Shqipëria dhe Kosova shënojnë 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Dy qeveritë shqiptare, ajo e Republikës së Shqipërisë dhe e Republikës së Kosovës janë mbledhur të dielën në Prizren për të shënuar 134 vjetorin e ngjarjes më madhore të kombit shqiptarë të shek. XIX, atë të Lidhjes së Prizrenit.

Ceremonia e 134 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit filloi me intonimin e himnit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.

Të pranishëm në ceremoni ishte kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i partisë “Bashkimi Demokratik për Integrim” në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe shumë personalitete nga jeta politike e kulturore mbarëkombëtare.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Lidhja e Prizrenit me përfaqësuesit e të gjitha viseve shqiptare është organizata më e rëndësishme politike e asaj periudhe.

Ai vlerësoi se rilindësit shqiptarë me idealizëm të rrallë vunë themelet e ndërgjegjes kombëtare.

Kryeministri i vendit, më tej tha se Kosova me gjithë fatin tragjik, e mbetur jashtë shtetit shqiptarë, vazhdoi me idealizëm përpjekjet për çlirim.

Thaçi theksoi se pavarësia e Kosovës në shek. XXI e korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve.

“Pavarësia e Kosovës i dha kuptim edhe Lidhjes së Prizrenit, Pavarësisë së Shqipërisë, e forcoi kombin shqiptarë”, tha Thaçi, duke shtuar se shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur pozicion më të mirë dhe janë faktor vendimtar në rajon.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vlerësoi se Lidhja e Prizrenit përbën mrekullinë, ndoshta më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave. Në këtë ngjarje, Berisha tha se personalitetet shqiptare u mblodhën me qëllimin për një komb një qëndrim.

Ai tha se Lidhja e Prizrenit, shënon ngjarjen më kulmore pas luftërave të Skënderbeut.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë theksoi se Lidhja e Prizrenit shpalli integritetin e territoreve shqiptare, duke i thënë botës se shqiptarët për trojet e tyre do të vendosin vetë.

“Faleminderit Kosovë se këtu lindi ushtria shqiptare për t’u dalë zot trojeve të veta…. Faleminderit Kosovë se këtu u organizuan kryengritjet gjigande që sollën pavarësinë e Shqipërisë…. Faleminderit Kosovës që nuk u përkulët kurrë…”, u shpreh ndër të tjera Berisha.

Thaçi dhe Berisha falënderuan shtetet mike të shqiptarëve që ndihmuan proceset politike të Kosovës e Shqipërisë.

Në këtë manifestim foli edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndryshe, Lidhja Shqiptare e Prizrenit vlerësohet si e para organizatë politike mbarëshqiptare me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në Kuvendin shqiptarë është mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878.

Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti shqiptar që do të mbulonte vilajetin Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Është një nga përpjekjet më serioze për pavarësinë e vendit, jo vetëm për nga numri i përfaqësuesve të mblodhi, por edhe nga platforma ideologjike. /Telegrafi/