Shqiptari Gac Filipaj bën bujë në SHBA

Për vite të tëra, Gac Filipaj pastronte katet, tualetet, ndërsa ka hedhur edhe bërllokun jashtë Universitetit Columbia. Por, mundi i tij është shpërblyer të dielën: 52 vjeçari e vuri kapelën dhe veshi rrobat e të diplomuarit në studimet e filozofisë klasike.

Si punonjës i këtij Universiteti, ai nuk duhej të paguante për mësimet që merrte. Lënda më e preferuar e tij ishte filozofia romake dhe burrështetasi Seneka, ka thënë ai gjatë një pushimi në Sallën Lerner, ndërtesën e unionit të studentëve të cilën ai e pastron.

“I dua letrat e Snekës sepse janë shkruar në frymën me të cilën jam edukuar në familje: të mos shikosh për famë dhe pasuri, por të kesh jetë të thjeshtë e të ndershme”, tha ai për AP.

Diplomimi i tij me nderime ka mbërthyer shumë vite të studimeve, përfshirë leximet në latinishten dhe greqishten e vjetër.

“Ky është një njeri me krenari e madhe, qoftë kur e bënë punën e pastruesit apo të akademikut”, thotë Peter Awn, dekan i Fakultetit për Studime të Përgjithshme dhe profesor i studimeve islame. “Ai është jashtëzakonisht i përulur dhe mirënjohës, por është edhe një individ i cili e bën të ardhmen e tij”.

Filipaj u pranua në Columbia pas mësimit të anglishtes. Gjuha e tij amtare është shqipja.

Për Filipajn, diploma vjen pas shumë viteve të studimit natën në apartamentin e tij në Bronx. Para kohës së provimit apo përfundimit të punimeve, ai do të lexonte tërë natën, do të shkonte në mëngjes në orë mësimi e pastaj në punë.

Ishte viti 1992 kur Filipaj u largua nga Mali i Zi, atëherë republikë jugosllave që ballafaqohej me luftë brutale civile.

Një shqiptar etnik i besimit katolik, u largua nga ferma e familjes së tij në fshatin e vogël Këllezën e Poshtme, në periferi të Ulqinit, për shkak se donin ta dërgonin në ushtrinë jugosllave të dominuar nga serbët të cilët për shqiptarët ishin armiq. Ai iku, ndonëse ishte pak para diplomimit nga Fakulteti i Drejtësisë në Beograd – kryeqyteti i Jugosllavisë së atëhershme – për ku me vite udhëtonte me tren nga Mali i Zi.

Në fillim, në New York, xhaxhai i ofroi strehë në Bronx, ndërsa punonte si larës enësh në një restorant.

“I pyesja njerëzit se cilat janë shkollat më të mira në New York”, thotë ai. “Meqë Universiteti Columbia ishte në maje të listës, shkova atje për të shikuar nëse mund të gjejë një punë”.

Një pjesë e pagesës së tij shkon tek vëllai, kunata dhe dy fëmijët e tyre në Mal të Zi. Filipaj nuk ka kompjuter, por e ka blerë një për familjen e tij, të ardhurat e të cilëve kryesisht vijnë nga shitja e qumështit.

Ai do të donte që babai të ishte gjallë të kënaqej me të arriturat e tij. Filipaj i vjetri vdiq në prill, dhe djali fluturoi për varrim, ndërsa u kthye tri ditë më vonë për punë dhe mësime.

Për të pushuar në shtëpi, ai kënaqet me ndonjë cigare dhe ndonjë gotë raki rrushi

“Nëse e teproj, shkoj për të fjetur”, thotë ai duke qeshur.

Gjatë intervistës Filipaj nuk shfaqte asnjë pendesë apo hidhërim për jetën e tij të rëndë. Përkundrazi, ai me gëzim përshkruan takimet me studentët e rinj të cilët çuditeshin se pse shoku i tij i klasës pastronte.

“Ata thoshin: A nuk je…”, thotë ai me buzëqeshje.

Ambicia e tij është që të marrë një diplomë masteri, ndoshta edhe një doktoratë, në klasiken greke dhe romake.

Tani për tani, ai është duke u përpjekur që të gjejë “një punë më të mirë”, ndoshta si mbikëqyrës i pastruesve apo diçka të ngjashme, nëse është kjo është e mundur në Columbia.

Gaci ka thënë më herët se nuk i pëlqen fama dhe shpreson që kjo zhurmë rreth rastit të tij të qetësohet së shpejti. Por, shton se ra dakord të fliste në lidhje me arritjet e tija vetëm e vetëm për t’u treguar të tjerëve se nuk është kurrë vonë për t’u arsimuar.

‘’Unë fillova në moshën 40-vjeçare dhe mbarova në moshën 52-vjeçar. Çdonjëri mund ta bëjë këtë”, thotë Filipaj i cili është nipi i Dom Simon Filipajt, priftit patriot dhe përkthyesit të Dhiatës së Re e Dhiatës së Vjetër.

Ai nuk është i interesuar në thellimin e studimeve të tij as për të bërë më shumë para.

“Pasuria është në mua, në zemrën time dhe në kokën time, e jo në xhepat e mi”, tha Filipaj, i cili tani është një qytetar amerikan.

Arritjet, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e tij dëshmojnë se kurrë nuk është vonë për të realizuar ëndrrat. Shembulli i tij është frymëzim për të rinj e të moshuar. /Telegrafi/