Diaspora shqiptare në Amerikë kërkon ngritjen e një monumenti për Dedë Gjon Lulin në shtetin amë

ded-gjo-luli

Diaspora shqiptare ne Amerikë, në letrën drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, kërkon nga ai të mbështesë propozimin e tyre për ngritjen e një monumenti në nderë të heroit tonë Dedë Gjon Lulit. Ata ju drejtuan Kryeministrit që krahas shtyllave të shtetit shqiptarë si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nikollë Kaçori, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi e të tjerë, të ngrihet monumenti për Dedë Gjon Lulin, në një ndër qendrat e qyteteve të mëdha të Shqipërisë, në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Propozimi u dërgua në emër të tetë shoqatave të cilat udhëheqen nga aktivistë të mërgimtarëve shqiptarë nga zona e Malësisë së Madhe nga të dy anët e kufirit.

Kjo letër përpos Kryeministrit, ju dërgua edhe Presidentit Bamir Topi, Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe Ministrisë së Arsimit e Kulturës. /Malesia.Org/

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë dërguar institucioneve të Shqipërisë.

Shoqata “Malesia e Madhe” Detroit
Gjergj Ivezaj- Kryetar
Detroit, 8-Maj-2012

Kryeministri i Shqipërisë
Prof. Dr. Sali Berisha
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Nr. 1, 1000
Tirane, Shqipëri

Propozim

Për nderimin e prijësit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe Ded Gjo’ Luli

I nderuari Kryeministër Sali Berisha,

Diaspora shqiptare e Amerikës, gjate 100 viteve të veprimtarisë së saj dha një kontribut të çmuar në fushën politike, diplomatike, letrare dhe financiare për pavarësinë e Shqipërisë dhe themelimin e shtetit të ri të pavarur shqiptar.

Gjithashtu, kjo diaspore, e lidhur fort me administratën amerikane, simbol i lirisë botërore, dha kontribut të madh për rrëzimin e murit të hekurt komunist që e ndau kombin tonë për 50 vjet. Me të njëjtën energji, atdhedashuri e patriotizëm punuam edhe për pavarësinë e Kosovës.

Me plot bindje themi se jemi krenar dhe mirënjohës autoriteteve të larta të shtetit tonë shqiptarë për vlerësimin e lartë që i ka bërë kontributit të diasporës shqiptare në Amerikë, gjë që u pasqyrua edhe në fjalimin Tuaj z. Kryeministër në 100 vjetorin e organizatës Panshqiptare “Vatra” në New York. Ne gëzohemi pa masë për arritjet e mëdha të popullit tonë dhe qeverisë Tuaj për integrimin në Evropë, antaresimin në NATO, në nismat rajonale e ndërkombëtare si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Shtëpinë e Bardhë.

Diaspora shqiptare e Amerikës njësohet me programin e qeverisë shqiptare për festimin me madhështi të 100 vjetorit te pavarësisë së Shqipërisë. Ne në diasporë tashmë e kemi traditë të mblidhemi bashkë dhe festojmë çdo vit festat kombëtare, ndër tjera edhe atë të Kryengritjes së Malësisë se Madhe 1911.

Në ketë kontekst, duke na konsideruar si pjesë e kombit, ju lutemi pranoni propozimin tonë qe krahas nderimit të shtyllave të shtetit shqiptar si I. Qemali, H. Prishtina, N. Kaçori, I. Boletini, L. Gurakuqi e të tjerë, të parashikoni edhe vlerësimin me dinjitetin që e meriton të prijësit te Malësisë së Madhe, heroin e popullit Ded Gjo’ Lulin, i cili me 6 prill 1911 ngriti flamurin kombëtar në Bratilë të Deçiqit duke i paraprirë kështu ngjarjes me madhore në historinë e re të kombit tonë, shpalljes së pavarësisë. Gjykojmë se do t’i bënte nderë kombit në qoftë se në një nder qytetet kryesore të Shqipërisë, për 100 vjetorin e pavarësisë, do te ngrihej një monument për Kryengritjen e Malësisë dhe prijësin e saj Ded Gjo’ Luli.

Ded Gjo’ Luli Krajlit Nikolla të Malit të Zi i tha: “Për mik të pranoj, për bab’ jo, kurrë. Mâ i madh â’ mbreti i Stambollit se sa ju dhe nuk e pranoj për bab’. Bab’ kam vetëm Shqipërinë.”

Me shpresë se do të pëlqeni dhe jetësoni propozimin tonë, ju falënderojmë përzemërsisht dhe urojmë që 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë të shënojë hapa të ri në avancimin e çështjes gjithë-kombëtare në të gjitha fushat.

Me nderime,

Shoqata “Malësia e Madhe” Detroit, Kryetar, Gjergj Ivezaj
Shoqata “Ded Gjo’ Luli” Nju Jork, 
Kryetar, Sander Sinishtaj
Shoqata “Kastrati” Detroit, Kryetar, Nikollë Veshti
Fondi Humanitar “Malësia” Nju Jork, 
Kryetar, Mark Berishaj
“Atdheu na Bashkon” Nju Jork, Kryetar, Dr. Palok Camaj
“Shoqata e Intelektualeve” Detroit, Kryetar, Nua Ivanaj
“Shoqata Dukagjini” Detroit, Kryetar, Nikolin Shyti
Shoqata “Kelmendi” Detroit Kryetar, Gjekë Aliaj

Cc: Presidenti Topi, K. Kuvendit Topalli, Ministri i Arsimit dhe Kulturës Bumçi.