambientit ku ka lindur dhe ka përcëptuar vijën e horizontit që prek kaltërsinë detare. Siç ndodhë edhe me krijuesit tjerë që talentin e vet e kanë sprovuar pranë hapësirës së palimituar të gjerësive dhe largësive detare, të cilat nuk maten dhe ngulfaten me kufij, shefi, mure, pëngesa, oborre të ngushta, parcela të rrethuara me rrethoja që ngulfasin, rrugë dhe rrugica që ngadalsojnë ritmin e jetës dhe komunikimin me ambientin, te ky autor në fazën e hershme të krijimtarisë dominojnë forma dhe figura me frymim të shlirë. E tillë ishte edhe struktura e personalitetit të Maestro Noc Martinit.
Për të vënë në sporvë mjeshtrinë dhe talentin që e posedoi me bollak, Noc Martini në krijimtarinë e vet ofroi një lepezë të tërë të teknikave dhe përmbajtjeve artistike, siç janë: portretet, aktet, enterjeri, kompozicionet në teknika vaj, në pelhurë, akrilik – si dhe teknikë të kombinuar…
Në vazhdën e ndërtimit të profilit krijues, kopmletimit dhe përsosjes së tij, Maestro Noc Martini, sprovoi edhe abstrakcionin simbolik, që si fazë krijuese nuk shkëputet plotësisht nga fazat paraprake, por i begaton ato me elemente të fuqishme të ngjyrave të dhezta, me vija të dukshme, figura të formësuara qartë dhe të vendosura në rrafshin e qendrueshëm. Abstraksioni simbolik, në të vërtetë, na paraqitet si tendencë e qartë për shkëputje të vendosur me totalitarizmin shoqëror, dhunën, represionin autoritar etj.
Në krijimtarinë e tij hetohet joshja e parezistueshme nga krateret ambientale, koloriti i dritave, dinamika e jetës dhe ngutia për një akomodim sa më “afër” diellit. Tundimi dhe refuzimi – në kohë dhe hapësirë kur këmbimet ishin tepër joprofitabile, manifestohet në krijimtarinë e Noc Martinit si gjendje emocionale bivalente – që mjeshtrisht derdhet ne veprat e tij përmes ngjyrave të zymta dhe vijave të dukshme që manifestohën si barjera serioze për t’u shkrirë në zonat e bardha. Këto ngjyrime me kontraste, në një fazë të vonshme të autorit Noc Martini, synojnë sërish hapësirën e palimituar të frymëzimeve të para. Andaj, në krijimtarinë e këtij mjeshtri përcëptohet gjurmimi i mekanizmave të afrimit, pajtimit, mirëqenies dhe evitimit të dilemave nga motivet e tërheqjes dhe refuzimit.
Figurat e ndara deri në thërmim nga dallimet dhe kufijtë, te Maestro Noc Martini, afrohën, arnohen, lidhen me ura dhe urëza, zakonisht të kuqe, që simbolizojnë impulsin e krijimit të harmonisë simetrike dhe komunikimit të pjesëve me tërësinë. Në këtë mënyrë, qarku krijues i Maestro Noc Martinit dominohet nga trendet globalizuese bashkëkohore.
Mladen Llompar, për Noc Martinin thot: “Me kthimin nga qetësia e rrethinave asociative në bukurinë e intimitetit, Noc Martini zbulon sentimentin esencial, nevojën që me vizatime narrative të krijojë një komponim të ndryshëm pamor me elementet e tija të fillimit, por njëkohësisht, ta “arsyetojë” me shprehje të tij individuale dhe lapidare, ndërrimin e kahjes së tij stilistike. Njëkohësisht paraqiten edhe lidhjet e forta me motiv të njëjtë inspirativ të vendlindjes, posaçërisht figura pitoreske, por edhe peisazhe. Në lirinë artistike nganjëherë mund të vërehen edhe elemente fantastike, posaçërisht në komponimin e figurave. Ato fleta të cilat rikthejnë vizione të shtytura, e fuqizojnë konstatimin e Slavoniqit se Gjergj Noc Martini nuk krijon plotësi të cikleve të mbyllura, por varësisht nga inspirata, hulumton, lëviz dhe substituon eksplikatet e veta…” Pa dyshim, edhe rikthimi i tij në fantastikë nuk është themeli i tij i fundit stilistik.
Për të përmbyllur këtë përkujtim të një nxënësi për profesorin e vet, dëshiroj që në këtë rast përmortor, t’i shprehi mirënjohjen time personale ish profesorit tim të nderuar, Gjergj Noc Martinit, për kontributin e tij artistik, intelektual dhe njerëzor. Ata që patën privilegjin t’a njohin Maestron, do të ruajnë kujtimin e bukur për personalitetin e tij të veçantë dhe shumë kompleks. Për ata që këtë privilegj nuk e patën, imazhin e mjeshtrit të madh do t’a krijojnë përmes veprave të tij, të çmuara lartë nga njohësit e artit.
E lehtë të qoftë toka e Shtojit, Maestro Noc Martini.