Tri ditë në New York – (Me vatranët e Detroitit në 100 vjetorin e Vatres)

E premte, 27 Prill 2012. Ora 0:30 AM në parkimin para Starbucks, në Miljen e 16 John r. Alfons Grishaj me Mirela Grishaj dhe Nevrus Nazarko me Klodianen, si përherë korrekt, na prisnin për t’u nisur. Mondi Rakaj, pothuajse më i riu, do merrte 3-4 të tjerë, kështu që i takon të vonohet pak. Petrit Doda dhe Nikollë Vneshta, edhe ata në kohë prisnin për t’u nisur. Pa u nisur kujtohemi për biletat e së dieles. Petriti e kishte harruar. Ne i themi te thërras në shtëpi e të marrë numrin e saj, por jo, -thotë, do marrë tjetren. Harresa duhet dënuar! Një mosmarrveshje me Gjeto Ivezaj na vonon disi. Gjeto, duke u keqkuptuar na priste në Starbuck-un e Crooksit, 4-5 milje më në perëndim. Afër orës 1:00 nisemi me tri makina 8 vendshe. Një udhëtim së bashku, edhe pse të ndarë. Armando Shtiza, Luigj Gjokaj, Lulash Palushaj dhe Pashko Gjokaj do niseshin më vonë. Po më vonë do të niseshin edhe Dom Ndue Gjergji dhe Gjevalin Gegaj, me linjen ajrore të mëngjesit të së shtunës. Ekrem Bardha dhe Selë Çela do të mbërrinin në mbrëmjen e së premtës. Po ashtu Imam Shuajb Gerguri me katër këshilltar të Xhamisë do vinte vetëm të dielën në darkë. Don Fran Kola, me kryetarin e Këshillit të Kishës së Shën Palit do të niseshin të shtunën në mbrëmjë, pasi gjatë ditës së shtunë, me afro 800 besimtarë katolik të famullisë së tyre do të ishin në Baziliken e njohur “ Basilica and National Shrine of Lady of Consulation” në Carey – Ohio. Një ditë e lodhshme për ta, kur duhej të udhëtonin me makinë gjatë gjithë natës për të mbërritur në mëngjesin e së dielës. Gjergj Ivezaj, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Patriotike “ Malësia e Madhe”, bashkë me të birin, do të ishin në New York në takimin e mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës për seminarin e planifikuar të kësaj dite. Po këtë mëngjes do të mbërrinte edhe aktivisti Malot Ivezaj. Julian Çefa dhe Kujtim Qafa, dy ndër vatranët e parë të degës së Detroitit, do të sillnin kujtimet e tyre. Ohio kalohet pa probleme trafiku, edhe pse në rrugë kryheshin punime. Telefonat me njeri tjetrin ishin mënyra e vetme për t’u ndjerë bashkë gjatë këtij udhëtimi, me shkëmbimin e batutave, sidomos të Kujtimit me të gjithë ne. Në malet e Pensilvenias na takon drita. Një mëngjes i freskët, por jo me shi. Dy tri ndalesa ishin fare pak për të mbërritur herët në destinacionin e porositur gati një muaj më parë, si dhe për batuat me njëri – tjetrin. Akomodimi herët, na bëri që darkën ta shijonim në Bronx, në restorantin e njohur të aktivistit Gjergj Dedvukaj…

Darka e së prëmtes

Rreth orës 7:30 i drejtohemi Restorant “Giovannit” në “lagjen e italianëve” të Bronxit, në New York. Kujtim Qafa, si një njohës i mirë i New Yorkut na prinë pa vështirësi drejt destinacionit. Kamerierja shqiptare, Mimi Doda na priti me buzëqeshjen e shqiptarit, megjithëse kishte ardhur vetëm para disa muajsh në New York-un e vështirë. Gjeto Ivezajn gjatë gjithë kohës, me grupin tonë të udhëtimit filluam ta thërrisnim “ Bajraktari i Grudës”.

Në fakt brenda kësaj thirrje kishte një të vërtetë. I dhënë pas historisë, sillej nga sillej dhe Gjeto dilte te Shqipëria e copëtuar dhe faktori i sundimit turk. Sapo kishim filluar porosinë, në hyrjen e perëndimit u duk Zef Balaj, anëtar i Kryesisë së “ Vatrës” dhe shkrimtari i përndjekur, i burgosuri i ndërgjegjës, Orhan Kostreci, i njohur dhe i dënuar shumë vite për poemen “ Epopeja e Karkalecave”, me një histori të veçantë të vuajtjeve të tij. Takohet dhe përshendetet gjatë më shokun e vujatjeve, “Pishtarin e Demokracisë” njërin nga të parët e krijimit të Lëvizjes Demokratike Shqiptare, si dhe poetin e publicistin Alfons Grishaj, njëherësh kryetar i Deges së Detroitit, të Federatës Panshqiptare “ Vatra”. Pas zënies vend dhe përshendetjes edhe me ne, Alfonsi i drejtohet të na thonte vargje nga Beatriçja e njohur, por në italisht, siç bënte në netët e gjatë të burgut. I papërtueshem dhe pa ndonjë emocion të dukshëm, Orhani na reciton vargje të atij krijimi të njohur. Më pas, ai na rrëfen, me kërkesen tone, historinë e “ Epopesë së karkalecave”, si e kishte nxjerrë nga burgu, duke ia diktuar një shokut të burgut, të cilin gjatë transferimit për në Sarandë e kishin kapur. Recitimi i pjesëve të saj, ishte një befasi e këndshme për të gjithë, në këtë mbrëmje të bukur. Me Nevrus Nazarkon dikun do të piqeshin, ndaj edhe biseda e tyre qe pak më e afërt nga fundi i darkës. Me ne , në këtë mbrënje do të ishte i pranishëm edhe aktivisti Bardhyl Ukcamaj, i cili për disa vite kishte punua e jetuar në Detroit me ca miq të tij. Po ashtu, “Pishtari i demokracisë” dhe Kryetari i Deges së “Vatrës” për Floriden, Kolec Ndoja do të bashkohej me ne këtë mbrëmjë.

E shtunë, 28 Prill 2011

Zgjim i hershëm në një mëngjes të freskët. Julian Çefa, si përherë i kujdesshëm dhe fill pas tij Kujtim Qafa do më bënin zgjimin, edhe pse isha zgjuar. Alfonsi kishte thirrrur dhe lënë orën 8 e 30 për t’u nisur. Pas kafeve dhe disa ëmbëlsirave që morëm në hotel, u përgaditem për t’u nisur. Valentin Lumaj na kujton aparatet fotografik, ndërsa sekretari i Degës së Vatres, Mondi Rakaj, që të visheshim mirë. Një parkim i vështirë në Manhattan, por gjithësesi të arritur në kohë në një nga hotelet në Central Park, nuk përbënte problem.

Ngjitem në katin e dytë ku do të bëhëj seminari shkencore në këtë 100 vjetor të “Vatrës”, takohemi me njëri tjetrin dhe me kryetarin e “Vatrës”, Dr. Gjon Buçaj. Njihem me Frank Shkrelin, edhe pse me internet ishim njohur, poashtu njihem dhe takohem me Elez Biberajn, Rita Saliun, Adnan Mehmetin, Mëhill Velaj, Agim Deshnicen, Ymer Velagoshtin, Rozi Theoharin, Merita Bajraktarin, etj. Në sallë na priste edhe Konsulli i Nderit, Ekrem Bardha, si dhe dy Televizionet Shqiptare të Detroitit, ndonëse njëri, ACTV kishte siguruar lejen e transemetimit nga Kryesia e “Vatres”, konkretisht Komisioni i Mediave. Prisja me padurim të takoja Anton Çefën dhe Ramiz Gjinin, për të cilët kisha marrë dhe disa kopje të botimeve të fundit, por më kot. Ata nuk e kishin pasur të mundur ardhjen në këtë ditë, por as të nesërmen, në darkën e madhe. Elinda Marku mezi po priste takimin me miken e saj, Flora Nikolla, e ftuar në këtë aktivitet si kryeredaktore e Axhencisë Telegrafike Shqiptare

Pak mbas orës 9:00 njerëzit drejtohen nga dera. Po mbërrinte kryeministri Sali Berisha, Zv/ Kryeminstrja e Maqedonisë Teuta Arifi, Ministri i Emigracionit në Qeverinë e Kosovës, Ibrahim Makolli, klerikë të lartë nga Shqipëria, Kosova, Amerika dhe Arbëreshët e Italisë, Monsinjor Dodë Gjergji, Ipeshkve i Kosovës, Antonio Belushi Ipeshkvë i Sicilisë, baba Mondi Brahimaj, Kryegjysh i bektashinave në gjithë botën, Nën Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Gazmend Aga, etj. Sali Berisha njihet me të njohurit, Alfons Grishaj, Ekrem Bardha, Gjeto Ivezaj, Kujtim Qafa, Kolec Ndoja e të tjerë. Fotografi dhe përshëndetje, takime duarsh dhe kujtime të viteve të fillimeve të Levizjes Demokratike. Semirain e hap gazetari i njohur, Frank Shkreli. Të pranishmëve dhe mysafirve u uron mirëseardhjen, Kryetari i Federatës Panshqiptare “ Vatra”, Dr. Gjon Buçaj. Përshendetjet e klerikëve janë shumë emocionuese, siç ishte edhe përshendetja e Kryeminsitrit Shqiptar dhe përsonalitetve të tjerë të pranishëm. Gjatë përshendetjes, kryeministri Sali Berisha tha se, krenohej për historikun e shkëlqyer të “ Vatrës” dhe në fund theksoi : “ Na vjen keq për të gjithë ata që largohen nga Shqipëria, kurse për ata që vijnë në Amerikë, gëzohemi.” Të pranishmit duartrokasin, pasi kjo ishte një e vërtetë. Ku më lirë se në Amerikë do të ndjeheshin shqiptarët?!

Në përcjelljen e Kryeministrit një grup i vatranve nga Detroiti takohet edhe njëherë, duke i bërë edhe ftesën për ta vizituar këtë komunitet, ftesë të cilen e pranoi me kënaqësi.

Më pas do të vinte radha e referimeve, të cilat mbaruan aty rreth orës 4:00 Pm, për t’ia lënë radhën takimeve me Princin, në po të njëjtin hotel, veç në një tjetër sallë. Princi Leka u foli të pranishmëve dhe bëri fotografi gati me të gjithë. Ai shtroi për ta një drekë me ushqime, pije e meze të traditës shqiptare. Tani na priste “mbrëmja e madhe”, ajo e nesërmja, për t’i mbyllur këto takime festive kaq të bukura!

E diela, dita e parë e hyrjes në 100 vjetorin e dytë të “Vatres”

29 Prilli, ku pritej mbrëmja e madhe në përkujtim të 100 vjetorit të “Vatrës” do fillonte me takimet në Kishën “ Zoja e Shkodres” në New York, në një Meshë Celbruese nga Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkv i Kosovës, në të cilen mirrnin pjesë gjithë përsonalitetet e fesë katolike, që kishin ardhur për këtë festë. Emocionus qe Papas Antonio Belushi me urimet e tij në gjuhen shqipe. Prania e Princit Leka i II me të fejuaren e tij Elia Zaharia, i dhanë edhe më prezencë kësaj Kishe të shqiptarëve. Në trupen e kësaj meshe ishin edhe Dom Ndue Gjergji e Don Fran Kola. Dreka e shtruar për shqiptarët në Sallën “Nënë Tereza” të kësaj Kishe, ishte një moment ku meshtarët dhe të ftuarit e tjerë, të bisedonin sëbashku e të njiheshin prej nga afër. Me Monsinjor Dodë Gjergjin, Ipeshkv i Kosovës, kujtuam kohen e Lezhës dhe Bibliotekën e bukur që bëri ai për të rinjët e Kallmetit, krahas Kishës po të bukur të atij fshati historik. Don Fran Kolaj edhe pse i lodhur nga udhëtimi i një nate më parë, gjatë gjithë kohës qendronte në këmbë, pa iu dukur asnjë shenjë e kësaj lodhje.

Mbrëmja festive

Një mbasdite e bukur në Manhattan. Diell në ikje dhe fresku ledhatues i Lumit Hudson, pranë të cilit ndodhet Chelsea Piers 60, një lokal shumë i njohur në New York në brigjet e këtij lumi, i cili rezervohet vetëm për aktivitete të tilla të mëdha.

Ora 6:00 Pm shënon hapjen e aktivitetit me një koktel në mjediset e bukura para restorantit. Disa nga vatranët e Michiganit takohen dhe bisedojnë me Ambasadorin amerikan në Shqipëri, Arvizu. Habitet kur Nikoll Vneshta i thotë se ka ma shumë se 40 vjet në Amerikë dhe se ka jetuar në tri shtete të Amerikës. Flet lirshëm me të gjithë dhe preferon të rri me ne, edhe pse grupe të ndryshmne i drejtohen për fotografi me të. Alfons Grishaj takohet me punonjësen e Departamentit të Shtetit, Sara Hutchison (Desk officer for Albania), të cilës i kërkon të vizitojë komunitetin letrar të Amerikes në Ditët e Letërsisë që bëhen në Michigan dhe ajo pranoi me kënaqësi.Takimi njëorësh para hapjes së dyerve të resorantit bëri që ne të mblidhemi me njëri-tjetrin.

Ora 7:00. I drejtohemi sallës ku do të bëhet aktiviteti. Pesë tavolina janë të Michiganit. Pas ekzekutimit të hymneve, ku ra në sy mikja jonë Carie Hooper, e verbër krejtësisht, por që ka mësuar shqipen si një shqiptar i ditur, vjen radha e bekimeve të aktivitetit nga të gjithë klerikët e pranishëm. Një veprim model për të treguar sa të bashkuar janë shqiptarët. Në këtë bekim përshendesin edhe Dom Ndue Gjergji, Imam Shuajb Gerguri dhe Dom Fran Kola. Një nga drejtueset e këtij aktiviteti është mikja e “ Kuvendit “ Rafaela Prifti, e cila vitin që shkoi bashkë me Nevrus Nazarkon moderoi mbrëmjen e letërsisë në Michigan, e cila si me të qeshur në thotë: “Ishit ju që e zbuluat “ talentin” tim!” E veçanta shumë e ngrohtë, shumë shqiptare ishte përshendetja e Senatorit të New Yorkut, Charles “Chuck” Schumer, por edhe ajo e kongresmenit Eliot Engell, i cli kishte shumë miq shqiptarë në këtë sallë.

Mbrëmjen e hapi me një fjalim përshendetës Nënkryetari i Federatës Panshqiptare “ Vatra”, Agim Rexha, i cili falenderoi të pranishmit, si dhe u lexua letra e Presidentes se Kosovës Jahjaga, si dhe u falenderua veçanërisht Kryeministrit Shqiptar Sali Berisha, i cili e përcolli një ditë më parë një pjesë të seminarit kushtuar 100 vjetorit të “ Vatrës”.

Ana artistike kishte në përbërje disa këngëtarë, por Gëzim Nika si përherë e ndezi sallën me këngën e njohur “ Shqipëri, o nëna ime!”

Angjelina Nika kishte përgaditur me valltarët e Rozafatit, pranë Kishes “ Zoja e Shkodres” një kolazh me valle dhe kostume kombëtare të disa trevave. Mbrëmjes po i vinte fundi, për t’u futur në 100 vjetorin e dytë të kësaj Federate, si dhe ne për t’u nisur që me natë për në Detroit.