Në Turqi dhe Greqi, zyrtarisht s’ka shqiptarë

Koço Danaj, drejtues i Listës për Shqipëri Natyrale, e cila vepron për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan, ka komentuar me përbuzje deklaratat me mburrje të politikanëve shqiptarë se në Turqi dhe Greqi ka miliona turq e grekë me gjak shqiptari.

“Në fillim ishte kryeministri Sali Berisha që deklaroi në Turqi se miliona turq kanë gjak shqiptari, dhe se turqit i kanë dashur shumë femrat shqiptare. Pas Berishës, ishte Jozefina Topalli që deklaroi se ne Turqi ka miliona turq me origjinë shqiptare. Dhe solli si shembull, praninë e disa deputetëve turq me origjinë shqiptare. Po pastaj? Pastaj janë edhe 3 milionë grekë që kanë gjak shqiptari. Shumë e japin si një shifër krenarie, se në Greqi jetojnë 3 milionë arvanitas. Domethënë 3 milionë grekë me origjinë shqiptare. Dhe shifrat e mësipërme janë pjesë e propagandës, por edhe e disa studimeve”, ka thënë Danaj.

“Por çfarë thonë statistikat e regjistrimit të popullsisë në Turqi dhe Greqi? Sipas statistikave të regjistrimit të popullsisë, në Turqi nuk ka shqiptarë, në Greqi nuk ka shqiptarë. Edhe një pakicë kombëtare që ekzistonte deri në vitin 1944 në Greqi, në krahinën shqiptare të Çamërisë, u deportua me forcë për në Shqipëri dhe Turqi”.

Por problemi nuk mbaron këtu, ka thënë Danaj. “Këtu hapet. Pse? Ja disa shembuj: Kur Ali Pashë Tepelena u rebelua ndaj Portës së Lartë, Sulltani dërgoi kundër tij një ushtri të komanduar nga një shqiptar me emrin Ismail Pasho Beu. Ai dështoi. Sulltani që donte në tepsi Kokën e KaraAliut, dërgoi përsëri një ushtri, por prapë me një komandant shqiptar, Hurshid Pashën. Dhe Aliun, e tradhtuan disa nga komandantët e tij, Tahir Abazi, Meco Bono, Omer Vrioni etj, të cilëve Sulltani ju premtoi tua shtonte pasurinë. Andaj stërnipët e atyre që tradhtuan Vezir Alinë, sot edhe mund të jenë deputetë në Parlamentin turk, ndërsa politikanët tanë i konsiderojnë me mburrje me gjak shqiptari?”.

Ja edhe një shembull tjetër: Vërtet në Greqi mund të ketë 3 milion arvanitas, ose grekë me gjak shqiptari. Por memorandumi që sot quhet ‘Megaliidea’ e ka hartuar një grek me gjak shqiptari, me emrin Joanis Koletis; Në 1914 Autonominë e Vorioepirit e shpalli një grek me gjak shqiptari me mbiemrin Zografos; Jugun e Shqipërisë në 1914 e shkatërroi një gjeneral grek me gjak shqiptari, me emrin Spiro Milo, të cilit OMONIA sot kërkon t’i ngrejë edhe një monument në Himarë; Vasil Bollano, i njohur për antishqiptarizmin e tij, është një grek me gjak shqiptari…”

“Dhe nuk ja vlen më të japim shembuj mortorë. Është një faqe e palavdishme. Askush nuk duhet të mburret me këtë ngushëllim mortor. Sot ne na duhen shqiptarë realë, nuk na duhen ata me gjak shqiptari, që për të treguar se kanë qenë grekë apo turq tamam kanë vrarë dhe masakruar shqiptarët. Sot ne na duhen shqiptarë që duan dhe dinë të bashkojnë trojet shqiptare dhe jo politikanë që duan të ruajnë Vilajetet e tyre, e që gjejnë ngushëllim tek grekët apo turqit me gjak shqiptari”, ka vlerësuar Danaj. /Telegrafi/