Të dielën,më 10 qershor, në QKI Malësia në Tuz, u mbajt Kuvendi zgjedhor i LD në MZ, Dega e Malësisë, i gjashti me radhë, në të cilin u shqyrtua puna e kësaj dege mes dy Kuvendeve zgjedhore. Delegatët e Kuvendit zgjodhën Kryesinë e re dhe Kryetarin e saj në mandatin e ardhshëm katër vjeçar. Kryetari i deritashëm i kësaj Dege, Nikollë Camaj, në raportin e paraqitur para delegatëve pjesëmarrës në Kuvend, në pika të shkurtra veçoi aktivitetet kryesore në katër vitet e kaluara , duke theksuar se edhe pse në kushte dhe rrethana të vështira, kjo Degë veproi në pajtim me orientimet programore partiake, në vijën e mbrojtjes dhe realizimit të interesave të votuesve të vet dhe të popullatës shqiptare në përgjithësi. Ai u shpreh i kënaqur që edhe krahas rrjedhave mjaft të pavolitshme për veprimtarinë e këtij subjekti nacional është vazhduar me vendosmëri programi i proklamuar partiak në ngritjen e zërit kudo dhe në çdo moment në mbrojtje të interesave të popullatës shqiptare në Mal të Zi. Po ashtu, theksoi ai, nuk ka pushuar asnjë çast angazhimi diplomatik për të njohur opinionin ndërkombëtar me kërkesat dhe interesat e banorëve shqiptar, duke veçuar kërkesën për komunë të plotë. Ai falënderoi kryesine e deri tashme për punën serioze dhe pa e kursyer veten. Pas një debati gjithëpërfshirës, delegatët e pranishëm e miratuan raportin e paraqitur e më pas zgjodhën kryesinë e re, e cila për dallim nga Kuvendet e mëparshme duke respektuar vullnetin, në veçanti të të rinjve të gatshëm të kontribuojnë në punën e këtij subjektit të parë nacional të shqiptarëve, u zgjerua dhe numëron 14 anëtarë. Propozimi për zgjerimin e kryesisë u përshëndet nga delegatët e pranishëm, aq më parë për gatishmërinë e dashamirëve të rinj në zgjidhjen e mirëfilltë të çështjeve të shumta, për të cilat në kontinuitet angazhohet LDnëMZ. Në përbërje të Kryesisë së re të Degës, u zgjodhën 6 anëtarë nga radhët e të rinjve, që të gjithë studentë apo më fakultet të mbaruar, ndër to edhe dy vajza, por edhe dy anëtar të rinj, nga anëtarësia e vjetër. Në kryesinë e re janë: Marash Dedvukaj, Gjokë Dukaj, Agron Berishaj, Zef Gjokaj, Pjetër Lulgjuraj, Anto Lulgjuraj, Nikollë-Buqi Gjonaj, Lekë Dedvukaj, Ivan Ivanaj, Kristina Sinishtaj, Teuta Gjokaj, Albert Camaj, Prëlë Ujkaj dhe Shtjefën Gjonaj. Më në fund, për kryetar të degës u zgjodh kryetari i deritashëm, Nikollë Camaj dhe u miratua deklarata e Kuvendit , me të cilën janë paraparë të pikësynimet kryesore partiake në veprimtarinë e mëtejme në këto treva. Delegatet i përshëndeti edhe kryetari i LDnëMZ- Dega e Rozhajës Ali Daci, i cili e përgëzoi degën partiake të Malësisë, për organizimin dhe mbajtjen e suksesshme të këtij kuvendi zgjedhorë. Në këtë mënyrë LD në MZ, Dega e Malësisë, duke përmbushur obligimin statutar dhe njëkohësisht për të angazhuar forca të reja në veprimtarinë e mëtejme partiake, në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe rrjedhave tjera të ardhshme politike në këto hapësira, vlerëson se mbajtja e Kuvendit të gjashtë zgjedhor, ishte hapi më i qëlluar në këtë moment, dhe njëkohësisht falënderon dhe fton, sidomos të rinjtë , të vazhdojnë të kontribuojnë në veprimtarinë e LDnëMZ, në të mirë të përgjithshme.
Shërbimi për informim i LDnëMZ