Incidente ndëretnike në Mal të Zi – Top Channel në Tuz /video/

Incidentet me karakter ndëretnik janë zhvendosur në Malin e Zi, ndonëse me përmasa më të vogla. Studentë ekstremistë serbo-malazezë kanë ushtruar dhunë ndaj studentëve shqiptarë në shkollën e mesme “25 Maji”, në Tuz të Malit të Zi.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në oborrin e kësaj shkolle, kur një grup studentësh serbo-malazez, të përjashtuar nga shkolla, provokuan një grup studentësh shqiptarë. Sipas informacioneve, studentët shqiptarë fillimisht janë fyer e më pas janë goditur me grushta.

Politikanë dhe intelektualë shqiptarë të Malit të Zi kanë dënuar rastin në fjalë duke u shprehur se mediat malazeze duhet të tregojnë kujdes pasi mënyra se si u përcoll lajmi, fajëson studentët shqiptarë.

“Kemi një situatë të atillë, që përzierja e nxënësve që vijnë nga familje të ndryshme dhe problemi i gjuhës. Kemi studentë malazez që nuk dinë shqip fare dhe kjo krijon probleme potenciale. Ajo që ka dalë me ndërhyrjen e organeve dhe medias, është tentuar t’i jepet një ngjyrë tjetër, që ne si mësues nuk duam ta kuptojmë ashtu. Në media del se nxënësit shqiptarë po provokojnë nxënësit joshqiptarë, që absolutisht nuk ka të bëjë me të vërtetën, nuk ka të bëj me realitetin këtu, porn ë jemi këtu mikpritës të nxënësve joshqiptarë”, thotë një mësues shqiptar në shkollën “25 Maji”.

Në Mal të Zi jetojnë në total rreth 620 mijë banorë, ku 53 përqind përbëhet nga pakicat kombëtare dhe 47 përqind shtetas malazezë. Ndër këto pakica etnike, pjesën më të madhe e përbëjnë serbët, boshnjakët e më pas shqiptarët. Zonat më të populluara me shqiptarë janë Tuzi dhe Ulqinit, bashkë me Plavën e Gucinë, më mbi 30 mijë banorë.

VIDEO