Komuna e Malësisë, kushte për të plotësuar apo mision për të përfunduar

Përfaqësuesit e partive shqiptare, përveç partisë në pushtetin qendror UDSH-së, me vite po kërkojnë (pa sukses) statusin e Komunës së plotë për rajonin e Malësisë, gjë që u zvarrit dhe u kundërshtua direkt apo indirekt nga qeveritarët në nivelin shtetërorë dhe ata aktual në nivelin lokal në KU Tuz që përbëhet nga PDS (DPS), UDSH dhe Partia Boshnjake.

Muajt e fundit, në këtë çështje me ndihmën e diasporës shqiptare në SHBA, po angazhohen me seriozitet edhe ligjvënësit amerikan si Eliot Engel, Jean Schmidt, Gary Peters, Carl Levin, Sander Levin etj., të cilët edhe zyrtarisht kërkuan nga pushtetarët malazez të i mundësojnë Malësisë statusin e Komunës së plotë. Një javë më herët, më në fund edhe Kryeministri i shtetit amë, Sali Berisha në mediet malazeze deklaroi se është koha që Malësia të fitoj statusin e Komunës.

Koalicioni qeveritarë edhe pse me shumë premtime (të parealizuara), për vite të tëra shpjeguan se Malësia nuk është e gatshme të vetëqeveriset, e shpesh si shkak përmenden edhe krizën globale, e cila po zgjatë që disa vite. Por, tani nga zyrtarë të partive qeverisëse po shihen sinjale “pozitive” në përkrahje të Komunës. Edhe pse kriza globale ende po vazhdon, e posaçërisht në Mal të Zi në përgjithësi vetëm po thellohet edhe më shumë, kurse në Malësi nuk vërehet se po punohet në drejtim të përmirësimit ekonomiko-social, prandaj janë pak si të dyshimta këto manovrime politike. A ishte vërtet pikëpyetje qëndrueshmëria dhe kushtet që duhet plotësuar, apo ndoshta mision ndaj Malësisë që është në proces dhe duhet përfunduar!

Janë këto premtime, lojë politike, për të fituar përkrahjen e deputetëve shqiptarë për ndryshimet kushtetuese që po zhvillohen (për të cilat përkrahja e deputetëve shqiptarë mund të jetë vendimtare), një fushatë e re për përmbledhjen e votave shqiptare apo presion nga jashtë, do të vërtetohet me kalimin e kohës.

Se kriza ekonomike dhe dyshimet në qëndrueshmërinë ekonomike të Malësisë nga ana e pushtetarëve malazez dhe partnerëve të tyre shqiptarë, ishin shkak i mosnjohjes së Komunës së plotë për Malësinë, tashmë çdo njëri e ka të qartë se ishin vetëm lojë politike. Tashti ata shprehen se nuk janë kundër Komunës dhe se kushtet po plotësohen, por përmendin referendumin. Nuk ka dyshime se shumica e banorëve të Malësisë e duan Komunën e plotë, por dyshimi qëndron pikërisht tek referendumi dhe mënyra se si do të përgatitet nga po të njëjtit të cilët premtuan shumë e (as)pak realizuan. / R. Ivezaj /