Kosovë – Tensionet në veri, KFOR-i konfirmon një ushtar të plagosur (Video)

Mitrovicë, Zveçan, 1 qershor – (E plotësuar) Sipas burimeve të KFOR-it, në veri të Kosovës, përkatësisht në rrugën Zveçan-Rudare, ku që nga orët e hershme të mëngjesit forcat amerikane të KFOR-it kanë bllokuar rrugën Zveçan-Rudare, ndërkohë që janë grumbulluar numër i madh serbësh për të penguar forcat e KFOR-it, nga të shtënat me armë zjarri ka të plagosur në të dy anët- edhe nga serbët e grumbulluar, por edhe ushtarë të KFOR-it.

Bëhet e ditur se një ushtar i KFOR-it është plagosur nga të shtënat e serbëve. Plagosjen e një ushtari të KFOR-it e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i forcave paqeruajtëse, Uve Novicky. Ndërsa, mediat serbe vazhdojnë të njoftojnë për tre qytetarë serbë të plagosur.

VIDEO

Të shtëna në veri, tre të plagosur në spitalin e Mitrovicës

Mitrovicë, Zveçan, 1 qershor – 11:03 – (E plotësuar) Sipas medieve serbe në veri të Kosovës, përkatësisht në rrugën Zveçan-Rudare, ku që nga orët e hershme të mëngjesit forcat amerikane të KFOR-it kanë bllokuar rrugën Zveçan-Rudare, ndërkohë që janë grumbulluar numër i madh serbësh për të penguar forcat e KFOR-it që ta heqin barrikadën nga ky vend, po dëgjohen të shtëna armësh.

Agjencia serbe BETA njofton se nga larg po dëgjohen armë, ndërkohë që në Zveçan, vazhdojnë të dëgjohen edhe sirenat, të cilat ftojnë serbët për tu grumbulluar. Sipas BETA-s në spitalin e Mitrovicës në mëngjes janë trajtuar 3 persona të plagosur.

Njëri nga të plagosurit është lëshuar në shtëpi, ndërsa dy të tjerë po trajtohen në spital.

Sipas kësaj agjencia, KFORI, ka lëshuar ekipet e ndihmës së shpejtë për te kaluar.

KFOR: Do të përdorëm armët nëse rrezikohemi nga serbët e grumbulluar

Mitrovicë,/Zveçan, 1 qershor – 10:34 – ( E plotësuar ) Nënkoloneli i KFOR-it, oficeri amerikan Jozef Linch ka thënë sot rreth orës 10 para dite se ushtarët e KFOR-it do të shtijnë me armë në serbët e grumbulluar, nëse ata do të gjuajnë me gurë pjesëtarët e KFOR-it, apo nëse vërehen armë te masa e grumbulluar, iu kanë thënë serbe të grumbulluar te Rudare kryetarët e komunave paralele në Zveçan dhe në Zubin Potok, raporton gazeta serbe “Blic”.

Me oficerin amerikan , sipas gazetës serbe, kanë biseduar kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, ai i Zubin Potokut, Slavisha Ristiq dhe drejtoresha e spitalit, Milena Cvetkoviq.

Pas kësaj bisede këta zyrtarë kanë apeluar serbët që të mos gjuajnë me gurë , sepse në të kundërtën KFOR do të përdorë armët.

Mbi Rudare po fluturojnë helikopterë të KFOR-it, të cilët po i vijnë pa ndalur ndihma nga toka .

Sipas medieve serbe, KFOR ka tentua të heq barrikadën këtu, ndërsa serbët kanë tentuar që ta pengojnë KFOR-in.

KFOR-i bllokon rrugën Zveçan Rudare, serbët grumbullohen

Mitrovicë,/Zveçan, 1 qershor 09:34 – Të gjitha rrugët që shpijnë nga Zveçani për në fshatin Rudare dhe te barrikada e çimentuar në vendin e quajtur “Dudin krsh” janë të bllokuara, raporton B92.

Sipas B92-shit, pjesëtarët amerikanë të KFOR nuk lejojnë kalimin as për automjete as për udhëtarë- këmbësorë, ndërkohë që numër i madh i qytetarëve serbë është nisur në drejtim të Rudares pas rënies së sirenave në Zveçan dhe në Mitrovicë.

Sipas raportimeve të medieve serbe edhe te “Dudin Krsh” janë vendosur një numër i madh i ushtarëve të KFOR-it dhe i qytetarëve , të cilëve për shkak të bllokimit të rrugëve nuk ka mundësi t’u dërgohet përforcime.

Mediat serbe raportojnë se qytetarët po grumbullohen në numër gjithnjë e më të madh për të penguar KFOR-in që kishte paralajmëruar heqjen e barrikadave. /Koha Ditore/